Pse kaq pak “minj” të mëdhenj janë arratisur deri tani nga “anija” e Putinit?

schedule12:29 - 26 Maj, 2022

schedule 12:29 - 26 Maj, 2022

Nga Leonid Bershidsky “Bloomberg”

Kur një njeri Boris Bondarev, këshilltar rus në selinë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, i përplas derën në fytyrë punëdhënësit të tij, Ministrisë së Jashtme ruse dhe vendit të tij të origjinës, është e natyrshme të pyesim veten nëse sistemi i Vladimir Putinit po shfaq të çara pas 3 muajsh nga fillimi i aventurës së turpshme të diktatorit në Ukrainë.

Megjithatë përgjigja është “Në fakt, jo”. Pavarësisht dështimit relativ të pushtimit të deritanishëm, dezertorët e shquar janë të paktë në numër. Establishmenti rus nuk është gati të hidhet në revoltë. Për shumicën e figurave të epokës së Putinit, vazhdimi ka më shumë avantazhe sesa dezertimi.

Bondarev, një diplomat i specializuar në kontrollin e armëve, është deri më sot “tradhtari” i nivelit më të lartë të Ministrisë së Jashtme ruse. Asnjë zëvendësministër apo ambasador nuk ka dëshmuar se ka braktisur “anijen”, edhe pse titullari i ministrisë Sergei Lavrov, ka lënë mënjanë çdo përpjekje diplomatike për dhënien fund të konfliktit, dhe i është bashkuar me kohë të plotë korit të propagandës pro luftës, duke deklaruar se presidenti hebre i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, mund të jetë lehtësisht një nazist sepse edhe Adolf Hitleri dikur – pretendon Lavrov – kishte origjinë hebreje.

Megjithatë, Bondarev iu deshën 3 muaj që nga fillimi i luftës dhe 3 javë që nga komentet antisemite të Lavrov që të jepte dorëheqjen dhe të shprehte disa kritika diplomatike të buta ndaj ministrit, që siç shkroi Bondarev “jep vazhdimisht deklarata kontradiktore”.

Dezertorë të tjerë të rëndësishëm? Para tij ishte Anatoly Chubais, një zyrtar i niveleve
të larta për shumë kohë, që dha dorëheqjen në heshtje nga pozicioni i tij i fundit, në përgjithësi i parëndësishëm si përfaqësuesi special i Putinit për zhvillimin e qëndrueshëm, dhe u largua nga Rusia pa thënë asgjë publikisht për luftën.

Një numër propagandistësh dhe zyrtarësh të televizionit shtetëror kanë braktisur “anijen” në mënyrë spektakolare, si Marina Ovsyannikova e televizionit “Channel One”, e cila ndërpreu transmetimin e lajmeve duke dalë para kamerës me një parullë kundër luftës, ose si rasti i 2 redaktorëve të uebsajtit që është jo me shumë dëshirë pro-Kremlinit, “lenta.ru”, që arriti të zëvendësonte për një kohë të shkurtër përmbajtjen e faqes me materiale anti-Putin.

Të tjerë janë larguar akoma më në heshtje, si Kirill Karnovich-Valua, një menaxher i lartë në televizionin “Russia Today”, që u deklaroi krijuesve të RT-së se preferon të drejtojë një kompani teknologjike sesa të vazhdojë të punojë për një organ të propagandës shtetërore.

Një numër i madh drejtuesish në botën e biznesit e kanë dënuar pushtimin e Ukrainës. Midis tyre spikat miliarderi Oleg Tinkov. Mediat ukrainase dhe ato ndërkombëtare ishin një ditë në front për të rrëfyer historinë e Igor Volobuyev, zëvendëspresident në “Gazprombank”, banka që merret me kontratat e eksportit të gazit rus nëpër botë.

Volobuyev i lindur në Ukrainë, braktisi jo vetëm punën e tij komode, por u transferua në vendin e tij të lindjes dhe iu bashkua forcave ukrainase të mbrojtjes territoriale. Por kjo ngjarje do të kishte më shumë peshë, nëse zëvendëspresidentët do të ishin një duzinë nga “Gazprombank”, por edhe nga shumë banka të tjera.
Por cilido që kërkon ministra, gjeneralë, drejtues të televizionit shtetëror, ndihmës të presidentit dhe oligarkë në “listën e plotë” të publikuar kohët e fundit nga “Newsweek” mbi tradhtarët e njohur të regjimit, do të zhgënjehet.

Sigurisht, disa dhjetëra figura të kulturës kanë dhënë dorëheqjen nga postet e tyre të paguara nga shteti, ose janë larguar nga Rusia në shenjë proteste kundër pushtimit të Ukrainës – një reper, balerin, regjisor filmi apo dirigjent orkestre – por këta vështirë se mund të konsiderohen si shtylla të regjimit të Putinit.

Për Kremlinin ata janë lehtësisht të zëvendësueshëm. Nëse “minjtë” nuk po arratisen, edhe “anija” nuk po fundoset, të paktën jo nga këndvështrimi i “minjve”. Dikush mund të mbështetet tek përkrahësit e regjimit – një grup cinikësh – që të marrin me gjakftohtësi vendimin për jetën e tyre.

Lëvizjet emocionale janë çështje ditësh, ndoshta një jave, dhe njerëzit e rrallë në mesin e njerëzve pranë Putinit që ishin të aftë të shprehnin emocione të forta kundër një sulmi ndaj një vendi fqinj u larguan brenda ditëve të para të fushatës.

Pjesa tjetër po e nuhat aromën e disfatës, dhe pavarësisht pengesave ushtarake të Rusisë, nuk po e ndjen ende atë. Burokratët e nivelit të lartë, oficerët, menaxherët, drejtuesit e biznesit i dinë shpërblimet që vijnë nga shërbimit ndaj Putinit, por edhe rreziqet që lidhen me një refuzim të hapur për ta bërë këtë.

Për shembull, pasi foli kundër luftës Tinkov, thotë se u detyrua të shesë aksionet e tij në bankën ruse që ishte baza e pasurisë së tij. Banka ka njoftuar se do ta heqë emrin e Tinkov që mban aktualisht. Nga ana tjetër, ndërsa kompanitë e huaja po largohen nga Rusia dhe asetet e tyre po shtetëzohen ose po u dorëzohen sipërmarrësve besnikë, statusi i ri i Rusisë si një vend i përbuzur në skenën ndërkombëtare krijon një lloj mundësie.

Sistemi i Putinit ka ushqyer dhe “zbutur” njerëzit e tij për dy dekada. Ndaj mbetet e paqartë se çfarë mund të përfitojë një gjeneral apo ministër rus duke denoncuar “operacionin special ushtarak”, siç njihet zyrtarisht lufta në Rusi. Edhe kuadrot e rangut më të ulët të regjimit, që janë përpjekur të shkëputen me Putinin në muajt e fundit, po përballen me kundërshtime nga një komunitet i zëshëm i emigrantëve rusë.

Disidentët rusë që jetojnë në Gjermani protestuan ashpër kur gjiganti mediatik, “Axel Springer SE”, punësoi gazetaren disidente Ovsyannikova për të raportuar për Rusinë dhe Ukrainën: E pse duhet shpërblyer një propagandues, në një kohë që shumë gazetarë të ndershëm rusë, të cilët nuk ishin punësuar asnjëherë nga makineria propagandistike e Putinit, po përpiqen të gjejnë një punë fitimprurëse në Evropë?

Kur Karnovich-Valua njoftoi largimin e tij nga RT, Maria Pevchikh, bashkëpunëtore e ngushtë e liderit të opozitës të burgosur Alexey Navalny, nisi një kryqëzatë në Twitter kundër tij. “Mos tregoni dhembshuri dhe simpati për njerëzit që nuk e meritojnë. Ata kishin akses në informacionin e plotë. Çdo sekondë, ata kishin mundësi zgjedhje. Dhe ia dolën”- shkroi ajo.

S’ka nevojë të jesh një intelektual i madh, për ta ditur se edhe nëse dezertorët mirëpriten dhe në dukje shpërblehen në Perëndim, askush nuk ushqen vërtet ndjenja të ngrohta ndaj tyre. Çdo inkurajim është në fakt vetëm një mjet për ta bërë dezertimin të duket tërheqës. Pasi arrihet ky qëllim, shërbëtorët e Putinit për një kohë të gjatë, nuk kanë të ardhme në Perëndim, pasi emigrantët rusë dhe perëndimorët do të vënë në dyshim gjithmonë të kaluarën e tyre.

Edhe në skenarin më të mirë, ata do të përballen gjithmonë me disa pengesa në karrierë dhe biznes. Ndërkaq në Rusi, ata mund të jenë vetëm persona. Emrat e tyre janë fshirë nga çdo burim zyrtar, teksa pasuria, të afërmit dhe miqtë e tyre janë në rrezik.

Në këto kushte, gjëja më mirë që mund të bëjmë është të presim se çfarë ka mbetur ende nga sundimi i Putinit. Deri më tani, lufta duket se nuk ka gjasa të ndryshojë ndonjë gjë për mirë, me përjashtim të një ndryshimi të madh të situatës në terren. Por edhe nëse ndodh, Putin po plaket dhe përflitet se ai vuan nga një sërë sëmundjesh.

Kushdo që është i interesuar të rrëmbejë një pjesë të byrekut pas ikjes së Putinit, duhet të jetë në Moskë, ose mjaft afër saj, kur të fillojë ndarja e tij. Një rikthim nga mërgimi në Perëndim nuk ka gjasa t`u japë atyre ndonjë rol në Rusinë e nesërme, për të njëjtat arsye që disa figura gjermane që emigruan (me përjashtime të dukshme si kancelari Willy Brandt) nuk bënë dot karrierë në vendin e tyre pas rënies së nazizmit.

Për ata që luajnë lojën e pritjes, “anija” proverbiale do të duhet të marrë në bord një listë shumë më të gjatë njerëzish përpara se të bëjnë një lëvizje, dhe kjo lëvizje ka më shumë gjasa të jetë një lojë pushteti sesa një arratisje./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!