Pse zgjidhet helmi për të eleminuar armiqtë e Putinit

schedule12:42 - 24 Gusht, 2020

schedule 12:42 - 24 Gusht, 2020

Kur lideri i opozitës ruse, Aleksei Navalni u sëmur papritur gjatë fluturimit nga Siberia në Moskë pasi kishte pirë një çaj, hamendësimet e pashmangshme shkuan menjëherë tek regjimin i Putin si autor i krimit.

44-vjeçari u shtrua menjëherë në spital dhe në ditët e para mjekët ishin të paqartë për shkaqet e komas, duke shtuar spekulimet.

Navalni gjendet sot në një spital në Berlin dhe prej vitesh konsiderohej një opozitar i Presidentit rus Vladimir Putin. Në 2018 tentoi të kandidonte kundër tij dhe u përball me dhunën e Kremlinit, si kërcënime, presione, arrestime, burgosje dhe një helmim në 2019, rast pas së cilit u shërua. Që kundërshtarët e Putin shpesh përfundojnë të vdekur ky nuk është më një sekret. Një prej tyre ishte Boris Berezovski, një oligark kundërshtar i Putin që vdiq në rrethana misterioze në 2013, pasi i kishte shpëtuar disa tentativave për ta eleminuar.

Një tjetër ishte ish Ministri i Putin për Mediat, Mikail Lesin. Ai ndërroi jetë nga një përplasje e fortë në kokë kur ishte i vetëm në dhomën e mbyllur me çelës, në një hotel në Washington. Disa të dhëna të pakonfirmuara thanë se para se të ndërronte jetë, Lesin ishte në pritje të një takimi me agjentë të FBI-së.

Raste të tjera kanë qenë më flagrante. Është vrasja e Ana Politkovskaja në 2006 (e vrarë nga çeçenët), ekzekutimi i Boris Nemtsov në 2015 në dalje të Kremlinit (edhe ky i qëlluar nga çeçenët).

Por helmi, është një mjet i preferuar në Rusi, që shpesh konsiderohet si gjurma kryesore që të çon në Kremlin. Helmi është i ngadaltë, nuk lë shenja në vendin e krimit, veç krijon paqartësi. Mund të jetë po aq i rrezikshëm për vrasësin, aq sa edhe për viktimën. Është pak jashtë mode në fakt: Mund të ketë qenë i përshtatshëm për një personazh të viteve 1800, jo për epokën e dronëve që po jetojmë.

E megjithatë, pikërish helmi është përdorur kundër disa prej kritikëve dhe armiqve të Putin.

1) Aleksandër Litvinenko, një agjent i larguar nga shërbimet sekrete që vdiq në Londër në vitin 2006, pasi piu një filxhan çaj ku kishte material radioaktiv gjatë një takimi me zyrtarë rusë. Britania e Madhe doli në përfundimin se me shumë gjasa, ky kishte qenë një operacion i dirigjuar nga Moska.

2) Sergei Skripal, një agjent tjetër i larguar nga shërbimet sekrete bashkë me vajzën e tij, të dy u prekën nga një lëndë kimike me efekt nervor në vitin 2018, nga i cili u helmua edhe një oficer policie në Salisbury, Angli. Të tre u shëruan, por një kalimtar që më vonë gjeti shishen që mbante helmin nervor- që më vonë u zbulua se transportohej nga dy agjentë të shërbimit ushtarak rus që kishin hyrë me pasaporta false në Angli- vdiq nga kontakti me të.

3) Emilian Gebrev, një trafikant armësh nga Bullgaria që më herët kishte pasur përplasje me inteligjencën ruse, u sulmua me të njëjtin helm nervor dhe nga e njëjta njësi e shërbimit sekret ushtarak në 2015. Ai dhe djali i tij, ia dolën gjithsesi.

4) Viktor Jushçenko, kur kandidoi për president të Ukrainës në 2004, u helmua me dioksinë dhe u shërua, megjithatë pati vuajtje të tmerrshme dhe thuajse paralizuese.

PSE HELMI? PSE NAVALNI?

Sipas Mark Galeoti, një analist politik dhe ekspert në çështjet e skandaleve korruptive të qeverisë ruse, që dha një intervistë për Euronews, më shumë se roli i Navalnit si figurë opozitare është fokusi i tij tek korrupsioni që e vunë në shënjestër.

Navalni është shndërruar në një “katalizator të pakënaqësisë së rusëve” shpjegon Galeoti. Ai vazhdon se “Nuk ka rëndësi kush je në Rusi, çdo rus ka pasur eksperienca me korrupsionin, një problem që Navalni e ka kthyer në kalë beteje tashmë prej 20 vitesh. Kjo është thembra e Akilit për Kremlinin.

Ndaj ka mundësi që tani edhe Bjellorusinë në prag të një revolte popullore dhe një pjesë të Rusisë Lindore të pakënaqur nga trajtimi me dorë të fortë të qeveritarëve lokalë, të cilët shihen si të korruptuar, shtuar kësaj edhe indiferencën e qeverisë në Moske, ka ardhur një moment që mori fund edhe toleranca e Putin për sulmet e vazhdueshme të Navalnit.

Përdorimi i helmit në këtë rast shton elementët e paqartësisë që lidershipi i Putin shpesh duket se i shijon. Gjithsesi ka pasur një sërë teorish që rreken të shpjegojnë se përse Putin vendos të eleminojë një kundërshtar dhe përse helmi është mjeti më i mirë.

Mohimi/ Edhe në raste të ngjashme me atë të Skripal dhe Litvinenko, kur të dhënat e autorëve të çonin deri në Moskë, Putin gjithnjë ka pasur hapësirat e nevojshme që të mohonte përfshirjen e qeverisë ruse në këto çështje. Pak njerëz në perëndim e besojnë këtë, megjithatë sanksionet e vendosura duket se nuk kanë më efekt. Dhe veç të tjerash, mungesa e të dhënave lë hapësirë për dyshime dhe mjafton për të ruajtur narrativën politike të Putin.

Merr autorësinë, pa marrë autorësinë. Të gjithë mendojnë se ishte Putin që i helmoi Litvinenkon dhe Skripalët, për shkak të përbërsve kimikë që përdoren nga ushtria dhe që nuk mund të vinin nga askund tjetër. Në njërën anë Putinit i duhet të mohojë autorësinë, në anën tjetër i duhet që kundërshtarët t’i tremben dhe ta kenë frikë për shkak se një ditë mund t’i helmojë. Dhe që ta mbajë gjallë frikën, herë pas here, dikush duhet helmuar.

Terror dhe lodhje. Si Navalni, ashtu dhe Nemtsov kanë pasur eksperienca të gjata me kërcënimet, sulmet, rrahjen, arrestimet dhe survejimin. Ka qenë një luftë konstante me autoritetet dhe një gjendje ankthi se gjërat do të bëhen më keq deri sa të arrijnë në vrasje. Të jetosh në kushte të tilla, kërkon kujdes të jashtëzakonshëm. Vazhdimisht, energjitë që mund të shpenzoheshin për kauzën, shkojnë për të siguruar jetën. Kërcënimi se mund të vdesësh nga një filxhan çaj apo se preke dorezën e derës, është një mënyrë për ta mbajtur kundërshtarin të shfokusuar dhe nën tension, gjë që ndikon direkt në oponencën politike.

Dhimbjet. Nemtsov u qëllua në kokë dhe vdiq menjëherë. Por Litvinenko vuajti për ditë me radhe nga dhimbje të tmerrshme pa asnjë shans për t’u përmirësuar. Kundërshtarët e Putin që nuk i tremben një plumbi në kokë, duhet ta dinë që ka mënyra shumë më të këqia për të vdekur.

Jeta e Skripalit, më pak vlerë se vetë mesazhi

Kjo konsiderohet shpesh si qasja putiniane. Të vrasësh njerëz mund të jetë efektive, por është më pak efektive se kur të gjithë kundërshtarët e tu e dinë se mund të vriten në çdo kohë, qoftë edhe nga ushqimi i tyre.
Agjentët e Moskës, fare lehtë mund ta kishin qëlluar për vdekje Skripalin në Angli dhe sërish të ishin arratisur. Por mbijetesa e Skripalit ishte më pak e rëndësishme se vetë mesazhi: “Unë jam gati ta përdor gazin nervor edhe në Britaninë e Madhe për të vrarë armiqtë e mi”. Dhe ky është një mesazh që plumbi nuk e çon dot. www.businessinsider.com/ Përktheu Lapsi.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!