Pse po dështon demokracia në botën arabe?

schedule10:17 - 24 Nëntor, 2021

schedule 10:17 - 24 Nëntor, 2021

Nga Alamin Shtiwi Abolmagir “National Interest

Pavarësisht përpjekjeve të të ashtuquajturave “Fuqi të Mëdha”, organizatave ndërkombëtare dhe OJQ-ve, peizazhi politik i botës arabe mbetet i dominuar nga tipe regjimesh jodemokratike dhe udhëheqës politikë autoritarë.

Sigurisht, ekzistojnë edhe dallime të rëndësishme, por mbetet i vërtetë një argument  themelor:format e qeverisjes që mbizotërojnë në botën arabe janë sundimtarët islamikë, diktatorët ushtarakë dhe monarkitë.

Forcat pro-demokracisë janë mënjanuar dhe nënshtruar. Situata është përkeqësuar javët e fundit nga grushti i shtetit në Sudan. Midis rrëzimit të Omar Al-Bashir në vitin 2019, dhe fundit të tetorit, ushtria sudaneze e kishte ndarë pushtetin me një koalicion civil si pjesë e një këshilli që mbikëqyrte qeverinë tranzitore.

Por më 25 tetor, ushtria e shpërndau me forcë qeverinë dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Kryeministri Abdalla Hamdok u vendos në arrest shtëpie, dhe u arrestuan disa ministra dhe liderë të opozitës. Gjenerali Abdel Fattah Burhan, kryetari i “Këshillit Sovran” të Sudanit, që supozohej të jepte dorëheqjen vitin e ardhshëm, ka emëruar një këshill të ri qeverisës, çuditërisht nën udhëheqjen e tij.

Koalicioni Forcat e Lirisë dhe Ndryshimit, që deri atëherë ndanin  pushtetin me ushtrinë, u lanë jashtë këtij organi. Fuqitë perëndimore kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me situatën, duke i kërkuar shërbimeve të sigurisë që të respektojnë të drejtën e fjalës së lirë.

Por ata që dolën për të protestuar në rrugë kundër makinacioneve të ushtrisë janë shtypur brutalisht. Më 13 nëntor, të paktën 5 njerëz u vranë ndërsa turmat në kryeqytetin Khartoum, u përballën me të shtënat me armë zjarri dhe gaz lotsjellës të përdorur nga autoritetet.

Arsyet pse dominojnë regjime të tilla të urryera janë të shumëfishta, duke filluar nga shpjegimet që e vënë theksin tek rezervat e naftës, dhe deri tek një kulturë e lindur politike që favorizon udhëheqësit e fortë, dhe pasjen si prioritet të stabilitetit mbi demokracinë.

E sigurt është se politika e jashtme perëndimore, ka dështuar në ndryshimin e kësaj gjendjeje,duke kontribuar qartazi në përkeqësimin e situatës në të gjithë rajonin. Me fokusin e saj në zgjidhjet e njëanshme për të gjithë, politika e jashtme perëndimore ka neglizhuar dukshëm që të bëjë dallimet e rëndësishme midis shteteve.

Një model liberal demokratik,nuk mund të transplantohet thjesht nga brigjet e Evropës apo Amerikës së Veriut në botën arabe. Përpjekje të tilla kanë kontribuar në rastet kur identiteti kombëtar dhe kombësia janë shkatërruar, me shpresën e kotë të imponimit të dëshirave të huaja mbi shoqëritë që nuk janë të përshtatshme për të.

Mbështetja e fuqishme dhe e pa kompromis mbi demokracinë në këtë rajon, është dëshmuar se është jo vetëm jorealiste, por edhe e rrezikshme. Siç vuri në dukje gazetari libanez Hussein Abdul Hussein, në një artikull pas grushtit të shtetit të fundit në Sudan “ndryshimi në vendet arabe ka ndodhur në forma të ndryshme… por rezultati në të gjitha këto vende, ka qenë i njëjtë:luftë civile ose rivendosje e autokracisë”.

Nëse ka diçka që është e qartë kur bëhet fjalë për demokracinë, madje edhe tek vendet që tani konsiderohen si demokraci të konsoliduara, është fakti që ajo nuk është një fenomen që ndodh brenda natës. Ky është një proces i mundimshëm, i shoqëruar me rreziqe dhe pengesa serioze që duhen kapërcyer.

Forcat demokratike në botën arabe, aty ku ekzistojnë, nuk janë aspak opozita në pritje. Regjimet autokratike në rajon nuk mund të zëvendësohen brenda natës nga liderët e forcave opozitare. Vendet e këtij rajoni nuk janë të përgatitura për transferime paqësore të pushtetit.

Kjo pasi nuk janë krijuar mjaftueshëm, ose nuk ekzistojnë fare institucionet e nevojshme politike për të lehtësuar procese të tilla.

Edhe aty ku janë shfaqur lëvizjet dhe forcat në favor të demokracisë, ato shpesh kanë bërë hapa të shpejtë por jetëshkurtra. Për ta vërtetuar këtë, s’ka nevojë të shkojmë më larg se sa Pranvera Arabe. Ajo që nisi si një protestë kundër policisë në Tunizi në dhjetor 2010,dominoi në të gjithë rajonin.

Qeveria tuniziane u rrëzua; po ashtu edhe qeveritë në Egjipt dhe Jemen. Konfliktet që shpërthyen në Siri dhe Libi, vazhdojnë të kenë pasoja të rëndësishme deri në ditët e sotme.

Por me gjithë optimizmin dhe mbështetjen globale, efektet afatgjata kanë rezultuar zhgënjyese.

Edhe pse protestat u krahasuan me ato në Evropën Qendrore dhe Lindore në vitin 1989, ndryshimet afatgjata në këto të fundit,ishin shumë më të mëdha sesa ato në botënarabe. Ashtu si nata  pason ditën, Dimri Islamik pasoi Pranverën Arabe.

Në Tunizi, pasi u përmbys regjimi ushtarak i Ben Ali, një periudhë e stabilitetit relativ ia la vendin trazirave që kulmuan me krizën politike të korrikut të këtij viti, në të cilën presidenti Kais Saied shkarkoi qeverinë dhe ngriu parlamentin.

Pasi regjimi i Assad në Siri ofroi disa lëshime të vogla për protestuesit, përfshirë lirimin e disa të burgosurve politikë, ai u kundërpërgjigj me një sulm të tmerrshëm ndaj popullit të tij që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Shembuj të mëtejshëm janë të shumtë. Që të gjithë këto e bëjnë të qartë se ndryshimet e regjimeve me rrënjë të forta, nuk mund të ndodhin brenda natës.

Forcat dhe grupimet që lulëzojnë në kushtet e errëta të autokracisë nuk do të heqin dorë nga e drejta e tyre për të përfituar. Politika është e pamundur të ndahet nga mjedisi në të cilin ajo vepron. Njeriu duhet të pranojë dhe të përshtatet me realitetet në terren. Mendimi utopik i kaq shumë politikë-bërësve perëndimorë, ka kontribuar në situatën e pafavorshme që shohim sot.

Shembulli më i qartë në këtë aspekt është Libia, një vend i shkatërruar gradualisht që nga përmbysja e Muammar Gaddafi në tetor 2011. Për shkak të ndërhyrjes së tij atëherë, Perëndimi e ka për detyrë të kontribuojë në mënyrë konstruktive në përparimin e Libisë.

Rasti i Libisë ilustron kotësinë e shpërfilljes së kushteve dhe dëshirave lokale, në kurriz të ndjekjes me çdo kusht të përparimit demokratik.

Politikë-bërësit dhe ata që kanë interes në përparimin dhe pajtimin e Libisë, duhet të shohin të kaluarën e Libisë, për t’u orientuar mbi rrugën më të mirë për të ardhmen e saj. Nga viti 1951 dhe deri në rrëzimin e tij nga Gaddafi në vitin 1969, Mbreti Idris e sundoi Libinë sipas një kushtetute që parashikonte një monarki të trashëguar, bashku me një qeveri përfaqësuese teknokrate. Sot shumë libianë mbështesin rikthimin e asaj kushtetute./Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

*Marrë me shkurtime
**Shënim:Alamin Shtiwi Abolmagir, zëvendësdrejtor i Organizatës Libiane për Kthimin e Legjitimitetit Kushtetues.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!