“Pse një i arratisur nga Shqipëria ecën i lirë në rrugët tona”?

schedule20:38 - 7 Tetor, 2018

schedule 20:38 - 7 Tetor, 2018

Gazeta Britanike “Sunday Express” thotë se dëbimi i kriminelëve të huaj nga vendi po shndërrohet në një problem serioz, pasi autoritetet nuk po veprojnë. Kjo media, e cila ka publikuar një koment, e mbështet këtë me rastin e një shqiptari.

Gazeta britanike “Sunday Express” në numrin e së dielës ka publikuar një koment lidhur me një fenomen që po ndodh gjithnjë dhe më shpesh në Mbretërinë e Bashkuar.

“Një i arratisur, i dënuar për vrasje, i cili në një kohë ishte në listën e më të kërkuarve të Interpolit, është i lirë të endet në Britani. Që kur erdhi këtu nga Shqipëria, Hektor Mahmutaj, 42 vjeç, është përfshirë në krim”, shkruan e përditshmja duke saktësuar se ai është burgosur nga Gjykata e Liverpolit për posedim armësh.

“Sunday Express” nënvizon se ai akoma lëviz i lirë në rrugët e Mbretërisë së Bashkuar për shkak të pretendimit se një ekstradim i tij në Shqipëri do të “shkelë të drejtat e tij të njeriut”. Gjithashtu njofton se autoritetet as që kanë nisur procedurat e deportimit.

Media britanike thekson se historia e tij çon në një problem më të gjerë. “Sunday Express” shkruan se zyrtarët kanë premtuar marrjen e masave për të huajt që bëjnë krime në Angli, por deri tani nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret. Një gjë e tillë, sipas gazetës, konfirmohet edhe nga fakti që Mahmutaj ndodhet ende në Britani.