Pse largimi i amerikanëve nga Afganistani do sjellë forcimin e grupeve terroriste

schedule14:16 - 15 Prill, 2021

schedule 14:16 - 15 Prill, 2021

Nga David Ignatius, The Washington Post

Afganistani e bezdiste Joe Biden që10 vjet më parë. Në atë kohë ai mendonte se Pentagoni po e fuqizonte një president të ri, Barack Obama, duke dërguar më shumë trupa në një luftë që nuk mund të fitohej.

Ai besonte se interesat e Shteteve të Bashkuara në Afganistan, duhet të përqendroheshin më shumë në parandalimin e një sulmi tjetër kundër atdheut. Këtë javë, duke qenë vetë president, Biden riktheu me vendosmëri zgjedhjet e bëra një dekadë më parë, dhe vendosi të tërheqë të gjitha trupat deri më 11 shtator, në20 vjetorin e sulmeve të kobshme të Al-Kaidës, të cilat e diktuan politikën e jashtme të SHBA-së për 2 dekadat e fundit.

Është një lëvizje e dyshimtë, për shkak se çmimi që duhet të paguhet në rast se rezulton i gabuar do të jetë shumë i madh. Ashtu si një dekadë më parë, këshilltarët ushtarakë e kanë paralajmëruar Joe Biden për rreziqet e kësaj lëvizjeje.

Analistët e inteligjencës parashikojnë shpërthimin e shpejtë të luftës civile në Afganistan, si pasojë e së cilës qeveria e Kabulit mund të rrëzohet. Gjithashtu, ata parashikojnë që Al-Kaeda dhe grupet e tjera terroriste mund të ri-ngrihen brenda 2 vjetësh në nivelin e fuqisë që kishin dikur.

Ata druhen se militantët islamikë në të gjithë botën, të cilët kanë qenë në pozita mbrojtëse që nga disfata e Shtetit Islamik në Siri dhe Irak, do të inkurajohen jo pak nga ajo që Talibanët ne Afganistan do të pretendojnë si një fitore të tyren. Shumë udhëheqës ushtarakë amerikanë, kanë kërkuar që presidenti Biden të shpallte një tërheqje të bazuar në disa kushte.

Por në fund, Biden e refuzoi atë qasje, duke theksuar se lidhja e tërheqjes së trupave amerikane me kushtet në terren “është një recetë për të qëndruar përgjithmonë në Afganistan”, sipas asaj që raportoi një zyrtari i lartë i administratës për disa gazetarë.

Biden cilësohet shpesh si një mjeshtër i gafave në publik, një veti kjo e diskutueshme në rrugën e një politikani karriere. Por njoftimi i së martës tregon se ai është gjithashtu një njeri kokëfortë dhe i vendosur. Miqtë thonë se atij i kishte ardhur në majë të hundës me luftën në Afganistan që një dekadë më parë, dhe me këtë vendim eliminoi disa pakënaqësi të vjetra.

Kur është i bindur se ka të drejtë, Biden është i gatshëm të marrë përsipër rreziqe të mëdha, siç e ka bërë edhe këtë javë. Pavarësisht gjithë shqetësimeve të saj rreth tërheqjes, ushtria amerikane e ka urryer luftën në Afganistan.

Shumica e komandantëve të ushtrisë dhe marinsave të sotëm kanë luftuar atje, dhe shumë nga bijtë dhe bijat e tyre gjithashtu. Ata bashkohen me dëshirën e Biden për të hequr më në fund spinën. Por kjo dëshirë kundërpeshohet nga ndjenja se gjëja e vetme më e keqe sesa të mbetesh në atë që duket si një ngërç i pazgjidhshëm,është tërheqja e trupave dhe pastaj nevoja për t’i rikthyer ato sërish atje.

Kjo është ajo që ndodhi në Irak pas tërheqjes së forcave amerikane në vitin 2011. Ato u rikthyen 5 vjet më vonë, duke u përballur me terroristët e Shtetit Islamik. Dhe nëse Biden kishte të drejtë për Afganistanin 10 vjet më parë, ai e kishte shumë gabim kur u largua nga Iraku, veprim të cilin ai e mbrojti me forcë.

Pikërisht këtu qëndron rreziku i tmerrshëm i këtij vendimi. Ndonjëherë këputja e nyjës dhe largimi i trupave amerikane hap rrugën për paqe. Por shumë më shpesh gjatë viteve të fundit, ajo ka qenë një parathënie për një kasaphanë më të madhe.

Dhe skenari është i lehtë për t’u imagjinuar:një spirale dhune në të cilën kryeqytetet e provincave bien një nga një, duke çuar në një betejë vdekjeprurëse për kontrollin e Kabulit – një luftë në të cilën njerëzit që besuan më shumë në ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara do të jenë më të rrezikuarit, dhe do jenë ata që do të luten për ndihmë.

Mbyllja e syve dhe veshëve ndaj një situatë të tillë katastrofike -distancimi nga thirrjet e dëshpëruara, veçanërisht nga gratë e Afganistanit, të cilat kanë frikë nga shtypja e re – do të kërkojë një zemër të akullt dhe një stomak të fortë.

Biden vendosi këtë javë që fati i Afganistanit do të përcaktohet në fund të fundit nga njerëzit e tij. Ata që dyshojnë se vendi do të zhytet shumë shpejt në Mesjetë në një version primitiv të Islamit, mendojnë se gabojnë. Vitet e luftës e kanë modernizuar Afganistanin.

Tani ai është një vend më i pasur, më urban, dhe më i lidhur nga komunikimet moderne. Njerëzit që fituan lirinë e tyre në 2 dekada nën ombrellën mbrojtëse të SHBA-së, nuk do të heqin dorë lehtë nga ajo. Prova e vërtetë e politikës së Biden, është nëse mund të arrihet interesi thelbësor kombëtar:të parandalohet një sulm tjetër i tipit të11 Shtatorit 2001 ndaj SHBA-së, edhe duke mos pasur trupa amerikane në terren.

Zyrtarët e kanë debatuar këtë pyetje për javë të tëra. A do të mundet CIA të mbajë një forcë klandestine në Afganistan, që të jetë mjaftueshëm e fortë për të vepruar kundër Al-Kaidës dhe grupeve të tjera terroriste? A do të jenë efektivë dronët, nëse tani do duhet të operojnë që nga Gjiri Persik, me kohë më të gjatë fluturimesh deri në Afganistan, dhe periudha shumë më të shkurtra në zonat e mundshme të synuara?

Ne nuk i dimë përgjigjet. Ndërsa Joe Biden po hedh zaret në tavolinë. Presidentët kanë disa momente në detyrë ku u duhet të marrin vendime në lidhje me sigurinë e kombit. Për shkak se e ardhmja është e panjohur, një komandant i përgjithshëm duhet t’u besojë instikteve të tij. Fred Charles Iklee titulloi kështu një libër rreth fundit të luftës së Vietnamit “Çdo luftë duhet të marrë fund!”. Tani që Biden ka bërë zgjedhjen e tij, ai duhet të lutet që trupat që po kthen në shtëpi, të mos u duhet të rikthehen më kurrë në Afganistan. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!