Pse Trumpizmi do të qëndrojë gjatë në politikën amerikane

schedule10:41 - 6 Shtator, 2022

schedule 10:41 - 6 Shtator, 2022

Nga Michael Hirsh “Foreign Policy

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Bota duhet të ketë kujdes: Trumpizmi është këtu për të qëndruar për një kohë shumë të gjatë. Ai kërcënon të na përndjekë për aq shumë kohë edhe në të ardhmen, saqë edhe kur të jetë zhdukur, mund të mos njihet më, apo të jetë shpëtuar ai që presidenti i SHBA-së Joe Biden e quajti në fjalimin e të enjtes si “eksperimenti amerikan”.

Ky është përfundimi më i besueshëm që mund të arrijmë nga spektakli dashakeq i 20 muajve të fundit, që kur ish-presidenti amerikan Donald Trump u largua me zor nga Shtëpia e Bardhë, teksa u përpoq të shkatërronte atë që kishte mbetur nga rendi kushtetues i SHBA-së, duke nxitur një turmë mbështetësish të varte në litar zëvendëspresidentin e tij (me miratimin e Trump).

Edhe pasardhësi i Trump, Joe Biden, nuk është distancuar aspak nga axhenda e Trump. Përkundrazi, Biden ka zgjedhur pjesën më të madhe të axhendës populiste të Trump “Amerika e Para” edhe pse kohët e fundit e cilësoi si “gjysmë-fashiste” lëvizjen e Trump.

Po ashtu, edhe ato pak gjëra që kanë dalë nga seancat dëgjimore në Kongres rreth kryengritjes së 6 janarit 2021, që do të rifillojnë tani në shtator, nuk duket se po i ndryshojnë mendjen miliona mbështetësve të Trump, raporton abcnews.al.

Sipas një sondazhi të Universitetit Monmauth në fillim të gushtit, pra pas 8 seancave dëgjimore në Kongres, të cilat zbuluan detaje të panjohura më parë se si Trump e nxiti kryengritjen në Capitol Hill vitin e kaluar, vetëm rreth 40 për qind e republikanëve besojnë se Trump ka bërë diçka të gabuar – gati e njëjta përqindje si përpara se të nisnin seancat – dhe 61 për qind e republikanëve e pranojnë ende pretendimin e tij të rremë se zgjedhjet ishin të manipuluara.

Turma e 6 janarit mund të jetë shpërndarë, dhe më shumë se 900 pjesëmarrës të supozuar të saj janë ndjekur penalisht. Por amoraliteti i asaj turme e dominon end Partinë Republikane, duke i bërë shumë nga zyrtarët e saj të zgjedhur dhe të emëruar si tela përçues të gënjeshtrave Trumpiane.

Aq serioz është ky rrezik sa që në fjalimin e tij të së enjtes në Sallën e Pavarësisë në Filadelfia, Biden deklaroi se Trump dhe ata që Biden i quajti “republikanët  MAGA” – duke iu referuar lëvizjes së Trump, Make America Great Again (Të bëjmë sërish madhështore Amerikën – “përfaqësojnë një ekstremizëm që po kërcënon vetë themelet e Republikës”.

Po si ka mundësi që fenomeni Trump është kaq i qëndrueshëm? Përgjigjen synojnë ta japin një mori librash që sapo janë botuar apo që pritet të dalin në treg. Tek njëri prej tyre me titull “Shkatërrimtarët:25 vitet e degradimit të Partisë Republikane”, opinionisti i Washington Post, Dana Milbank shpjegon arsyet pse hija e Trump është ende aq e fortë në Shtëpinë e Bardhë,

dhe pse kaq shumë njerëzit mendojnë se ai u detyrua padrejtësisht të largohet nga detyra. Milbank thotë se Trump nuk doli nga hiçi. “Përkundrazi, ai ishte një përbindësh që republikanët e krijuan gjatë një çerek shekulli, raporton abcnews.al.

Ai është një simptomë, dhe jo shkaku i sëmundjes së tyre”- thekson analisti. Arsyeja pse Trump u ngjit aq lehtësisht në pushtet, me shumë pak kundërshtime nga republikanët, është se ai thjesht po çante rrugën e tij përmes rrënojave të asaj që dikur ishte axhenda e establishmentit republikan.

Gënjeshtrat e Trump u përhapën kaq lehtë, sepse për një brez të tërë, baza e partisë i ishte nënshtruar tashmë gënjeshtrave, dhe teksa udhëheqësit republikanë u përpoqën ta qetësonin bazën e tyre elektorale të të bardhëve gjithnjë e në pakicë, duke thurur himne populiste dhe thirrje nativiste, dhe sidomos duke shfrytëzuar ndjenjat e këtij komuniteti kundër emigrantëve të rinj.

Dallimi i vetëm i Trump, është se ai ishte më i aftë në këtë keqpërdorim dhe manipulim sesa çdo republikan para tij, dhe hyri në skenë në një moment të historisë kur interneti, mediat sociale dhe mediave e lajmeve 24-orëshe, lejojnë që gënjeshtrat të përhapen më gjerësisht se kurrë më parë.

Gënjeshtrat e pambështetura të Trump për zgjedhjet e vitit 2020, u parashikuan më shumë se dy dekada më parë nga akuza po aq të pakuptimta në lidhje me vdekjen e Vince Foster, avokati i Shtëpisë së Bardhë që vrau veten në kohën e administratën e presidentit amerikan Bill Clinton.

Pavarësisht provave të pakundërshtueshme se vdekja e Foster ishte një vetëvrasje, republikani  Dan Burton dhe republikanët e tjerë të njohur këmbëngulën (me ndihmën e gjyqtarit të ardhshëm të Gjykatës së Lartë, Brett Kavanaugh, asokohe një aparatçik republikan që shkruante në media opinione mbi çështjet ligjore) se Foster u vra nga Bill dhe Hillary Clinton. Dhe ai ishte vetëm fillimi, raporton abcnews.al.

“Para gënjeshtrës së madhe për zgjedhjet e vitit 2020, republikanët fabrikuan shpifje për “panelet e vdekjes” të Obamacare, akuzat e rreme se ishte Saddam Hussein ai që organizoi sulmet terroriste të 11 Shtatorit, dhe një rrjedhë të pafundme teorish konspirative që thonë se Bill dhe Hillary Clinton ishin asgjë më pak se sa 2 vrasës serialë”- shkruan Milbank.

Pak ose asgjë ka mbetur nga një Parti Republikane, që dikur mbronte konservatorizmin dhe kompromisin e arsyeshëm. Në vitin 2016, udhëheqësi i atëhershëm i shumicës në Senatin amerikan, Mitch Mcconnell, këmbënguli se Trump “nuk do ta ndryshonte filozofinë bazë të partisë”.

Por siç shkruan me ironi Mark Leibovich në një libër tjetër të ri “Faleminderit për shërbimin tuaj: Uashingtoni i Donald Trump dhe çmimi i nënshtrimit”, kjo doli të ishte 100 për qind e vërtetë, me përjashtim të ‘filozofisë bazë’ të Trump mbi politikën e jashtme, tregtinë e lirë, sundimin e ligjit, deficitet, tolerancën për diktatorët, aktivizmin e qeverisë, vlerat familjare, privatësinë, temperamentin optimist dhe çdo cilësi të virtytshme që Partia Republikane ka aspiruar ndonjëherë në kohët e saj më të mira, para Trump”.

Sot e djathta ekstreme, e ka pranuar argumentin se demokracia amerikane është dëmtuar në mënyrë të pariparueshme. Në Arizona, kandidati republikan për Senatin e SHBA-së, Blake Masters, po bën haptazi thirrje për shpërbërjen e shumë institucioneve të demokracisë amerikane, të cilat ai i ka përshkruar si një “botë distopike të Ferrit”.

Po kështu edhe mentori i Masters, miliarderi i Silicon Valley, Peter Thiel, që dikur deklaroi:”Unë nuk besoj më se liria dhe demokracia janë të pajtueshme midis tyre”. Trump është demagogu i parë i vërtetë në historinë e SHBA-së, që jo vetëm u zgjodh president, por mbeti sundimtar shumë më vonë, një kontrast ky i fortë krahasuar me shumicën e kandidatëve presidencialë që pasi humbasin, bëhen me shpejtësi të parëndësishëm, raporton abcnews.al.

Leibovich përmend faktin se republikanët më të njohur, u pajtuan me Trump, duke u distancuar nga çdo parim që kishin dikur. Shumica e tyre në fillim u duk sikur e kundërshtuan Trump. Përpara zgjedhjeve të vitit 2016, guvernatorja e atëhershme e Karolinës së Jugut, Nikki Haley, tha se Trump përfaqësonte “gjithçka që i mësojmë të mos bëjnë fëmijët tanë”. Senatori Lindsey Graham e etiketoi një “racist dhe ksenofob, fetar”, ndërsa senatori tjetër Ted Cruz si “tërësisht amoral”.

Por në fund edhe ata u bënë mbështetës të Trumpit, dhe të tillë mbeten. Kundërshtarja më e fortë e Trump, deputetja Liz Cheney, u mposht në zgjedhjet e saj paraprake në Ëyoming me një diferencë prej gati 40 për qind. Pra karriera e saj politike, të paktën në Partinë Republikane, ka përfunduar.

Po a ka ndonjë plan në gjirin e republikanëve për t’u distancuar nga Trumpizmi? “Ndonjë plan? Ne thjesht po presim që ai të vdesë!’- i tha Leibovich një ish-kongresmen republikan. Por as tërheqja e përhershme e Trump nga skena sigurisht nuk do të ndihmojë shumë. Asnjë politikan  aq patologjik sa Trump nuk e ka dominuar më parë politikën kombëtare.

Dhe ka të ngjarë që të kalojë vetëm pak kohë, përpara se dikush po aq keqdashës dhe i paparashikueshëm ta bëjë sërish. Trump ka vendosur precedentë të rrezikshëm, përfshirë mungesën e vullnetit për të pranuar rezultatet e zgjedhjeve dhe një transferim paqësor të pushtetit.

Sipas një sondazhi të ri nga YouGov dhe The Economist, mbi 40 për qind e amerikanëve mendojnë se lufta civile është e mundshme brenda dekadës së ardhshme. Ndërkohë në një sondazh tjetër të fundit, më shumë se 40 për qind e të anketuarve ranë dakord se “të kesh një udhëheqës autoritar në krye të Amerikës, është më e rëndësishme se të kesh një demokraci”.

Marrë me shkurtime.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!