Pse po zbehen shpresat për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor

schedule11:35 - 23 Qershor, 2022

schedule 11:35 - 23 Qershor, 2022

Nga Margit Wunsch Gaarmann “London School of Economics”

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Pushtimi rus i Ukrainës, ka ndezur debatin nëse duhet t’u jepet edhe vendeve të tjera statusi i kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Vetë Ukraina duket se do ta marrë këtë status, teksa aplikimet e saj por edhe të Moldavisë dhe Gjeorgjisë, do të shqyrtohen në samitin e Këshillit Evropian që mbahet të enjten dhe të premten në Bruksel.

Por ky interes i ripërtërirë për zgjerimin e unionit, ka nënvizuar edhe dështimin e BE-së për të gjetur një zgjidhje për statusin e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, perspektivat e të cilave për t’u integruar janë zbehur ndjeshëm. Në vende si Gjermania , vetëdija për këtë ngërç ka nxitur premtimet për një fokus më të madh mbi Ballkanin Perëndimor në të ardhmen.

Kjo është nënvizuar nga një sërë vizitash politike të profilit të lartë në rajon. Kancelari Olaf Scholz e vizitoi Evropën Juglindore, përpara se të shkonte në Ukrainën e shkatërruar nga lufta. Politikanë të tjerë evropianë, si Ministri i Jashtëm austriak Alexander Schallenberg, kanë shprehur frikën nga destabilizimi i rajonit nga Rusia, në rast se 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk afrohen akoma më shumë me BE-në.

Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron ka theksuar se ndërsa parashikon krijimin e një Komuniteti Politik Evropian për vende si Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia, nuk duhet të ndryshojë qasja ndaj anëtarësimit që është përcaktuar tashmë për vendet e Ballkanit Perëndimor, raporton abcnews.al

Por eksperti Matteo Bonomi, thotë se procesi i zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor ka të gjitha shenjat e të qenit “klinikisht i vdekur”, dhe se ai po “mbahet artificialisht gjallë përmes samiteve të vendeve të rajonit me BE-në”. Për rigjallërimin e procesin e zgjerimit, janë paraqitur një sërë idesh të reja.

Deri tani më shumë vëmendje ka pasur modeli i “anëtarësimit të shkallëzuar”, që në thelb do t’u ofrojë 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor qasje më të hershme në financat e BE-së, edhe para hyrjes zyrtare në union, dhe kjo në këmbim të kryerjes së reformave konkrete.

Përkrahësit e këtij modeli, theksojnë se mbështetja financiare në rritje, mund t’i japë mundësi BE-së të shkëputet nga statuskuoja aktuale, duke rifituar një pjesë të besueshmërisë së saj në rajon. Kundërshtarët e saj, thonë se mund të bëhet më shumë edhe brenda kornizës ekzistuese, e cila nuk është ezauruar ende.

Gjithashtu, ata theksojnë se ndryshimet më të thella në procesin e pranimit, do të kërkojnë  ndryshime të traktateve ekzistuese, të cilat duhet të ratifikohen për disa vite nga 27 parlamente kombëtare. Vetë rajoni ka iniciuar një qasje të re, nismën “Ballkani i Hapur”, që synon të krijojë një treg të përbashkët rajonal – një “mini-Shengen” – për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, edhe pse synon të zgjerohet me gjitha vendet e rajonit.

I konsideruar si një produkt i zhgënjimit të rajonit me BE-në, nisma është vlerësuar si një lëvizje pro-aktive. Por skeptikët druhen se ajo mund të sfidojë qëllimet e ngjashme që ka pasur Procesi i Berlinit , të cilin është zotuar ta ringjallë kancelari gjerman Scholz.

Mbetet të shihet nëse nisma e re do të mjaftojë për t’i përgatitur anëtarët e saj për tregun e përbashkët të BE-së, dhe për të rritur ndjeshëm standardet e jetesës në rajon. Por një studim i  mëparshëm në disa nga shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore që i janë bashkuar BE-së që nga viti 2004, ka treguar se “vendet dhe industritë, që kishin një integrim më të madh rajonal në vitin 2000, u integruan më shpejt pas anëtarësimit në BE”.

Kjo jep arsye të besohet se iniciativa mund të jetë e vlefshme. Ndërsa po hidhen disa hapa të vegjël në drejtimin e duhur, shumë analistë presin që samiti i BE-së të dështojë të arrijë ndonjë përparim të madh, si për shembull për hartimin e një udhërrëfyesi drejt anëtarësimit në union me etapa konkrete.

Në fakt, besueshmëria e BE-së ka rënë në një nivel kaq të ulët historik, saqë asgjë më pak sesa njoftimi i nisjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, s’ka të ngjarë të mjaftojë për ta ndryshuar këtë narrativë. Të dyja këto shtete kanë marrë dritën jeshile për të filluar negociatat nga Komisioni Evropian, por aspiratat e tyre për anëtarësim janë bllokuar prej disa vitesh nga vetot e disa vendeve anëtare, raporton abcnews.al.

Realiteti është se ka një mungesë të vullnetit politik, që t’u ofrohet anëtarësimi i plotë në BE 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor. Do të jetë e vështirë t’i vihet fre tendencës së shteteve anëtare për ta keqpërdorur të drejtën e vetos, me qëllim çuarjen përpara të axhendave të tyre të brendshme.

Situata mund të bëhet edhe më komplekse nëse për shembull Serbia, do të bëhej një vend anëtar përpara Kosovës. Për më tepër, thirrjet për të dhënë më shumë fonde për 6 shtetet e rajonit, si pjesë e një “anëtarësimi me faza” janë kundërshtuar nga ata që flasin për ekzistencën e shumë sfidave të tjera që duhet të përballojë BE-ja në të ardhmen e afërt, siç është mbështetja për Ukrainën, rimëkëmbja e unionit pas pandemisë, dhe tranzicioni drejt një ekonomie më miqësore me klimën.

Ngërçi ka edhe pasoja të rëndësishme ekonomike. Bashkëpunimi politiko-ekonomik i BE-së me Ballkanin Perëndimor, ka krijuar prej disa kohësh divergjencë dhe jo konvergjencë. Në vend se të përmirësojë jetën e njerëzve në rajon, duke rritur të ardhurat e tyre dhe duke forcuar demokracinë, statuskuoja po vepron gjithnjë e më shumë si një nxitje për emigrimin e tyre.

Siç e tregoi edhe një studim i kohëve të fundit “mënyra më efektive për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal… është miratimi i politikave që synojnë rritjen e të ardhurave”. Duke rritur të ardhurat në 6 vende shtetet përmes transfertave më të larta buxhetore, rajoni do të përjetonte një rritje të kërkesës për mallra dhe shërbime lokale.

Por realiteti është tërësisht ndryshe. Sa i përket fuqisë blerëse, paratë e akorduara në ciklin buxhetor 2021-2027 në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA III), janë 1 për qind më pak nga cikli i mëparshëm IPA II. Ndërsa standardet e jetesës nuk po përmirësohen, dhe premtimi për integrim në BE bëhet gjithnjë e më i largët, njerëzit po zgjedhin të largohen nga rajoni.

Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, gjatë viteve 1990-2019, 25 për qind e popullsisë së 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor zgjodhi të largohet nga vend. Dhe siç ndodh shpesh, ata që largohen janë të rinj me arsim të lartë, me mendësi liberale, dhe që mund të jenë një forcë shtytëse për afrimin e vendeve të tyre me një të ardhme evropiane.

Fakti që rajoni po ndjek iniciativat e veta për të shkuar drejt një bashkëpunimit ekonomik rajonal është inkurajues. Ndoshta kjo do të përkthehet në një vullnet më të madh të elitave politike lokale për pajtim, duke çuar në një normalizim të raporteve Kosovë-Serbi, dhe krijimin e strukturave më unitare në Bosnje Hercegovinë.

Nëse këto zhvillime do të gjenerojnë përmirësim të situatës ekonomike, në rajon mund të ketë më shumë vullnet politik për të zbatuar reformat në lidhje me sundimin e ligjit, korrupsionin dhe konvergjencën e politikës së jashtme, të cilat janë thelbësore për procesin e anëtarësimit në BE.

Në këtë mënyrë, ato do të shihnin hapa të mëdhenj drejt bërjes së shteteve të tyre më të begata, më demokratike dhe më të qëndrueshme. Nga kjo gjë do të përfitonte jo vetëm popullata e tyre, por do të bënte që edhe anëtarët e BE-së që janë më të lodhur nga zgjerimi i unionit, të mbanin më në fund premtimet e tyre.

Shënim: Margit Wunsch Gaarmann, studiuese në Institutin Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (SWP).

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!