Pse u shpall fajtor shoferi i vdekur i autobusit në aksidentin në Bullgari?

schedule19:28 - 26 Janar, 2022

schedule 19:28 - 26 Janar, 2022

Fajtor për aksidentin që ndodhi në Bullgari, është shpallur shoferi i autobusit. Zëvendësprokurori bullgar, Borislav Sarafov për BGNES, tha se shkak i aksidentit është humbja e kontrollit mbi autobusin nga shoferi. Por, edhe shpejtësia e papërshtatshme.

Autoritetet bullgare e kanë përfunduar hetimin, ndërsa tani konkluzionet duhet t’u dorëzohen autoriteteve në Maqedoninë e Veriut, pasi ditën e fatkeqësisë, ata u dakorduan që hetimin ta bëjë vetëm pala bullgare.

“Shkak i aksidentit është humbja e kontrollit mbi autobusin nga shoferi. Por, edhe shpejtësia e madhe dhe e papërshtatshme, mbi normat e lejuara. Kjo është një tragjedi njerëzore pa presedan për numrin e viktimave, por edhe pa presedant, si intenzitet i punës që e kemi kryer. Hetimi është kryer dhe mbetet vetëm që në rrugë gjyqsore të njoftohen autoritet në Maqedoni, por edhe familjarët e vikrimave kanë të drejtë të njihen me materialet e hetimit”, theksoi Sarafov.

Aksidenti ndodhi në orët e hershme të 23 nëntorit të vitit 2021, kur autobusi i agjencisë “Besa Trans”, i cili po kthehej nga Stambolli, goditi një bankinë në autostradën Struma, pranë fshatit Bosnek, me ç’rast humbën jetën 45 persona, ndërsa shtatë të tjerë pësuan lëndime trupore. Në mesin e viktimave ishin edhe 12 fëmijë, ndërsa shumica ishin familjarë që kishin udhëtuar në Stamboll të Turqisë për një vizitë treditore.

Hetimet lidhur me rastin kanë nisur edhe në Maqedoninë e Veriut, pasi autoritetet kanë konstatuar se autobusi i aksidentuar nuk kishte leje për transport ndërkombëtar të udhëtarëve. Dy doganierë janë suspenduar nga puna pasi kishin lejuar autobusin pa leje të kalonte kufirin, agjencisë së udhëtimit i është hequr leja e punës ndërsa drejtuesi i saj, tani pas raportit të hetuesisë bullgare mbi shkaqet e aksidentit, mund të përballet dhe me masa tjera./TV Shenja

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!