Aktorja e njohur e Teatrit të Kukullave, Shegushe Bebeti, rrëfen një jetë të tërë të kushtuar artit, një histori që – siç thotë vetë ajo – duket “si në film”. Prej 40 vitesh ajo është një nga figurat simbol të këtij teatri, duke sjellë në skenë dhjetëra personazhe që kanë shoqëruar fëmijërinë e shumë brezave. Fillimisht, profesioni i aktores së kukullave nuk e tërhiqte, sepse nuk e njihte mirë, por me kalimin e kohës u dashurua me të. Sipas saj, teatri i kukullave është një botë e pasur që të jep mundësinë të luash gjithçka: muzikë, varieté, dramë dhe komedi.
Kukulla e parë që interpretoi ishte “Beso”, një partizan i vogël, rol që kërkonte të mbante në skenë edhe pushkën edhe thesin – një sfidë e madhe për një aktore të re. Në rrugëtimin e saj artistik një mbështetje e rëndësishme ishte regjisorja Lavdie Toro, e cila i besoi rol pas roli dhe e ndihmoi të rritej profesionalisht. Pak veta e dinë se para teatrit, Shegushe Bebeti kishte një tjetër pasion: violinën. Ajo nisi studimet që në klasën e parë dhe vazhdoi për disa vite në shkollën “Kongresi i Përmetit” dhe më pas në lice, por një alergji e rëndë në duar e detyroi të braktiste instrumentin. Pikërisht në gjimnaz u afrua me teatrin, ku shkëlqeu në trupën e shkollës dhe më pas vazhdoi studimet në Institutin e Arteve, sot Universiteti i Arteve.
Një nga vendimet më të vështira të jetës së saj ishte të mos krijonte familje. Aktorja tregon se për vite me radhë vuajti nga një sëmundje autoimune dhe nuk donte që një fëmijë të rrezikonte ta trashëgonte atë. “Semundja u zhduk kur ishte vonë për të krijuar familje”, thotë ajo, duke rrëfyer edhe periudha të vështira kur nuk arrinte as të krihte flokët. Sot, përveç kujtimeve të skenës, Bebeti vazhdon të krijojë art në një mënyrë krejt të veçantë: përmes riciklimit. Ajo ka hapur një ekspozitë kukullash të realizuara me materiale të thjeshta si kartona të letrave higjienike, topa ping-pongu apo shishe plastike.
Ndërkohë, për të Dita e Verës mbetet një nga festat më të dashura të fëmijërisë në Elbasan. Përveç ballokumeve, ajo kujton me nostalgji karakaftet – lulen e veçantë që rritet vetëm në atë zonë dhe që lidhet edhe me një libër me tregime të shkruar nga i ati, me të njëjtin titull. Për Shegushe Bebetin, jeta mes kukullave dhe kujtimeve të fëmijërisë mbetet një histori e gjatë dashurie me artin dhe me skenën.


