Pse macet dhe qentë e urrejnë njëri-tjetrin?

schedule16:34 - 15 Korrik, 2022

schedule 16:34 - 15 Korrik, 2022

Mund ta keni pyetur veten se pse qentë dhe macet e urrejnë njëri-tjetrin. Zakonet dhe sjelljet e shumta të qenve janë shpesh irrituese për macet. Duke qenë se kanë lidhje me ujqërit, të cilët gjuajnë në tufa, qentë janë shumë më tepër krijesa sociale sesa macet, të cilat shpesh ia dalin të vetëm në natyrë.

Qentë janë kureshtarë nga natyra, e duan vëmendjen dhe emocionohen lehtësisht. Nga ana tjetër, macet, shpesh janë të largëta në raport me njerëzit dhe kafshët e tjera. Macet shpesh e perceptojnë sjelljen e lumtur dhe të gjallë të qenve si një kërcënim pa ndonjë arsye të qartë.

Kjo sjellje e bën macen të ikë, gjë që qeni e merr si shenjë se duhet ta ndjekë. Shkencëtarët, megjithatë, pohojnë se qentë do të vrapojnë pas çdo kafshe të vogël dhe të shpejtë, si ketrat dhe lepujt. Për të njëjtën arsye, që qëndron në instinktin e tyre, edhe qentë vrapojnë pas një topi ose një shkopi.

Kjo sjellje mund të lidhet gjithashtu me një hierarki natyrore të bazuar në një zinxhir ushqimor, në të cilin kafshët më të mëdha në përgjithësi gjuajnë ato më të vogla. Meqenëse shumica e racave të qenve janë më të mëdha se një mace shtëpiake, instinkti i tyre natyror është të vrapojnë pas saj.

Besimi popullor se qentë dhe macet e urrejnë automatikisht njëri-tjetrin është thjesht një konstrukt shoqëror, që rezulton nga reagimet natyrore të qenve dhe maceve ndaj sjelljes së njëri-tjetrit. /abcnews.al