Pse proteston Berisha më 6 dhjetor? Lideri i PD-së: Mesazh për krerët e Europës…

schedule12:19 - 2 Dhjetor, 2022

schedule 12:19 - 2 Dhjetor, 2022

Sali Berisha e ka nisur konferencën për mediat me një thirrje për qytetarët dhe simpatizantët e PD-së që të dalin në protestë.

“Janë jetike, për të bërë presion qeverisë për të mos abuzuar me pushtetin e saj. Sot pyes qytetarët, cila është e keqja e protestës? Çfarë të keqeje ka? Kërkim llogarie, demonstrim, guxim për liri” tha Berisha.

I pari i PD-së theksoi se  e keqja vjen vetëm nga një qeveri që keqinformon dhe manipulon opinionin ndërkombëtar, dhe kur opozita nuk thotë zërin e saj.

“Zëri i qytetarëve në rrugë, vetëm kufizon të keqen. Më 6 dhjetor është samiti BE-Ballkani Perëndimor. Protestat në samite dhe në këto takime, janë gjëja më normal në vendet e lira.” tha Berisha.

Sipas Berishës, nuk ka asnjë të keq të protestohet kur ka Samite pasi sipas tij kjo gjë bëhet në të gjithë Europën.

“Protesta kanë kaluar dhe në mos bindje civile, kanë ndodhur në Athinë, Bruksel, në Amerikë. Askush nuk i kritikoi dhe askush nuk i akuzoi si armiq.” tha Berisha.

“Në BE i sulmojnë dhe me vezë dhe me miell.” shtoi Berisha.

Por pse Berisha proteston më 6 dhjetor?

“Shqipëria iu bëjmë me dije se është vendi më i korruptuar në Europë, por shqiptarët janë kundër krimit. Është i korruptuar Rama dhe njerëzit e tij” tha Berisha.

“Është një mesazh për krerët e Europës që ne nuk pajtohemi me regjimin e Edi Rama. Ne luftojmë për të drejta dhe për liri. Është një kundërsulm mbi dëmin e Edi Ramës ndaj imazhit të Shqipërisë.” tha Berisha.

Pjesë nga fjalimi i Berishës: 

Për çdo qytetar, pavarësisht nga bindjet e tij, protestat janë shprehje e lirisë dhe ushtrim i lirisë nga qytetari. Vetëm qytetarët e lirë që vendosin të mbrojnë lirinë dhe të drejtat e tyre, protestojnë, kurse njerëzit e nënshtruar thonë ç’më duhet mua, ulin kokën dhe heshtin.

Qytetarët kanë të drejtë të dëgjohen dhe protesta është një nga mënyrat më të fuqishme që ata të dëgjohen. Protesta është pra zëri i qytetarëve, është zëri juaj. Protestat kundër qeverisë janë jetike, janë domosdoshmëri për të ruajtur lirinë, për t’i bërë presion qeverisë për të mos abuzuar me pushtetin e saj. Por unë sot dua të shtroj pyetjen për çdo qytetar: cila është e keqja e protestës? Ç’e keqe do na ndodhë nga protesta?

Asnjë e keqe, asgjë e keqe. Vetëm të mira, vetëdijësim, presion, kërkim llogarie, demonstrim se guxojmë si njerëz të lirë. Të këqijat ndodhin kur njerëzit nuk reagojnë, kur mërmërsin se ç’më duhet mua dhe heshtin. Të këqijat ndodhin kur qeveritë manipulojnë opinionin ndërkombëtar për të ruajtur korrupsionin e tyre dhe keqqeverisjen e tyre.
Zëri i qytetarëve në rrugë vetëm e forcon demokracinë dhe lirinë, vetëm e kufizon të keqen dhe keqqeverisjen.

Më 6 dhjetor, në Tiranë zhvillohet samiti i vendeve anëtare të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor. Protestat në samite dhe takime ndërkombëtare, përveçse në vendet diktatoriale, janë gjëja më normale, janë pothuajse ligj. Kudo ku ka takime liderësh, ka protesta për kauzat. Qytetarët jo rrallë kanë kaluar në këto protesta edhe në mosbindje të thellë civile. Kjo ka ndodhur në Athinë, Xhenoa, Paris, Dublina, Uashington etj.

Pak javë më parë, amerikanët protestuan në Nju Jork gjatë samitit të OKB. Në Bruksel u zhvilluan protesta pak muaj më parë kur mbahej samiti me Afrikën i BE. Askush nuk i pengoi, askush nuk i ofendoi si agjentë të Kremlinit siç bën Edi Rama, Belinda Balluku dhe Taulant Balla. Amerikanët protestojnë kur ka samite, francezët protestojnë kur ka samite, europiano-perëndimorët i qëllojnë me vezë dhe bojë kur ka samite. Por kjo nuk ndodh kurrë në Korenë e Veriut, në Kubë, Egjipt, Arabi Saudite apo gjetkë. Atje protestat janë të paligjshme dhe qytetarët nuk protestojnë dot. Në Moskë nuk lejohen protestat.

/abcnews.al/