Pse u detyruan të firmosin? Bardhi: Delegatët konfirmuan me shkrim pjesëmarrjen, ishte gjetje

schedule19:38 - 10 Dhjetor, 2021

schedule 19:38 - 10 Dhjetor, 2021

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi konfirmoi sot se 5259 delegatë kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Kuvendin e datës 18 Dhjetor. Në studion e Radar Informativ me Jonida Shehun, i pyetur se perse këtë herë delegatët u detyruan të firmosin, Bardhi sqaroi se ishte një gjetje e degës së Malësisë së Madhe që pjesëmarrja të konfirmohej me shkrim.

Numri dy i demokratëve theksoi se më herët delegatët konfirmonin me telefon dhe se ishte kjo degë që zgjodhi këtë procedurë fillimisht dhe më pas grupi i punës e vlerësoi si gjetje ideale.

“Më duhet të sqaroj se dalja ime publike sot nuk ka asnjë lidhje me tubimin e thirrur nga Berisha. Ishte një proces informimi mbi Kuvendin e vetëm në 18. Nuk ka pasur asnjë detyrim nga ne për të firmosur. Sekretari ka për të detyrë të ngrejë një grup pune për organizim. Në të shkuarën procesi i njoftimit është bërë me sms ose telefonata kur anëtarët janë njoftuar për mbledhjen e Kuvendit. Në këtë rast njëra prej degëve të partisë ishte një ide shumë e vlefshme, ndoqi një proces njoftimi me shkrim.

Secili delegat thirrej për të marrë materialet dhe konfirmonte me shkrim jo me telefon pjesëmarrjen. Ky model ishte i ndjekur nga njëra degë e partisë, dega e Malësisë së Madhe një gjetje shumë pozitive që grupi i punës gjykoi se do ishte i gjetur. Kjo gjetje e tyre ishte bërë për shkak të rrëmujës së krijuar këto tre muaj me shifra që ndryshonin hera-herës. Për të dokumentuar të gjithë procesin u gjykua që të bëhej ky proces konfirmimi me shkrim. Leximi i emrave vazhdon është në transmetim live në Facebook të PD. Po bëhet një transparencë e plotë. Ishte një zgjidhje. Nuk ishin të detyra ta bënin. Ishte zgjidhje e vlefshme dhe u mendua të ndiqej”, u shpreh ai.

I pyetur më tej nëse firma ishte një lloj garancie që PD merr nga delegatët, Bardhi tha: “Ky ishte një proces normal njoftimi. Është procedurë normale, edhe konfirmim është procedurë normale. Edhe në një situatë normale secili anëtar konfirmon pjesëmarrjen.” g.v/abcnews.al