Pse plakja e popullsisë, nuk do ta frenojë rritjen ekonomike të Kinës

schedule12:21 - 4 Maj, 2021

schedule 12:21 - 4 Maj, 2021

Nga Gideon Rachman, Financial Times

“Kina do të plaket para se të bëhet e pasur”, është një nga ato gjërat që duan të thonë njerëzit nëpër konferenca, dhe kjo fjali pasohet zakonisht nga një pauzë dramatike. Thelbi i debatit është se ngritja ekonomike e Kinës përgjatë rrugëtimit të saj për dominimin global, do të ndeshë shumë shpejt një pengesë të madhe:demografinë.

Shkalla e ulët e lindshmërisë në Kinë, do të thotë se popullsia e saj do të tkurret dhe plaket gjatë dekadave të ardhshme. Javën e kaluar FT raportoi se popullsia e Kinës ka filluar tashmë që të bjerë, pra disa vjet më herët sesa kishte parashikuar OKB-ja.

Një popullsi e madhe, në zgjerim e sipër dhe re në moshë, e ka udhëhequr rritjen ekonomike të kombeve për pjesën më të madhe të historisë njerëzore. Fuqive të mëdha u duheshin trupa të freskëta për t’i vendosur në një fushëbeteje, por edhe taksimi i qytetarëve të tjerë. Pushtimet e Napoleonit u paraprinë nga një bum i rritjes së popullsisë në Francë gjatë shekullit XVIII. Në shekullin XX-të, popullsia e Francës kishte rënë dhe renditej pas asaj të Gjermanisë dhe Britanisë; dhe ai element ishte një burim ankthi i justifikuar për elitën franceze.

Por një tkurrje dhe plakje e popullsisë, mund të mos ketë të njëjtat pasoja të frikshme në shekullin XXI. Betejat e mëdha për të ardhmen, nuk kanë gjasa qëtë vendosen nga betejat e mëdha tokësore. Në luftën e fundit midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, dronët pa pilot luajtën rolin kritik në fushën e betejës.

Rishikimi i fundit i strategjisë së mbrojtjes, solli reduktimin e trupave të ushtrisë britanike, teksa u investua dhe po investohet më shumë në teknologji. Nëse aftësia teknologjike, dhe jo një turmë e madhe e të rinjve, është çelësi për fuqinë e ardhshme, atëherë Kina gjendet në një pozicion të mirë.

Ky vendi zotëron aftësi maksimale në fusha të tilla si robotika dhe inteligjenca artificiale. Me një popullsi prej 1.4 miliardë njerëzish-që ka të ngjarë të bjerë në mënyrë të ngadaltë deri në mesin e këtij shekulli – Kina nuk do të ketë mungesë të fuqisë punëtore.

Sfida më e vështirë për Pekinin do të jetë më shumë struktura sesa madhësia e popullsisë. Deri në vitin 2040, rreth 30 për qind e kinezëve do të jenë mbi 60 vjeç. Më shumë njerëz të moshuar, do të duhet të mbështeten nga një popullsi më e vogël në moshë pune, duke e ngadalësuar kësisoj rritjen ekonomike.

Kina mund të mos arrijë kurrë nivelet e pasurisë për frymë të SHBA-së. Por edhe nëse një kinez mesatar do të jetë vetëm sa gjysma i pasur aq sa mesatarja e një amerikani, ekonomia kineze do të tejkalonte me lehtësi atë të Amerikës në madhësinë e përgjithshme.

Kina do ta humbasë së shpejti titullin e saj si kombi më i populluar në botë. Popullsitë e Indisë dhe Kinës janë afërsisht të barabarta. Por deri në fund të këtij shekullit, parashikimet e OKB sugjerojnë se popullsia e Indisë do të jetë 1.5 miliardë, krahasuar me 1 miliardë njerëz në Kinë. Madje, disa studime të tjera thonë se në vitin 2100 popullsia e Kinës do të jetë nën 800 milionë.

Por ekonomia indiane është vetëm sa një e pesta nga madhësisë që ka ajo e Kinës. Pra, hendeku i pasurisë dhe fuqisë midis dy vendeve nuk do të mbyllet aq shpejt. Rënia e popullsisë së Kinës u përshpejtua nga politika e saj e pasjes së vetëm një fëmije për familje, e braktisur zyrtarisht në vitin 2015.

Por tendencat demografike kineze janë mjaft tipike për Azinë Lindore në tërësi. Popullsia japoneze arriti kulmin në 128.5 milionë në vitin 2010 dhe tani po bie. OKB thotë se deri në fund të këtij shekulli, Japonia do të ketë vetëm 75 milion banorë.

Tendencat në Korenë e Jugut janë të ngjashme. Ndërkohë, tkurrja dhe plakja e popullsisë po ndodh gjithashtu në disa pjesë të Evropës. Popullsia e Italisë ka filluar tashmë të bjerë. Edhe në SHBA rritja po ngadalësohet. Regjistrimi i fundit, tregon se popullsia e Amerikës është tani 331.5 milion, por në rritje me ritmin e saj më të ngadaltë që prej vitit 1930.

Demografët spekulojnë se Amerika ashtu si edhe Evropa dhe Azia Lindore, mund të përballen së shpejti me problemet e një popullsie të plakur. Në përgjithësi, popullsia e botës pritet të vazhdojë të rritet nga 7.8 miliardë sot, në afërsisht 11 miliardë deri në vitin 2100 – me pjesën më të madhe të rritjes në Afrikë dhe Azinë Jugore.

Popullsia e Afrikës do të dyfishohet nga tani deri në vitin 2050. Nga pesha e madhe e numrave, vende të tilla si Nigeria dhe Pakistani, do të fitojnë një ndikim global. Por ndërkaq ato ka të ngjarë të mbeten relativisht të varfra dhe politikisht të paqëndrueshme, me ndryshimin e klimës që i përkeqëson perspektivat për pjesën më të madhe të Afrikës nën-Sahariane.

Disa nga rritjet më të shpejta të popullsisë po ndodhin në shtete tashmë të dështuara, si Republika Demokratike e Kongos dhe Nigeria. Demografia do të vazhdojë që të formësojë politikën botërore, siç ka bërë gjithmonë. Por lidhja historike midis një popullsie në rritje, dhe rritjes së fuqisë kombëtare, po i lë vendin diçkaje më komplekse.

Ndarja më e rëndësishme sot mund të jetë midis vendeve të pasura dhe atyre me të ardhura të mesme – ku popullsia është statike ose në rënie – dhe vendeve më të varfra ku popullsia po rritet me shpejtësi. Nëse lihet e pakontrolluar, tendenca korrigjuese natyrore do të ishte migrimi masiv nga Hemisfera Jugore në Evropë, Amerikën e Veriut dhe Azinë Lindore.

Por aziatiko-lindorët janë aktualisht shumë më pak të hapur ndaj emigracionit se sa Perëndimi. Edhe pse popullsia e Japonisë, mund të jetë thuajse sa gjysma e asaj aktuale deri në vitin 2100, Japonezët po i përmbahen homogjenitetit shoqëror duke preferuar gjithnjë e më shumë emigrimin masiv. Kina që ka një pikëpamje shumë të bazuar tek etnia mbi shtetësinë, do të bëjë me siguri zgjedhje të ngjashme.

Në të kundërt -pavarësisht zënkave aktuale politike mbi emigracionin në SHBA dhe BE – Perëndimi ka të ngjarë të mbetet relativisht i hapur për emigrantët. Për pasojë, shoqëritë perëndimore do të fitojnë dinamizëm ekonomik.

Por ata mund ta humbin ndërkohë stabilitetin politik – pasi reagimi kundër emigracionit ka ndihmuar në ngjitjen në pushtet të politikanëve të tillë si Donald Trump. Çështja e madhe e gjeopolitikës nuk do të jetë kush ka popullsinë më të madhe, por nëse Kina apo Perëndimi kanë bërë thirrjen e duhur për emigrimin masiv. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!