Pse po lindin kaq pak foshnja në Europën Jugore?

schedule18:11 - 11 Mars, 2023

schedule 18:11 - 11 Mars, 2023

Shkaku kryesor është ekonomia, shkruan The Economist

Museo degli innocenti në Firence ka një emër të pazakontë dhe organizon një shfaqje të pazakontë: një koleksion objektesh të vogla të thyera, shumica medaljone. Secili prej tyre është ndarë në dysh kur një bebe është dërguar në Spitalin e Firences për foshnjat.

Gjysma e objektit, i njohur si një “segnale di riconoscimento”, ruhej në spital, që në të vërtetë shërbente si një jetimore, ndërsa gjysma tjetër i jepej nënës. Nëse ajo do të dëshironte ta rimerrte fëmijën, do të kishte provën se ishte i saji. Shumë nga fëmijët lindnin jashtë martese. Por të tjerë vinin nga familje që thjesht nuk kishin mundësi të ushqenin një gojë tjetër.

Këto “segnali” janë kujtime të një kohe kur Italia kishte tepricë lindjesh. Sot, ashtu si në shumë vende të tjera europiane, situata është krejt e kundërt. Shkalla e lindshmërisë në vend (pra, numri mesatar i foshnjave që lind një grua italiane), ka rënë nga 2,66 në vitin 1964, në 1,24 në vitin 2020.

Në rajonin e Sardenjës, kjo shifër është nën 1. Kështu, Italia është pjesë e një grupi vendesh në Europën Jugore me nivele shumë të ulëta lindshmërie, nga Portugalia dhe Spanja (1.40 dhe 1.19) në Perëndim, deri në Greqi dhe Qipro (1.39 dhe 1.36) në lindje.

Duke qenë se për t’i mbajtur shifrat e qëndrueshme, nevojiten 2.1 fëmijë për grua, këto vende, ose duhet të kenë më tepër foshnja, ose duhet të pranojnë më shumë emigrantë, ose të shohin rrallimin e popullsisë së tyre.

Vetëm opsioni i parë është i pëlqyeshëm për populistët e krahut të djathtë në Europë. Ata kërkojnë vazhdimisht të gjejnë mënyra për t’i bindur gratë vendase që të kenë familje më të mëdha. Një nga partitë që e ka vënë më tepër theksin mbi shkallën e lindjeve, është partia e djathtë Vëllezërit e Italisë, udhëheqësja e së cilës, Giorgia Meloni, është kryeministrja e re e vendit.

Një nga arsyet kryesore pse partia dëshiron t’i nxisë italianët që të lindin sa më shumë fëmijë është kundërshtimi i saj ndaj emigracionit të paautorizuar. “Mbështetja për lindshmërinë dhe familjen” ishte në krye të listës me 15 objektiva në manifestin elektoral të partisë.

Por, e kufizuar nga borxhi i madh publik i Italisë, që arrin në rreth 147% të PBB-së, qeveria e zonjës Meloni deri tani nuk ka pasur shumë mundësi për të realizuar synimet e saj. Sidoqoftë, buxheti për vitin e ardhshëm përfshin disa ndryshime që, sipas ministrit të Financave, Giancarlo Giorgetti, janë vetëm fillimi.

Ato përfshijnë rritjen e ndihmave familjare për fëmijën e parë dhe për familjet me më shumë se tre fëmijë, një zgjatje modeste të lejes së lindjes, uljen e TVSH-së për produktet e kujdesit për fëmijët dhe ndryshimet në moshën e pensionit, në mënyrë që sa më shumë fëmijë të ketë një grua, aq më herët të mund të dalë në pension.

Faktet e reja të jetës

Sipas botëkuptimit të së djathtës, feminizmi ka krijuar breza grash që parapëlqejnë të punojnë dhe të argëtohen në vend që të rrisin fëmijë. Por ky pretendim shpërfill dy fakte thelbësore. I pari është se shtetet më feministe, ato në Europën Veriore, tani kanë disa nga normat e lindjeve më të larta në kontinent. Dhe fakti i dytë është se gratë shpesh nuk janë kundër idesë që të kenë fëmijë; ato po lindin më pak se sa duan, kryesisht për shkaqe ekonomike.

Në nivel global, një rregull i përhapur ka lidhur prej kohësh pasurinë kombëtare me nivelet e lindjeve: ndërsa shtetet bëhen më të pasura, normat e lindjeve bien.

Por një grup studiuesish në Qendrën për Kërkimin e Politikave Ekonomike, argumentojnë se midis kombeve më të pasura, tani ndodh e kundërta. Sipas tyre, në OECD, një klub i përbërë kryesisht nga shtete të pasura, tani ka një korrelacion pozitiv midis PBB-së për frymë dhe lindshmërisë.

Shpjegimi më i mundshëm për këtë është kompleks. Ndërsa gratë hyjnë në fuqinë punëtore, ato rrisin prodhimin ekonomik me punën dhe talentin e tyre. Ato gjithashtu mund të votojnë për qeveritë që shpenzojnë më tepër para për ta bërë më të lehtë të jesh njëkohësisht prind dhe punonjës.

Shpenzimet për mbështetjen e familjes gjithashtu lidhen pozitivisht me lindshmërinë. Një politikë e tillë është leja bujare e lindjes. Provat që mbështesin shpenzimet për kujdesin ndaj fëmijëve janë edhe më të forta. Nëse gratë nuk mund të punojnë lehtësisht në vitet e para të jetës së një fëmije, shkëmbimi punë-familje mbetet i ngurtë.

Në Maltë, një shtet që dikur quhej “më katolik se vetë papa”, dhe që tani ka shkallën më të ulët të lindshmërisë në Europë, vetëm 1.13, gratë kanë mbi 30 herë më shumë gjasa se burrat që të braktisin punën për t’u kujdesur për familjet.

Tensioni midis parave, karrierës dhe familjes, është mjaft i hidhur dhe negativ. Marie Briguglio, ish-nëpunëse e lartë civile, zgjodhi të shtyjë lindjen e fëmijës së vetëm deri në moshën 38-vjeçare. Ajo thotë se nuk kishte zgjidhje tjetër: po të kishte pasur fëmijë më parë, ngritja e saj në detyrë do të ishte rrezikuar.

“Kam luajtur lotarinë çdo javë, pasi lindi djali im i dytë”, thotë Ines, një pronare e një biznesi të vogël në Madrid. Pasi nuk arriti të fitonte, ajo vendosi të mos lindte fëmijën e tretë që do të kishte dashur. Hendeku në Spanjë midis numrit të fëmijëve të lindur (1,19 për grua) dhe numrit të dëshiruar (rreth dy), është një nga më të lartit në Europë.

Alicia Adserà, ekonomiste në Universitetin Princeton, kërkon shpjegime më të thella (si kujdesi për fëmijët, leja e punës, ulja e taksave, ose roli i burrave në punët e shtëpisë), që lidhen drejtpërdrejt me familjen. Ajo thotë se kushtet më të gjera – veçanërisht tregu i punës – luajnë gjithashtu rol kritik.

Gratë spanjolle hynë në arsim dhe në punë pas diktaturës “katolike kombëtare” të Francisco Franko-s, i cili vdiq në vitin 1975. Vendi ndërtoi një sërë qendrash për kujdesin e fëmijëve dhe sot i subvencionon ato me një kupon çdo muaj.

Leja e lindjes në Spanjë, është relativisht e shkurtër (16 javë) sipas standardeve europiane, por burrat marrin të njëjtën leje si gratë, me të njëjtën kohëzgjatje. Gjyshërit ofrojnë një ndihmë të madhe me fëmijët, dhe për familjet më të pasura, emigracioni (veçanërisht nga Amerika Latine), ofron një burim të vlefshëm dadosh që mund të kujdesen për fëmijët.

Pavarësisht gjithë kësaj, Spanja ka mangësi në një fushë kyçe: mundësitë për të rinjtë. Shkalla e papunësisë së të rinjve është ndër më të lartat në vendet e pasura, rreth 35%. Një studim i viteve 2008-16, zbuloi se të rinjtë spanjollë punonin për gati tetë vjet me kontrata të përkohshme, përpara se të nisnin punën me një të përhershme. Kjo vonon martesën dhe lindjen e fëmijëve; pothuajse gjysma e 25-34 vjeçarëve, tani jetojnë me prindërit.

Kur spanjollët më në fund çiftohen, ata i kanë përjetuar tashmë liritë e moshës madhore pa fëmijë, për një dekadë. Rreth një e pesta e grave vazhdojnë të mos kenë fare fëmijë, duke nxitur rënien e përgjithshme të lindshmërisë.

Mosha mesatare e grave në lindjen e parë, është 31 vjeç, një nga më të lartat në Europë, së bashku me Italinë dhe Maltën. Shumë nuk kanë më tepër se një fëmijë. Familjet me një fëmijë janë aq të zakonshme, sa që gazeta konservatore El Mundo, parashikoi në të ardhmen një vend “pa vëllezër dhe motra”.

Lindja e fëmijëve në një moshë më të madhe, mund të jetë një faktor kryesor në uljen e pjellorisë së përgjithshme. Sidoqoftë, një studim nga Poh Lin Tan në Universitetin e Singaporit, vë në dukje se një sërë stimujsh ekonomikë të ofruar në Singapor për prindërit, nuk kanë arritur të ndalojnë rënien e vazhdueshme të lindshmërisë. Ajo thotë se ulja e moshës së lindjes së fëmijëve është “fryti më i ulët” i politikëbërjes.

Por kjo kërkon mundësi ekonomike, thotë dr. Adserà. Për shembull, mund të nxitet rritja e vendeve të qëndrueshme të punës në sektorin publik, si në vendet nordike, thotë ajo. (Gratë në përgjithësi janë të mbipërfaqësuara në sektorin publik.)

Ose mund të krijohen tregje pune më dinamike, ku një punë e humbur ka më tepër shanse të zëvendësohet nga një po aq e mirë, apo edhe më e mirë, si në Amerikë, Britani ose Australi, vende që kanë një nivel më të lartë lindshmërie se Europa Jugore.

Rregulloni, mos jepni ‘ryshfet’

Por ajo që duket e qartë, është se “ryshfetet” e thjeshta për foshnjat, qofshin ato si shpërblime, dhurata mujore apo kredi tatimore, nuk mjaftojnë. Në përgjithësi, thotë Frank Furedi nga MCC, një institut kërkimi i financuar nga qeveria hungareze, “politikat pro lindjeve thjesht nuk funksionojnë”.

Provat nga Polonia duken të ngjashme; qeveria e atjeshme ka ofruar një ndihmë bujare mujore për fëmijët që nga viti 2016, por kjo nuk ka nxitur rritjen e numrit të foshnjave të lindura. Gjëja më e mirë që mund të kryejnë shtetet, është ta bëjnë më pak të vështirë kombinimin e punës dhe familjes.

Ndërsa qeveria e Georgia Meloni-t po përgatitet për ndërmarrjen e masave të reja për Italinë, tundimi politik do të jetë shpallja e politikave “pro-familjes”. Por ajo që duan vërtet çiftet e reja, janë mundësitë për punësim, mbështetje dhe zgjedhje. Nëse të gjitha janë të disponueshme, më shumë prej tyre do të zgjidhnin të kishin fëmijë./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!