Pse këta mësojnë kaq shpejt emra agjentësh?

schedule09:25 - 1 Shkurt, 2023

schedule 09:25 - 1 Shkurt, 2023

Nga Frrok Çupi

Emri i McGonigal nuk ishte edhe aq i lehtë për të ngjitur kaq shpejt. Por u mësua menjëherë, si kënga e Festivalit në fillim. Provo të bësh një copë rrugë në fshatrat e Tiranës dhe do ta kuptosh: Edhe një tip që ndjek dy dhi nëpër shtegun e fshatit, do të të ndalë e të të pyesë: ‘Ore, po si do të shkojë kjo çështja Gonigal?’; harron vetëm parashtesën Mc.

Ka një histori të tërë se si emrat e agjentëve ngjisin më shumë se emrat e shenjtorëve; dhe te cilët. Te njerëzit e racës sonë shqiptare nuk shqiten më kurrë emri i Kim Filbit, emri i Xhevdet Mustafës, personazhe si Pjetër Mustakuqi apo Gjethi i Kuq, Edward Snowden, Sami Amen…

Çfarë ishte, ishte!, por si ndodh sot që emri i agjentit Charles McConigal u bë menjëherë  ‘hit’ për njeriun që flet në foltoren e Kuvendit si dhe për njeriun që ruan pulat në oborrin e vet? Me sa ka gjasa, të  dy pjesët ushqejnë ‘memorien’ e njëri tjetrit, me të njëjtën mënyrë: Po të mos ishte ajo foltore, nuk do të ishte as ‘agjenti’ amerikan që tani është kthyer në stof i rojës së pulave. Charles McConigal është një ish- zyrtar i lartë e FBI, që në pozitën e tij bazike është ‘agjent’. Politika, së shumti politika opozitare, e ka marrë dhe e ka bërë ‘ushqim për pulat’ këtu në Shqipëri.

Pse e ka bërë ‘përdorim për pulat’ emrin e një agjenti me një histori të tërë, me një kontribut të tërë, me një të shkuar të tërë atje në kontinentin e largët ku edhe zogjtë shtegtarë mbërrijnë me zor? E ka bërë ‘për pulat’ sepse qeniet e ngadalta hanë çfarë u jep politika. Dy ish- presidentë, dy ish- kryeministra me ushtritë e tyre shtresore…, funksionojnë për të ngrehur puplat e shtresave të ulëta në një ‘revolucion të dhunshëm’. Ata e dinë se ‘pulat’,  dhe krijesa të tjera të dobëta e ‘thithin’ menjëherë emrin e agjentit, madje e punojnë në kokë si rrezik, e nxjerrin nga koka e ta shtrojnë në bisedë…, dhe më në fund shpresojnë se lideri do t’i shpëtojë ‘pulat nga agjenti’. Madje kjo kategori e ‘të ngadaltëve’ as mundohet të bëjë pyetje ‘çfarë është ky agjent?’, ‘po ky shtet armik çfarë është?’ Një histori e tërë e së shkuarës sonë të izoluar është mbajtur më këmbë duke frikësuar ‘pulat’. Frika u imponua deri në pikën sa nuk kishte bari me radio në dorë që nuk dinte emrin e frikshëm të ‘CIA-s’. Masat njerëzore të dobëta u shtypen me fantazma emrash të vështirë e të largët agjenturash e agjencish. Këtë po bëjnë edhe pas 78 vjetësh dy emra këtu: Ilir Meta dhe Sali Berisha.

A tremben ‘robt’ kurdoherë me emra  të vështirë agjentësh?

Kësaj here këta ia dolën që të lëshojnë një alarm dhe të mbledhin rreth vetes ata që i kishin po rreth vetes. Të gjithë ata që ishin perceptuar si ‘kundër Amerikës që na e bën liderin si hiçgjë, këta u mblodhën rreth liderit të dështuar për t’i dalë zot kundër Amerikës. Ideja për të shpallur armik agjentin amerikan u ngjiz vetëm nga qëllimi për të hedhur baltë mbi Amerikën… Sikur Amerika është vetë agjentja dhe agjenti është vetë Amerika. Sapo dëgjuan emrin e McGonigal dhe emrin e Edi Ramës krijuan lidhjen misterioze se ‘Rama ia tregon Amerikës krimet’. Në njërën anë përdorën emrin ‘misterioz’ nga kontinenti tjetër, në anën tjetër lëshuan fjalë se gjetën armikun e dytë që ‘na ka sulmuar Berishën’. Qytetaria e dobët e ka me vete rrezikun: Kur lideri shpall armik edhe superfuqinë e botës, këta ‘të dobëtit’ e shikojnë veten sundimtar mbi superfuqinë. Por kur lideri shpall ‘vend mik’ edhe  vendin më ‘pa mik’, këta prapë ua mësojnë emrin agjentëve të tyre, por me dashuri. Këtu e urejnë DASH-in, CIA-n dhe tani më shumë FBI-në, por emrin ‘Monika’ e morën nga shteti ‘mik’ ‘Kamboxhi’. Edhe vite të shkuara, 1999, kur në Kosovë luftonin helikopterët amerikanë ‘Apache’, disa fëmijëve ua vunë emrin ‘Apache’, më tregonte gazetari i Reuters, Kurt Schoch.

A përdoren ‘pulat’ për të fluturuar në kontinente të tjerë?

Ideja më e keqe e tiranëve ka qenë dhe mbetet shtrirja e konfliktit përtej ‘jorganit’. Këqyre gjithnjë u rrinë ngushtë hapësirat ku bëjnë krime. Pse shqiptarët e hapnin ditën me ‘çfarë po ndodh në Laos’ në vitet ‘70? Vendi i largët e Azisë Juglindore po përjetonte luftën civile dhe sot e kësaj dite qeveriset nga Komunizmi. Regjimit këtu i konvenonte ‘misteri i dorës së padukshme’, diku larg, pa fund, atje e kishte influencën. Në rastin e agjentit McGonigal Lëvizja anti- amerikane këtu u ndje mirë pse do të shtrinte hapësirat e konfliktit. Atje larg menduan se do të humbte e vërteta dhe se ‘trushpëlarët’ do ta besonin gjithë përrallën. Përralla ngjit kështu: ‘Amerika është vetë e korruptuar’. Dualizmi i të ulëtit se ‘edhe ti je si unë’, ka kohë që përdoret nga ish- presidentët e ‘mallkuar’. Këtë bëjnë me qeverinë këtu, këtë bëjnë me kritikët e tyre në media, këtë po bëjnë edhe me Amerikën. Dje akuzuan ambasadoren e SHBA se ‘je e korruptuar nga McConigal’, ndërsa Britania e Madhe qenka e blerë nga Edi Rama. Apartamenti ‘një dhomë e kuzhinë’ u vjen ngushtë për konflikt, siç shkruan Kadare.

Pas kësaj, këta kanë një ‘ushtri’ që mëson menjëherë emrin e armikut, sidomos kur ky është agjent.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!