Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Pse vjen kaq dëndur Von der Leyen në Tiranë?

schedule13:34 - 1 Tetor, 2026

schedule 13:34 - 1 Tetor, 2026

Nga Fatos Çoçoli

Vendi ynë është më i zhvilluar, më i integruar ndërkombëtarisht dhe më pranë Bashkimit Evropian, se në çdo moment tjetër të historisë së tij deri tani

Më 16 korrik 2019, shtatë vite e pak më parë, Ursula Von der Leyen, ish-ministrja gjermane e Mbrojtjes dhe shoqe idealesh e Angela Merkel, ose “zonja e hekurt e Gjermanisë” ( siç mbiquhej nga shumëkush, për shkak të qëndrimeve të saj të forta në politikë), u zgjodh Presidente e Komisionit Evropian, praktikisht kryeministrja e Evropës së Bashkuar. Dy vitë më parë, më 2024-ën, u rizgjodh Presidente e Komisionit Evropian, me një mandat deri në vitin 2029.



Vizita e gjashtë e Von der Leyen

Në këto shtatë vite, ajo e ka vizituar Tiranën gjashtë herë, në krahasim me pesë herë Beogradin, katër herë Podgoricën dhe tri herë Shkupin. Dje ishte hera e saj e gjashtë.

Kronologjia e vizitave kryesore të Von der Leyen në Tiranë:

  • Shtator 2021: Vizita e saj e parë bilaterale si Presidente e KE-së në kuadër të një turi ballkanik
  • Tetor 2022: Vizitë e fokusuar te kriza energjetike dhe mbështetja financiare e BE-së për rajonin
  • Dhjetor 2022: Pjesëmarrja në Samitin historik BE-Ballkani Perëndimor që u mbajt për herë të parë në Tiranë
  • Tetor 2023: Vizitë zyrtare përpara Samitit të Procesit të Berlinit, po ashtu i organizuar në kryeqytetin shqiptar
  • Tetor 2024: Vizitë e përqendruar tek Plani i Rritjes i BE-së dhe hapja e negociatave për grup-kapitujt e parë
  • Shtator 2026 (Vizita e djeshme): Ndalesa e saj e gjashtë zyrtare rajonale, ku u diskutua progresi i Shqipërisë drejt mbylljes së kapitujve negociues deri në vitin 2027

Pse vjen kaq dëndur Von der Leyen?

Arsyet pse vjen dëndur kryeministrja e BE-së në Shqipëri janë disa. Së pari, gjatë dekadës së fundit 2017-2026, vendi ynë ka shënuar një transformim të rëndësishëm politik, institucional dhe ndërkombëtar. Ka konsoliduar fuqishëm orientimin euroatlantik, ka ndërmarrë reformën më të thellë në drejtësi 2017-2019, ka modernizuar administratën publike dhe ka avancuar në mënyrë të matshme drejt anëtarësimit real në Bashkimin Evropian.

Së dyti, në maj 2026, Bashkimi Evropian konfirmoi përmbushjen e kritereve të ndërmjetme për grupkapitullin themelor, që përfshin funksionimin e institucioneve demokratike, reformën e administratës publike, sundimin e ligjit dhe kriteret ekonomike. Vetëm dy muaj më vonë, në korrik 2026, Shqipëria mbylli tre kapitujt e parë të negociatave: Shkencën dhe Kërkimin, Arsimin dhe Kulturën dhe Marrëdhëniet me Jashtë. Këto janë etapa të verifikueshme dhe jo thjesht deklarata politike.

Asnjë tranzicion demokratik nuk është linear dhe çdo reformë e thellë përballet me probleme, rezistencë, mangësi institucionale dhe kritika. Mirëpo pikërisht raportet periodike të progresit nga Komisioni Evropian  dhe avancimi nga një fazë negociuese në tjetrën, dëshmojnë se Shqipëria po arrin t’i adresojë gradualisht këto sfida. Dhe këtë, Von der Leyen e ka shumë mirë parasysh. Shqipëria jonë po afrohet gjithnjë e më shumë me standardet politike dhe juridike të Bashkimit Evropian.

Së treti, edhe në ekonomi tek ne, ndryshimi është i matshëm. Sipas Bankës Botërore, ekonomia shqiptare pritet te rritet me 18-22 përqind në pesë vitet e ardhshme 2027-2031. Këto ritme janë veçanërisht domethënëse, kur krahasohen me parashikimin e Bankës Botërore prej vetëm 2.8 përqind rritje mesatare vjetore për Ballkanin Perëndimor.

Shqipëria vazhdon të ketë sfida reale, nga produktiviteti dhe emigracioni, tek forcimi i institucioneve, kapitali njerëzor dhe lufta kundër korrupsionit.

Mirëpo suksesi i një tranzicioni nuk matet me mungesën e problemeve, por me aftësinë për t’i identifikuar ato, për t’i adresuar dhe për të vazhduar përpara.

Në këtë kuptim, të dhënat ekonomike, raportet e institucioneve ndërkombëtare (i fundit më 19 shtator 2026 ishte i Moody’s, që na e shtoi vlerësimin) dhe ritmi i procesit të integrimit evropian, tregojnë se vendi ynë është më i zhvilluar, më i integruar ndërkombëtarisht dhe më pranë Bashkimit Evropian, se në çdo moment tjetër të historisë së tij deri tani.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!