Një nga surprizat e listës së PS-së për zgjedhjet e 25 prillit ishte edhe lënia jashtë e ish-ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, ish-koordinator i socialistëve në qarkun e Lezhës. Por përse u la jashtë? Ish-gjenerali që hoqi dorë nga gradat për t’ju futur politikës tha se është punëtor i keq partie dhe se për të është tepër vonë që të dalë në terren derë më derë për të kërkuar vota.
“Politika është shumë më e gjerë se partitë. Unë jam futur në politikën shtetërore dhe kam qëndruar aty dhe e kam thënë unë kam hyrë këtu, jam bërë ministër, tani unë edhe kam hyrë në një moshë të caktuar dhe nuk e shoh veten të aftë për të bërë partiakun, jam një punëtor i keq partie.
Partitë në fushata rreshtojnë punëtorë partie që shkojnë derë më derë, unë nuk mund të shkoj derë më derë. Në Shqipëri për të marrë votën duhet të shkosh të trokasësh në derën e qytetarëve, në botë nuk është kështu dhe unë e konsideroj veten pak vonë për t’u futur si rishtar në skalionet e para partiake. Nuk jam i përfshirë në listë, jam mirëkuptues për këtë fakt. Pozicioni im në këto zgjedhje është i votuesit” tha ai te “Java”./ Abcnews.al