Nga Pepijn Bergsen “Chattam House”
Shëndeti publik dhe reagimi ekonomik ndaj valës së parë të pandemisë, duket se u dha një justifikim teknokratëve centristë kundër pretendimeve të populistëve anti-establishment të Evropës, dhe kjo u mbështet edhe nga sondazhet në gjysmën e parë të vitit 2020.
Gjatë valës së parë, sfidat populiste u zbehën ndjeshëm, pasi dukej se kishte pak lidhje midis vlerësimeve të krerëve të qeverive, dhe performancës relativisht të mirë të vendeve tek pasojat e shëndetit publik apo parametrat e ekonomisë.
Partitë kryesore radikale të djathta populiste si Alternativa për Gjermaninë, Demokratët e Suedisë dhe Lega në Itali, përjetuan rënie të mbështetjes së tyre në sondazhe. Një nga sondazhet tregoi një rënie të qëndrimeve populiste në një numër vendesh evropiane, me
sa duket për shkak të një rritjeje të besimit të popullatës tek ekspertët, shkencëtarët dhe politikanët.
Edhe në një Francë të goditur keq nga pandemia, presidenti Emmanuel Macron pati një rritje të lehtë të popullaritetit të tij, ndërsa sfidantja e tij kryesore, populistja Marine Le Pen e Tubimit Kombëtar, nuk arriti të rritej në sondazhe, pasi u rreshtua me forcat që kundërshtonin bllokimin.
Por kjo rënie e mbështetjes për partitë populiste është kalimtare, dhe mund të ndryshojë së shpejti. Çështjet me të cilat populistët kanë shumë sukses, si emigracioni dhe integrimi evropian, kanë dalë për momentin nga titujt kryesorë të mediave, por ato janë aty dhe do të rikthehen prapë.
Disa politikanë në mbarë Evropën, janë përpjekur ta kthejnë debatin drejt tyre, sidomos pas sulmeve të fundit terroriste në Francë. Ndërkohë, mbërritja e valës së dytë të koronavirusit në Evropë, i ka dhënë mundësinë atyre që ta denigrojnë narrativën e ekspertizës të përdorur nga centristët në qeveri, pasi bllokimet e ripërsëritura, mund të konsiderohen si një dështim i tyre për ta kontrolluar virusin.
Sondazhet vazhdojnë të tregojnë një mbështetje të madhe për këto masa të ashpra, por kjo mbështetje është duke u zvogëluar, dhe mund të zvogëlohet më tej për shkak të zgjatjes në kohë dhe ashpërsisë së masave kufizuese.
Protestat kundër bllokimeve janë duke u shtuar, ndërsa zhgënjimi mund të çojnë në një reagim kundër “establishmentit”, të cilin populistët e djathtë radikalë mund ta shfrytëzojnë duke u rreshtuar me sukses me këto forca.
Në Britani, Nigel Farage po e riemërton Partinë Brexit si një “parti anti-bllokim”, në mënyrë që në vend se t’i japë fund sfidës populiste, ndikimi i përhershëm i pandemisë, të mund ta ringjallë atë si një “populizëm të ri anti-bllokim”.
Më e rëndësishmja, faktorët kryesorë nxitës të populizmit në Evropë nuk janë zhdukur për shkak të pandemisë, teksa nuk ka ende një konsensus se cilat janë këta faktorë specifikë – në veçanti, ekonomistët dhe politogët po debatojnë se cilët më të rëndësishëm, faktorët ekonomikë apo ata kulturorë.
Në realitet, pasojat ekonomike të pandemisë përbëjnë një terren pjellor për forcat populiste, teksa ata që zbresin më poshtë shkallares ekonomike goditen më rëndë nga kriza, sidomos nëse rritja e borxhit publik i detyron qeveritë të tërhiqen shumë më herët nga mbështetja e ekonomisë, apo të përsërisin gabimet e bëra pas krizës financiare globale.
Një kthesë e parakohshme tek masat e kursimit, do të ushqente forcat anti-establishment.
Teoria se pandemia do të ishte e keqe për populistët, nuk është testuar ende në asnjë palë zgjedhje kombëtare në Evropë.
Por mbështetja e konsiderueshme që mori Donald Trumpi në zgjedhjet presidenciale amerikane, tregon se edhe një reagim shumë i kritikuar ndaj Covid-19, nuk sjell domosdoshmërisht një rënie të fortë të mbështetjes së politikave populiste.
Disa zgjedhje lokale dhe rajonale janë mbajtur në Evropë gjatë pandemisë, shpesh me sfidantët populistë që nuk janë paraqitur mirë, por ato zgjedhje u diktuan kryesisht nga faktorë specifik lokalë. Testi i parë i madh për Evropën, do të jenë zgjedhjet e marsit 2021
në Holandë, një nga vendet evropiane ku e djathta radikale populiste ka qenë më e suksesshme.
Sondazhet sugjerojnë se pandemia ka rritur shanset e kryeministrit popullor Mark Rute. Njëra nga dy partitë radikale të së djathtës ekstreme, Forumi për Demokraci (FvD), ka pësuar një çarje të brendshme, ndërsa Partia për Liri (PVV), ka nisur vetëm kohët e fundit të rimarrë disi veten në sondazhe.
Sidoqoftë, kur kanë mbetur edhe disa muaj fushatë për të bërë, këto 2 parti marrin ende së bashku rreth 20 për qind të votave. Ashtu si me Alternativën për Gjermaninë në zgjedhjet federale gjermane në vjeshtën e vitit të ardhshëm, partitë populiste të së djathtës ekstreme në Holandë, mund të përfitojnë nga rritja e euroskepticizmit midis elektoratit të tyre të mundshëm.
Ai është i nxitur nga krijimi i një fondi të rimëkëmbjes nga Bashkimi Evropian, pasi segmente të mëdha zgjedhësish në Gjermani dhe Holandë, kanë frikë se ky është një hap i mëtejshëm drejt një bashkimi fiskal. Ne mund të shohim një lloj sfide populiste pak
më ndryshe në Evropë, por sigurisht që ajo nuk do të zhduket me magji si pasojë e pandemisë.
Përktheu Altin Goce për abcnews.al