Pse u dënua kryebashkiaku i Stambollit, dhe ç’do të thotë kjo për garën presidenciale të vitit të ardhshëm

schedule09:03 - 17 Dhjetor, 2022

schedule 09:03 - 17 Dhjetor, 2022

Nga Ahmet T.Kuru “The Conversation”

Vendimi i një gjykate turke më 14 dhjetor, për të dënuar kryebashkiakun e Stambollit Ekrem Imamoglu me 2 vjet e 7 muaj burg për fyerje të zyrtarëve publikë, kishte të bënte me komentet e bëra prej tij 3 vjet më parë.

Por ndikimi i tij, do të ndihet tek një ngjarje që do  të ndodhë pas disa muajsh:zgjedhjet presidenciale turke.

Nëse gjykata e apelit e konfirmon dënimin e Imamoglu – bazuar në një fjalim të vitit 2019,  në të cilin ai dyshohet se i quajti “budallenj” anëtarët e Këshillin të Lartë Zgjedhor – figurës së rëndësishme të opozitës do t’i ndalohet të mbajë çdo lloj posti politik.

Dhe kjo do t’i jepte një fitore të dyfishtë presidentit Recep Tayyip Erdogan. Ai do të rimerrte jo vetëm kontrollin e Stambollit, por do të pengonte kandidimin e sfiduesit të tij potencialisht më të fortë në zgjedhjet e qershorit të vitit të ardhshëm. Pavarësisht nëse është apo jo i motivuar politikisht, vendimi i gjykatës mund të mos funksionojë ashtu siç shpresojnë rivalët e Imamoglu.

Dhe këtë duhet ta dijë edhe Erdogan. Rruga e gjatë e presidentit turk drejt dominimit politik, nisi pikërisht me zgjedhjen e tij si kryebashkiak i Stambollit në vitin 1994. Elita laike, e cila në atë kohë e dominonte politikën e Turqisë, dhe i frikësohej rritjes së konservatorizmit fetar të Erdogan, e nxori përkohësisht nga politika këtë të fundit, përmes një vendimi gjyqësor që e dënoi me 4 muaj, për shkak të nxitjes së urrejtjes fetare në një fjalim publik.

Por ai vendim vetëm sa e forcoi mbështetjen ndaj Erdogan. Ndoshta mund të ndodhë njëlloj me Imamoglu, dënimi i të cilit u pasua nga dalja në rrugë në shenjë proteste e mijëra mbështetësve të tij.

Rënia e popullaritetit të Erdogan

Presidenti jetëgjatë i Turqisë është një politikan pragmatik. Për më shumë se 25 vjet, Erdogan ka ndjekur një strategji të dyfishtë për forcimin e pushtetit të tij:fitimin e legjitimitetit nëpërmjet fitimit të zgjedhjeve, dhe konsolidimin e pushtetit, duke përdorur një listë të gjatë metodash autoritare, si burgosja e gazetarëve dhe etiketimi si “terroristë” i figurave opozitare.

Por zgjedhjet e vitit 2023 vijnë në një kohë kur pozita e Erdogan në Turqi duket më e dobët. Sondazhet sugjerojnë se ai mund të humbasë ndaj njërit prej disa sfiduesve të mundshëm, edhe pse opozita nuk ka shpallur ende se kush do të konkurrojë në këto zgjedhje.

Zgjedhjet lokale në Stamboll në vitin 2019, ishin një pikë kthese në fatin politik të Erdogan. Imamoglu, kandidati i opozitës së tij kryesore, Partia Popullore Republikane, fitoi kundër kandidatit të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim të Erdogan. Presidenti nuk e pranoi humbjen dhe mbështeti anulimin e zgjedhjeve përmes një vendimi të Këshillit të Lartë Zgjedhor, që solli edhe deklaratën e ashpër të Imamoglu.

Gjithsesi Imamoglu fitoi sërish dhe me një diferencë edhe më të madhe në raundin e dytë. Sipas shumicës së sondazheve publike, që nga viti 2019 popullariteti i Erdoganit ka rënë akoma më tej. Ai është sot më pak popullor se sa Imamoglu dhe kryebashkiaku i Ankarasë, Mansur Yavas, që vijnë nga e njëjta parti opozitare.

Një nga arsyet kryesore të rënies së popullaritetit të Erdogan është kriza e vazhdueshme ekonomike. Norma vjetore e inflacionit në vend ka arritur në 80 për qind. Në një sondazh të shkurtit 2021, 50 për qind e turqve thanë se varfëria po i detyronte të kursenin nga një vakt bukë.

Kriza ekonomike lidhet direkt me sundimin e Erdoganit, që ka sjellë largimin në masë të më të arsimuarve dhe politika të gabuara financiare, veçanërisht këmbënguljen e presidentit  për të ulur normat e interesit me qëllim reduktimin e inflacionit, një politikë që bie ndesh me atë që rekomandojnë shumica e ekonomistëve.

Në rast se opozita ndjek një strategji të arsyeshme, atëherë Erdogan po shkon drejt humbjes në zgjedhjet e vitit 2023, gjithmonë nëse procesi do të jetë i drejtë dhe i lirë. Por vëzhguesit kanë frikë se ai do të përpiqet të manipulojë sistemin apo të ndryshojë rregullat për të fituar zgjedhjet, dhe për të mbajtur për 5 vite të tjera pushtetin e tij super-presidencial.

Erdogan ka punuar tashmë për të krijuar një media pro tij, përmes konfiskimit, nepotizmit dhe represionit, përfshirë arrestimin dhe burgosjen e gazetarëve. Në tetor, Erdogan firmosi një ligj të ri mbi censurën për të kriminalizuar më tej gazetarët dhe kontrolluar mediat sociale.

Po ashtu, forcoi lidhjet me presidentin rus Vladimir Putin, dhe i normalizoi marrëdhëniet me Princin e Kurorës të Arabisë Saudite Mohammed Bin Salman dhe Princin e Kurorës së Emirateve të Bashkuara Arabe Mohammed Bin Zayed, në një përpjekje për të inkurajuar mbështetjen e tyre financiare në prag të zgjedhjeve.

A do të përsëritet historia?

Pastaj është edhe sulmi i drejtpërdrejtë ndaj figurave të opozitës. Nëse Imamoglu përfundon vërtet në burg, nuk do të jetë i vetmi politikan i rëndësishëm që lëngon në burgjet turke. Ish-bashkëkryetari i Partisë Demokratike të Popullit, Selahattin Demirtas,një formacion pro-kurd, ndodhet në burg prej më shumë se 6 vjetësh.

Demirtas e mbështeti Imamoglu gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2019, dhe e ka kritikuar dënimin e ri ndaj tij. Kjo tregon atë që e bën Imamoglu një kërcënim potencialisht të fuqishëm elektoral për Erdogan:aftësinë e tij për të tërhequr votuesit nga segmente të ndryshme të shoqërisë.

Ai mund të marrë edhe votën e pakicës vendimtare kurde, duke ruajtur njëherazi marrëdhënie të forta me politikanët nacionalistë. Imamoglu vjen nga një parti laike, por ai vetë është në gjendje të recitojë publikisht pjesë të Kuranit, duke i joshur votuesit besimtarë.

Erdogan i druhet një figurë opozitare, që mund të shërbejë si një kandidat i “çadrës së madhe”. Ishte kjo strategji që e ndihmoi Imamoglu të mposhtte 2 herë partinë e Erdoganit në Stamboll në zgjedhjet e vitit 2019. Pas disa muajsh, do të shohim nëse ai mund të shënojë të njëjtën arritje në nivel kombëtar. Por kjo gjë mund të ndodhë vetëm nëse Imamoglu do të jetë ligjërisht në gjendje që të kandidojë.

Rreziku për Erdogan, është se nëse burgosja e Imamoglu do të cilësohet nga popullata turke si e motivuar politikisht, pasi kjo mund ta bëjë edhe më popullor rivalin e tij. Nëse po, mund të kemi një përsëritje të historisë në Turqi, vetëm se këtë herë në dëm të Erdogan.

Shënim:Ahmet T.Kuru, profesor i shkencave politike, Universiteti Shtetëror i San Diegos, SHBA.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!