Pse Mesdheu është bërë pika e nxehtë e ndryshimeve klimatike?

schedule10:29 - 22 Korrik, 2023

schedule 10:29 - 22 Korrik, 2023

Rajoni i Mesdheut, i cili u godit këtë korrik nga temperaturat e larta rekord dhe zjarret në pyje, është karakterizuar nga shkencëtarët si pika e nxehtë e ndryshimeve klimatike.

Plazhet dhe vendet historike të Mesdheut që shtrihen nga Europa Jugore në Afrikën Veriore dhe Azinë Perëndimore janë nën kërcënim.

Cilat janë kërcënimet më të mëdha për rajonin e Mesdheut, të klasifikuar nga Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC/GIEC) i OKB-së?

Ashtu si pjesë të Shteteve të Bashkuara dhe Azisë, Mesdheu është goditur nga temperatura jashtëzakonisht të larta gjatë javëve të fundit. Temperaturat në Siçili dhe Sardenjë mund të tejkalojnë rekordin europian prej 48.8°C.

“Valët e të nxehtit po rriten për shkak të ndryshimeve klimatike në Mesdhe dhe në qytete për shkak të politikave të urbanizimit”, duke shkaktuar sëmundje dhe vdekje, thuhet në raportn e IPCC për 2022 mbi Pasojat dhe Përshtatjen e Ndryshimeve Klimatike.

Një studim i vitit 2010 nga Universiteti i Bernës vlerësoi se intensiteti, kohëzgjatja dhe numri i valëve të të nxehtit në Mesdheun lindor janë shumëfishuar me 6 ose 7 herë në krahasim me vitet 1960.

Studiuesit e Universitetit Stanford theksuan faktin se “shumica e kulturave mesdhetare po vuajnë tashmë pasoja të rëndësishme negative për shkak të Ndryshimeve Klimatike, raporton abcnews.al.

Tashmë këtë vit, fermerët në Afrikën veriore po përgatiten për një korrje të pakta për shkak të thatësirës. Raporti i Panelit Ndërqeveritar ka paralajmëruar se ndryshimet klimatike do të përkeqësojnë mungesën e ujit në shumicën e zonave të Mesdheut.

Ai parashikon një reduktim deri në 45% të rezervave ujore në liqene dhe rezervuarë gjatë shekullit dhe deri në 55% reduktim të ujit në Afrikën veriore.

Në të njëjtën kohë, “ekosistemet tokësore si dhe ekosistemet e ujërave të ëmbla janë prekur nga ndryshimet klimatike në Mesdhe duke shkaktuar humbje të habitateve dhe biodiversitetit”.

Sipas Monitorit Europian të Thatësirës, ​​niveli i ujit në gjysmën e rajoneve të Mesdheut ishte tashmë në nivele të ulëta në qershor. Politikisht, thatësira në Spanjë ka rritur tensionet përpara zgjedhjeve të 23 korrikut, raporton abcnews.al.

Rritja e nivelit të detit

Niveli i detit në rajonin e Mesdheut është rritur me 2.8 mm në vit në dekadat e fundit, duke kërcënuar zonat bregdetare dhe qytete si Venecia, të cilat preken gjithnjë e më shumë nga përmbytjet.

“Rritja e nivelit të detit tashmë po prek ujërat bregdetare të perimetrit të Mesdheut dhe pritet të rrisë rrezikun e përmbytjeve, erozionit të tokës dhe kripëzimit të bregdetit”, paralajmëron IPCC.

“Këto dukuri mund të ndikojnë në bujqësi, peshkim, zhvillimin urban, operacionet e porteve, turizmin, vendet arkeologjike dhe një mori ekosistemesh bregdetare.

Ndryshimet klimatike nuk kërcënojnë vetëm plazhet, xhevahiret turistike të Mesdheut. Mund të preken gjithashtu të gjitha ekosistemet ujore, si dhe ekosistemet e furnizimit me ushqim që varen prej tyre.

“Që nga vitet 1980, ka ndodhur një ndryshim drastik brenda ekosistemeve mesdhetare, me reduktimin e biodiversitetit të kombinuar me ardhjen e specieve “pushtuese”.

Midis tyre peshku lepur, me origjinë tropikale, i cili gllabëron algat dhe barërat e detit të shtratit të detit Mesdhe, duke privuar speciet e tjera detare nga burimet e vlefshme.

Sipas skenarit të ngrohjes globale prej më shumë se +1.5°C në krahasim me periudhën para-industriale, më shumë se 20% e peshqve dhe butakëve të shfrytëzuar në Mesdheun Lindor mund të zhduken sipas zonës deri në vitin 2060 dhe të ardhurat nga peshkimi mund të ulen deri në 30% deri në vitin 2050, paralajmërojnë shkencëtarët.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!