Nga Shahin Vallée “Foreign Policy”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Mundësia për një hedhur një hap të guximshëm në lidhje me integrimin evropian, është ndoshta më e favorshme sot, se sa ka qenë ndonjëherë që nga rënia e Murit të Berlinit. Franca ka rizgjedhur për një mandat tjetër Emmanuel Macron, presidentin e saj ndoshta më pro-evropian që ka ekzistuar ndonjëherë.
Pas 16 vitesh Merkelizëm, Gjermania udhëhiqet tani nga një koalicion që është zotuar ta shndërrojë Evropën në një shtet federal. Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Danimarka i dha menjëherë fund përjashtimit të saj nga politika e përbashkët e mbrojtjes e Bashkimit Evropian.
Dhe Polonia, dikur një vend anëtar problematik, po sheh më qartë se kurrë më parë, se çfarë mund të humbasë nga dobësimi i Evropës. Rrethanat gjeopolitike janë tejet të favorshme për të ndërmarrë ndryshime të thella. Kriza e Covid-19, ia ka bërë të qartë Evropës varësinë e saj ekonomike ndërkombëtare dhe nevojën për solidaritet.
Lufta e Rusisë në Ukrainë, po krijon një ndjenjë uniteti, që nuk është parë që nga kriza e euros. Dhe frika në rritje se mos SHBA-ja po shkon sërish drejt zgjedhjes së një presidenti tjetër të ngjashëm me Trump, po i zgjon më në fund evropianët në lidhje me realitetin e hidhur ku ndodhen.
Por pavarësisht nga kjo situatë e frikshme, Evropa mbetet ende në apati. BE-ja nuk e ka kapërdirë plotësisht largimin e Britanisë, dhe nuk ka krijuar një marrëdhënie të re me Londrën. Ajo mbetet e ndarë edhe mbi shtrirjen dhe shpejtësinë e zgjerimit të saj; dhe është ende e pasigurt nëse ndërhyrja e guximshme fiskale gjatë krizës së Covid-19, ishte hapi i parë i “markës evropiane” të federalizmit fiskal, apo nëse ishte një rast i shkëputur.
Brukseli është ende duke u përplasur me Hungarinë për shkeljet e saj në raport me shtetin e të drejtës, me destabilitetin në Ballkan, dhe më e rëndësishmja, mbetet peng i traktateve evropiane, që janë një pengesë për hartimin e qasjeve të përbashkëta në fusha jetike si energjia, shëndetësia, politika fiskale dhe mbrojtja.
Macron e entuziazmoi audiencën me retorikën e tij pro-evropiane gjatë mandatit të tij të parë. Por kjo nuk është përkthyer ende në suksese të mëdha konkrete politike. Pas presidencës 6-mujore të BE nga Franca, dhe ndërsa Macron po fillon një mandat të ri në detyrë, ia vlen të pyesim:Si shpjegohet hendeku midis axhendës ambicioze evropiane të Macron, dhe faktit që dështoi shumica e përpjekjeve të tij gjatë mandatit të tij të parë?
Realiteti është se tek “metoda Macron”, ekziston edhe një problem tjetër. Fjalimet e tij madhështore, i kanë zgjuar vërtet liderët e tjerë evropianë nga gjendja e mohimit dhe vetëkënaqësisë ku ndodheshin, por kanë dështuar sistematikisht që të krijojnë një koalicion veprues.
Hendeku midis retorikës dhe veprimit të Macron, ishte më se i dukshëm në takimin e fundit të liderëve të BE-së në qershor, që i dha fund presidencës franceze të BE-në. Lutja e tij për një integrim më të thellë u shpërfill, ndërsa thirrja e tij për të krijuar një Komunitet Politik Evropian mezi u diskutua.
Ndërkohë shpresat e tij për të debatuar mbi një pakt të mundshëm për të reformuar traktatet evropiane, ishin aq larg axhendës së liderëve të tjerë, saqë u hoqën nga rendi i ditës. Edhe axhenda e tij mbi eurozonën, e shpallur me bujë në qershor 2018, u rrëzua disa ditë më vonë nga Mário Centeno, Ministri i atëhershëm i Financave i Portugalisë si dhe president i Eurogrupit, dhe më pas nga Këshilli Evropian.
Bashkë me të u zhdukën shpresat për një buxhet të zonës së euros që do të shërbente si një stabilizues më i mirë i monedhës së përbashkët, si dhe për të forcuar arkitekturën e saj. Që nga ajo kohë, asgjë nuk ka lëvizur në arkitekturën jo të plotë të zonës së euros.
Nga ana tjetër, refuzimi i tij i rreptë në vitin 2019 për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, kur ai bëri një thirrje të njëanshme dhe me vonesë për një kornizë të re të zgjerimit, jo vetëm që e irritoi pjesën më të madhe të Evropës, por u rrëzua këtë vit përballë paqëndrueshmërisë në rritje në këtë rajon.
Deklarata e tij provokuese e vitit 2019 se NATO-ja ndodhej në koma, nuk solli asnjë hap drejt krijimit të arkitekturës së re të sigurisë evropiane që kërkoi ai vetë. Edhe lutja e Macron për një konferencë mbi të ardhmen e Evropës, të cilën ai e projektoi që gjatë fushatës zgjedhore për në Parlamentin Evropian në vitin 2019, si një platformë fillestare për reforma të thella institucionale, u hodh shumë shpejt poshtë nga PE.
Edhe përpjekja e tij e guximshme për ta ringjallur këtë nismë gjatë fjalimit të këtij viti më 9 Maj, Ditën e Evropës, në Strasburg u ndesh me një rezistencë të fortë. Gjatë atij fjalimi, Macron foli për nevojën e krijimit të një Komunitet të ri Politik Evropian, për t’i dhënë mundësi Evropës të zgjerohet me shtetet e reja anëtare, dhe të thellojë integrimin e saj me ato ekzistuese, duke e pranuar se kjo do të kërkonte një rishikim të plotë të traktateve të BE-së.
Pas një fjalimi kaq ambicioz, është e vështirë të imagjinohet një përgjigje më katastrofike. Ditën që e propozoi, një koalicion prej 13 shtetesh anëtare të kryesuar nga Suedia, botoi një deklaratë të fortë kundërshtuese, duke theksuar se konferenca nuk ishte krijuar kurrë për të arritur reforma institucionale dhe të traktateve.
Më pak se një javë më vonë, Belgjika, Gjermania, Italia, Luksemburgu, Spanja dhe Holanda në thelb kundërshtuan çdo përfshirje nga udhëheqësit në këtë fazë, duke sugjeruar vetëm ngritjen e një “grupi pune ad hoc”. Me këtë disfatë, Evropa e gjen veten pa një axhendë reale për të forcuar arkitekturën e saj, dhe pa një plan real për të forcuar angazhimin e saj ndaj fqinjëve të saj.
Arsyeja e dështimeve të tilla është se politika evropiane e Macron vuan nga tre të këqija themelore:ajo është e paqartë, e njëanshme dhe egoiste. Është e paqartë sepse Franca mbetet në thelb e paqartë në lidhje me aspektet kritike të vizionit të saj evropian.
Ndërsa Gjermania deklaron se dëshiron të ndërtojë bërthamën e një shteti federal për BE-në, Macron duket se beson se shqiptimi i fjalës “federal” është shumë i kushtueshëm në vend, dhe shumë idealist jashtë vendit. Zgjerimi i votës me shumicë së cilësuar që kërkohet shpesh Franca, do të shmangte bllokimin e vetos nga shtetet më të vogla anëtare në fusha të tilla si politika fiskale dhe ajo tatimore.
Por Franca rrallëherë sqaron nëse është e përgatitur të braktisë të drejtën e vetos që e përdor vetë në fusha me interes jetike si politika e jashtme apo mbrojtja, apo dhe nëse është e gatshme të transferojë autoritetin ekzekutiv në Komisionin Evropian dhe të zgjerojë kompetencat e Parlamentit Evropian.
Refuzimi nga Macron-it i procesit të zgjedhjes së Spitzenkandidat në vitin 2019, ku presidenti i komisionit do të caktohej nga partia politike fituese e zgjedhjeve evropiane, duke i siguruar atij një legjitimitet më të fortë,çimentoi me të drejtë apo jo ndjenjën se vizioni evropian i Macron ishte thjesht një tjetër markë e Gaulism-it.
Së dyti është e njëanshme, si për shkak se Macron do të preferonte gjithmonë të ecte përpara i vetëm sesa të ndërtonte koalicione, por edhe sepse politika evropiane e Francës duket se fillon dhe mbaron me të. Në fakt, qeveria, shërbimet e tij diplomatike dhe shoqëritë civile në të gjithë Evropën, mund të jenë një përforcues i natyrshëm i pikëpamjeve të tij, por lihen më shpesh nën hijen e tij.
Edhe më i habitshëm është fakti se disa herë që Macron ka vepruar kolektivisht, ka qenë tejet i suksesshëm. Kështu, koalicioni që u ngrit me ndihmën e tij (kundër Gjermanisë) në Sibiu në vitin 2019, i mundësoi lëvizjen e Evropës drejt asgjësimit të emetimeve të karbonit.
Ashtu si letra që nënshkroi në vitin 2020 së bashku me liderët e 8 shteteve të tjera anëtare (kundër Gjermanisë) që kërkonin një përgjigje të përbashkët fiskale ndaj krizës së Covid-19 çuan në planin e rimëkëmbjes së BE-së prej 750 miliardë eurosh.
Së fundmi, qasja e Macron ndaj BE-së shpesh është egoiste dhe mund të ngatërrohet lehtë me përpjekjen e dikurshme të Napoleonit, për ta ribërë Evropën në imazhin dhe interesin e Francës. Kjo është ndoshta më e dukshme në fushën e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes, ku ambicia e guximshme e Macron për një Evropë sovrane, perceptohet si një përpjekje e një fuqie në rënie për të shfrytëzuar fuqinë dhe madhësinë e Evropës, për të mbështetur ndikimin e saj në zhdukje në lidhje me politikën e saj të jashtme.
Është e habitshme që pas një mandati të parë të mbushur me ambicie evropiane zhgënjyese, Macron nuk ka arritur ende të shpalosë një teori ndryshimi, e cila të kombinojë guximin me ndërtimin e konsensusit. Kjo çon në një izolim në rritje të Parisit, dhe e detyron Francën t’i maskojë si suksese dështimet e saj.
Ndërsa Macron mbetet padyshim lideri evropian me pikëpamjen më të qartë mbi të ardhmen e Evropës dhe reformat e nevojshme, paaftësia e tij për të arritur ndonjë prej tyre, e lë Evropën thellësisht të cenueshme dhe pa asnjë drejtim.
Tani rreziku i vërtetë është që në mungesë të një axhende për integrimin politik, lufta në kufirin e Evropës, kostoja ekonomike e sanksioneve dhe ajo e tranzicionit energjetik, do ta shpërdorojnë edhe rastin për të hedhur një hap të guximshëm drejt reformave të mëdha.
Për të shmangur këtë rezultat, Berlini duhet të dalë nga gjendja e tij e thellë e mohimit, dhe të vërë në praktikë ambicien e traktatit të koalicionit, duke bërë një thirrje të fortë për evropianizimin e politikës energjetike, dhe të qartësojë kushtet e tij për ndërtimin e një arkitekture dhe kapaciteti të ri të sigurisë evropiane.