Psikologia Arjana Muçaj ka deklaruar në emisionin “Provokacija” se për të ndaluar fenomenin e abuzimit apo bullizmit në shkolla, duhen marrë masa nga Ministria e Arsimit.
Lidhur me ngjarjen e abuzimit të 15-vjeçares në Babrru ajo deklaroi se prej një viti duhet të ishte vërejtur kjo ngjarje, për të minimizuar pasojat e saj.
Ajo gjithashtu kritikoi qëndrimet e ministres së Arsimit Besa Shahini e cila një ditë më parë deklaroi se abuzimi duhet denoncuar nga individë që bien pre e saj.
“Ministrja duhet t’i bënte thirrje stafit mësimor dhe jo fëmijëve për denoncim. Ministrja mund të thoshte masat ndëshkimore që merren për të parandaluar ngjarje të tilla. Sot nuk ka fëmijë mbetës.
Duhet ndëshkim, ndoshta edhe notë në thyerje. Nëse një nxënës thyen rregullat mund të përsërisë edhe vitin. Unë do thoja që një prind i kujdesshëm mund të edukojë një fëmijë që di të drejtat dhe liritë e veta. Kjo është idealja dhe në Shqipëri nuk e kemi këtë ideale.
Më ka ndodhur që fëmija im të ngacmohet në shkollë. Dhe kam kërkuar të drejtën. Nuk është dhuna ajo që të jep pushtet, por komunikimi. Ministria e Arsimit duhet të marrë masa.
Institucioni arsimor është në varësi të kësaj ministrie. Si është e mundur që në një vit akademik nuk është vërejtur asgjë. Ne themi se mirë është që të bëhet edhe shpërblimi edhe ndëshkimi”, tha ajo./abcnews.al