Pse që të gjithë jemi nga pak teoricienë konspiracionesh

schedule18:32 - 14 Dhjetor, 2022

schedule 18:32 - 14 Dhjetor, 2022

Nga Steven Novella

Unë e kam thënë shpesh, se ne të gjithë kemi nga një teoricien të vogël konspiracioni brenda vetes. Me këtë dua të them, se të gjithë kemi disa karakteristika të përbashkëta psikologjike, që mund të na nxisin t’i besojnë njërës apo tjetrës teori konspirative.

Natyrisht, disa më shumë se të tjerët. Të rënit në kurthin e të besuarit të një teorie të tillë, është një tendencë që mund të na duhet që ta luftojmë. Dhe duhet të ketë një pikë, ku t’i themi vetes:Hej, prit një minutë, a mund të jetë realisht e vërtetë kjo? Cilat janë provat? A mos jam duke gënjyer veten time, duke rënë pre e paragjykimeve të mia, apo thjesht po konformohem me grupit tim shoqëror?

Gjithashtu ne jemi që të gjithë pak skeptik brenda vetes, dhe në një moment besimi fiton mbi skepticizmin dhe anasjelltas. Studiuesi i teorive të konspiracionit Asbjorn Dajrendal, profesor në Departamentin e Filozofisë dhe Studimeve Fetare në Universitetin Trondeim në Norvegji, bie dakord më këtë gjë.

Ai ka zbuluar, se nëse i pyetni njerëzit mbi shumë konspiracione, do të rezultojë se në fund të gjithë besojnë tek ndonjë komplot. Sigurisht, ka disa nivele besimi. Dajrendal mendon se të gjithë besojnë “paksa” në një komplot të caktuar. Por jo të gjithë besojnë në një të ashtuquajtur “konspiracion të madh”.

Por ekziston një tendencë e përgjithshme, për të pranuar disa besime jo të bazuara tek logjika dhe provat e ngurta, por sepse ato u përshtaten paragjykimeve tona. Ne të gjithë jemi më të prirur të besojmë atë që mendojmë se është e drejtë, sidomos kur identiteti ynë është në rrezik dhe emocionet janë tepër të forta.

Mund të jetë paksa si emocionet që lidhen me futbollin. Çdo adhurues i këtij sporti e ka provuar këtë ndjesi:ekipi juaj është më i miri dhe më me merita. Skuadra kundërshtare është gjithnjë me fat, luan pisët, ndërsa arbitrat po sillen padrejtësisht ndaj ekipit tuaj të zemrës.

Kjo nuk është absolute, por është qartazi një paragjykim. Dhe sa më shumë tifoz të jeni me ekipin tuaj, aq më shumë identiteti dhe emocionet tuaja janë të lidhura me fitoren apo humbjen e tyre, dhe aq më shumë gjasa ka që të jeni anshëm.

Pastaj në lojë hyjnë faktorë të tjerë si paragjykimi i konfirmimit, vërtetimi subjektiv, forcimi i bashkësisë, efekti i “dhomës jehonë” dhe efektet specifike të mendimit konspirativ, që i izolojnë besimet tona nga përgënjeshtrimi. Është me rëndësi të theksohet se kjo mund të jetë një spirale vetë-përforcuese.

Kjo mund t’ju nxisë të besoni pretendimet më absurde, dhe që hidhen lehtësisht poshtë. Për shembull merrni ata që besojnë se Toka është e sheshtë. Disa anëtarë të këtij komploti, besojnë tek planeti ynë nuk ka gravitet. Sipas tyre ekziston një mur prej akulli, që e rrethon Tokën e rrafshët.

Ai mbrohet nga ushtarët e NASA-s, për të mos lejuar askënd që ta mësojë të vërtetën. Sipas tyre, që të gjitha fotot e Tokës së rrumbullakët janë të falsifikuara. E gjithë industria e linjave ajrore duhet të jetë deri diku bashkëpunëtore me këtë komplot, ashtu si shumica e shkencëtarëve për shekuj me radhë.

Dikur mendoja se komploti i këtyre njerëzve, ishte kulmi i komploteve absurde, por pastaj u shfaq Q-anon. Ithtarët e kësaj lëvizjeje konspirative, besojnë se bota drejtohet fshehurazi nga një grup pedofilësh adhurues të Satanait, dhe se Donald Trump ishte i vetmi që nisi t\u kundërvihej, dhe misioni kryesor i presidencës së tij ishte demaskimi i tyre.

Kjo sigurisht, që nuk ka ndodhur kurrë, por Q-anon vazhdon të këmbëngulë në këtë konspiracion, duke e tjerrë me tej narrativën. Ndërkohë 76 për qind e republikanëve në SHBA, sipas një sondazhi të fundit besojnë ende se zgjedhjet e vitit 2020 u vodhën. Por edhe ky një komplot i madh absurd, i hedhur poshtë nga prova të shumta. Mbi 60 padi gjyqësore, nuk arritën të zbulojnë asnjë provë të këtij manipulimi të pretenduar.

Dajrendal rendit tiparet e një teoricieni të konspiracionit. Ata priren të kenë më pak arsimim se të tjerët, jetojnë më shpesh në shoqëri me demokraci jo të suksesshme, gjë që ndikon në besimin tek të tjerët dhe tek autoritetet.

Gjithashtu ata bëjnë pjesë në grupe që mendojnë se duhet të kenë më shumë fuqi dhe ndikim, u përkasin organizatave të veçanta politike apo grupeve fetare, dhe përdorin pak më shpesh të tjerët përdorin intuitën ​​kur marrin vendime.

Shohin më shpesh lidhje midis gjërave sesa shumica e njerëzve, edhe kur ato nuk ekzistojnë, dhe ka më shumë të ngjarë të shohin qëllimin si shkakun e ngjarjeve. Ndërkaq, janë pak më narcisistë dhe paranojakë se të tjerët, ndërsa e marrin më shpesh informacionin e tyre nga mediat sociale

Arsimi është një faktor, por jo i madh. Çdokush, pavarësisht nga arsimi, mund të bëhet një teoricien konspiracioni. Mendoj se faktori më i madh është aftësia për të menduar në mënyrë kritike. Në përgjithësi edukimi mund të rrisë pak aftësitë tona të të menduarit kritik.

Ndoshta ne duhet ta reformojmë arsimin, për ta bërë mendimin kritik shumë më qendror dhe të rëndësishëm. Arsimi duhet të jetë një faktor i madh. Ai duhet t’i mësojë njerëzit mbi të gjitha, të mendojnë qartë, logjikisht dhe në mënyrë kritike.

Ne duhet të mësojmë se si të vlerësojmë pretendimet dhe informacionin, dhe si të vëmë në dyshim më shumë bindjet tona. Mediat sociale, e bëjnë edhe më akute këtë nevojë. Ka pasur gjithmonë teori të mëdha konspirative qesharake, por mediat sociale kanë qenë një lloj “benzine” për to. Na duhet sa më parë një vaksinë e mendimit kritik për këtë lloj virus mendor. / “Neurologica”