Cilësia e ka një çmim, cilësia krijon standarte, standartet arrihen me përkushtim, vullnet dhe pasion, pasioni duhet të eci paralelisht me rezultatet që duam të arrijmë dhe rezultatet optimale arrihen vetëm duke mos negociuar kurrë me cilësinë e produkteve të përdorura.
Ky është rrethi logjik i investimit në cilësi. Pra kur themi se cilësia e ka një çmim, nënkuptojmë garancinë dhe sigurinë, elementë të cilët bëjnë diferencën e dukshme dhe që na ndihmon të kategorizohemi më lart se të tjerët e të shërbejmë si etalon (model) për t’u ndjekur.
Hapat për të marrë rezultatin më të mirë të mundshëm i ka përkufizuar qartë një mendje e ndritur si Aristoteli:
Fillimisht duhet vendosur një objektiv i qartë.
Së dyti, gjej mjetet për ta arritur.
Së treti përshtat mjetet.
“Hapat që në fëmijëri kanë rëndësi, për aq kohë sa jeni duke ecur përpara. Ju mblidhini të gjitha bashkë dhe një ditë kur të hidhni vështrimin pas do të habiteni se ku keni arritur të mbërrini”., thotë Kris Gardner. Mjaftojnë këto dy aksioma për të kuptuar thelbin e suksesit në çdo sipërmarrje sado të vogël a të madhe, personale e profesionale.
Kur një emër i madh si Esteel Lauder pohon se: “Unë nuk mbërrita këtu, duke e uruar apo shpresuar, por duke punuar për të”, kupton se je me fat, që rrugëtimi, që do vendosësh të zgjedhësh është i provuar në mjetet, që do të të duhen për ta finalizuar me sukses.
Rrugëtimi i Dr. Gerës drejt profesionalizmit, origjinalitetit dhe suksesit në botën e pafundme të ideve estetike është ndihmuar edhe nga këto filozofi.
Jetojmë në kohë shumë të çuditshme, mendojmë se çdo gjë që duam ta kemi dhe ta arrijmë e gjejmë nëpërmjet internetit. Interneti shpesh na ndihmon të gjejmë informacionin e duhur për të mbështetur ekzistencën dhe realizimin e ideve.
Nga ana tjetër ka media sociale, ku mund të gjeni njerëz të tjerë, të cilët ndajnë të njëjtat ide dhe përqasje me ju, të cilët ndikojnë herë-herë edhe pa kuptuar në mënyrën se si kërkoni t’i arrini gjërat, duke rekomanduar edhe produktet përkatëse.
Të gjitha llojet e produkteve që ju nevojiten nga çdo cep i botës, mund t’i blini nëpërmjet komerçialiteti online global vetëm me një klik. Ajo që po përpiqemi të themi është fakti se gjithë ky zhvillim i jashtëzakonshëm i teknologjisë (interneti, media sociale, e-commerce) ka padyshim edhe anën e tij të errët.
Ndoshta një kombinim i gjithë këtyre elementëve nxit një prirje të rrezikshme në botën e kozmetikës, injeksionet të bëra nga jo profesionistë, ose jo të liçensuar në këtë fushë.
Dhe po flasim për rreziqet ekstreme të injektimeve të kryera nga njerëz jo profesionistë dhe jo kompetentë, të cilat kanë tendencën të na orientojnë drejt një realiteti iluziv dhe të pavërtetë, duke u shndërruar kësisoj në kopje të shëmtuara të asaj që ne realisht duam të jemi. Apo më keq akoma, duke u ndjerë si kloun në arenën e këtij cirku të madh të krijuar në tregun e shitjeve të teknologjisë së sotme.
Përpjekja për të injektuar fillers (mbushës) të çdo lloji te vetja, edhe nëse është e ligjshme dhe drejtpërdrejtë nga prodhuesi, është tepër e rrezikshme për shumë arsye. Videot në YouTube dhe postimet e mediave sociale mund ta bëjnë të duket mjaft e thjeshtë si procedurë dhe mund t’ju shtyjë ta aplikoni edhe vetë, duke menduar se do t’ia dilni.
“E thënë shkurt, duket e lehtë sepse e bëjmë ne të duket e lehtë, por injektimi i Acidithialuronik dhe Botox-it është jashtëzakonisht i ndërlikuar dhe kërkon njohuri të thelluara të anatomisë dhe fiziologjisë së njeriut për të kuptuar indin, sepse anatomia e fytyrës është jashtëzakonisht komplekse.” shpjegon Dr. Gera Tagani.
“Ne na nevojitet një punë shumë vjeçare për të studiuar dhe për tu trajnuar, që të bëhemi të aftë të aplikojmë me profesionalizëm, siguri dhe seriozitet procedurën e injektimit të fillerave në kohën dhe mënyrën e duhur, si edhe me produkte të çertifikuar dhe origjinale.
Megjithatë jam e ndërgjegjshme se ndikimi i teknologjisë është tepër i madh për t’ju bërë juve të mendoni të kundërtën. Mjafton një kërkim i shpejtë në YouTube, ose media sociale dhe gjen dhjetëra video të proçedurave gjatë aplikimeve që mund t’ju bëjnë të mendoni se, nëse ata mund ta bëjnë këtë gjë, mundem edhe unë.
Tani, ne realisht mund të shohim se si acidihialuronik injektohen në Instagram, YouTube, etj, ose nga vetë personat, ose nga persona jo profesionistë, duke e bërë të duket kaq e thjeshtë dhe e sigurt, duke na bërë pjesë të një realiteti të rremë”, thotë Dr. Gera.
“Aplikimi i injektimeve në një sallon bukurie pasi të keni parë një video në YouTube, apo fare pa kuptuar bërë pjesë e zbavitjes së blerjeve online [të injeksioneve], përbën realisht një rrezik të madh për ju, duke ju orientuar drejt një bote të verbër dhe zhgënjyese.”
“Zona qendrore e fytyrës nganjëherë njihet edhe si Trekëndëshi i rrezikut”, shpjegon Dr. Gera, “sepse është në komunikim të drejtpërdrejtë me enët e gjakut që ushqejnë trurin. Dhe si e tillë, nëse diçka shkon keq përgjatë injektimeve të kryera nga njerëz të zakonshëm dhe jo profesionistë, mund t’ju zhgënjejë me rezultatin e arritur. Por mund të ndodhë të injektoni pa dashje në një enë gjaku, e cila mund të shkaktojë dëme të përhershme dhe të parikuperueshme, ose më keq akoma, mund të shkaktoni nekrozë të lëkurës, që është humbja e përhershme e indeve të lëkurës (e quajtur ndryshe edhe vdekja e lëkurës), apo akoma më keq, ju mund të humbni shikimin tuaj përgjithmonë.”
Dr. Gera thekson se, fatkeqësisht ekspertët nuk po merren shumë me blerjet e paligjshme të mbushësve të rremë nga persona të pa autorizuar dhe jo profesionistë dhe ajo çka është edhe më dramatike është se shpesh herë vetë website-t e ndryshme nuk kanë informacionin e duhur për produktet kozmetike që shiten nëpërmjet tyre.
Sipas Dr. Gerës duhet një ndërgjegjësim i shtuar për këtë situatë dhe shitësit e internetit duhet të monitorohen më mirë për disponueshmërinë e produkteve të paligjshme në faqet e tyre.
“Lajmi i mirë është se kompanitë e mëdha dhe serioze që prodhojnë fillera (mbushës) origjinalë të lëkurës, janë të vetëdijshme për këtë problematikë dhe po bashkëpunojnë ngushtësisht me kompanitë dhe faqet e shitjeve on line, për ta monitoruar më nga afër situatën. Arsyeja është e thjeshtë, ky fenomen ndikon negativisht në fitimet dhe imazhin e tyre, duke qenë se mbushësit e rremë në internet kushtojnë më pak dhe janë lehtësisht të aksesueshëm,” thotë Dr. Gera Tagani.
Sa më sipër, emergjent është sensibilizimi dhe edukimi i pacientëve, që të orientohen drejt produkteve të sigurta dhe origjinale, pavarësisht faktit, se mund të kushtojnë më tepër, sepse në fund të ditës shëndeti dhe përkujdesja për veten janë të panegocieshme.
“Pazaret” që bëhen për hir të bukurisë shoqërohen me problematika pasuese. Ato po përhapen frikshëm, për sa kohë kërkesa për injeksione të mbushësve sa vjen e rritet, veçanërisht për grupmoshat nën 30 vjeç. “Nëse e lejoni një gjë të tillë jeta juaj mund të marrë një kthesë të pakthyeshme. Specialist të kësaj fushe të njohur vlerësojnë se këto “pazare” shoqërohen me ndërlikime që variojnë nga acarimet e ndryshme të lëkurës, në reaksionet alergjike, infeksionet e vazhdueshme, dëmtimet e nervave, shpërfytyrimi dhe në raste të rralla, verbimi ose paraliza. Këto janë arsye mjaftueshmërisht shqetësuese, që duhet t’iu ndalojnë të ndërmerrni hapa të tillë të rrezikshëm dhe të mos blini asnjëherë produkte kozmetike të lira dhe të pasigurta.”, tërheq vëmendjen Dr. Gera Tagani.
Mënyra e vetme për të kuptuar, se produkti që po përdorni është autentik dhe i aprovuar nga FDA është ta porosisni atë direkt nga prodhuesi, ose një distributori i autorizuar.
“Neurotoksinat (injeksione që ngrijnë muskujt, siç është Botox), nga ana tjetër, kanë tendencë të kontrollohen më fort në të gjithë Evropën, sepse ndryshe nga mbushësit, ato klasifikohen si ilaçe, jo pajisje mjekësore”, shpjegon Dr. Gera. Ajo shton se, “çdo gjë që na dërgohet nga jashtë zinxhirit tonë të furnizimit do të thotë që ne nuk e kemi idenë se si është trajtuar, transportuar, apo ruajtur dhe kur ruhen në mënyrë jo të duhur, mbushësit dhe neurotoksinat mund të degradojnë dhe të humbasin efikasitetin e tyre.”
Një praktikë tjetër e frikshme dhe jashtëzakonisht e rrezikshme, që haset rëndom në realitetin tonë të përditshëm është, se disa ofrues të paskrupullt ruajnë shiringa gjysmë të përdorura të mbushësve për ta injektuar përsëri më vonë në të njëjtin pacient (ose më keq akoma në një pacient tjetër). Mjekët me reputacion e konsiderojnë mbushësin një artikull vetëm me një përdorim dhe e përdorin atë siç e diktojnë rrethanat. “Ndarja e shiringës vetëm për të kursyer disa para sjell rrezik të panevojshëm,” shton Dr. Gera.
Vihet re se një numër i konsiderueshëm njerëzish po e anashkalojnë takimin e tyre me mjekun profesionist, duke preferuar rrugë më të shkurtra dhe më pak të kushtueshme, megjithëse është shumë e rrezikshme të injektosh mbushës në fytyrë në rrugë të tilla.
Dr. Gera Tagani ka bërë konsultime dhe diskutime të shumta me dermatologë dhe kirurgë plastikë të Spitalit Hygeia, dhe jashte vendit në lidhje me përvojat dhe mendimet e tyre mbi këtë fenomen me tendencë në rritje, (injektimi i mollëzave, hundës, apo pjesës së poshtme të syve nga njerëz të zakonshëm, jo të fushës përkatëse) dhe sipas saj ka rezultuar se “ndajmë mendime të njëjta, duke i vënë theksin sigurisë dhe origjinalitetit të produkteve kozmetike, që përdoren nga profesionistët e spitalit tonë, në funksion të ruajtjes së standarteve dhe cilësisë së padiskutueshme që ne si staf mjekësor i ofrojmë pacientëve tanë.
Preferoj të ndaj me ju, një nga rastet e praktikës sime të punës, ku një djalë të ri, pasi kishte blerë vetë një mbushës në internet, ishte përpjekur ta injektonte atë në disa zona të fytyrës. Kur u paraqit tek unë në Klinikën Anassa, dukej shumë i shqetësuar për faktin se mbushësi ishte shpërndarë në mënyrë të pabarabartë, duke krijuar kështu pjesë të ngritura në fytyrë dhe duke shkaktuar reaksion alergjik. Për të ishte zhgënjyes fakti, se rezultati që kishte arritur ishte shumë ndryshe me atë çka ai synonte të arrinte. Kam dëgjuar gjithashtu histori mbi përdorimin e produkteve të skaduara ose të nxjerra jashtë qarkullimit, apo produkte të paligjshme me përmbajtje të silikonit (prezantohen te pacientit si Acidhialuronik) të cilat mund të shkaktojnë probleme katastrofike dhe të pamenaxhueshme.”
Kompanitë e çertifikuara dhe shpërndarësit e vërtetë konfirmojnë, se ata i shesin produktet e tyre origjinale direkt tek specialistë të licencuar, përfshirë: kirurgë plastikë, dermatolog, mjekë estetikë. Me fjalë të tjera, jo çdo injeksion që ju shihni në shitje në sallone bukurie, spa, ose në vende profesioniste mund të vijë direkt nga prodhuesi real, pra produkti mund te jete i imituar, i skaduar, me përmbajtje silikoni dhe mund te shkaktojë dëme shumë të mëdha edhe pas disa vitesh.
“Megjithëse industria e estetikës është e rregulluar në mënyrë rigoroze, ajo për fat të keq ka parë një rritje të shitjeve të produkteve të falsifikuara dhe të importuara në mënyrë të paligjshme, veçanërisht nga shpërndarësit në internet ose ne rruge jodoganore të palicencuar”, thotë Dr Gera.
“Ne nuk angazhohemi në ndonjë shitje të drejtpërdrejtë ndaj konsumatorit, online, etj. Kështu, që çdo produkt që paraqitet në këto formate nuk është i licencuar dhe nuk mund të verifikohet konform standardeve tona të rrepta të sigurisë dhe efikasitetit”, shton Dr. Tagani.
Për sa më sipër, Dr. Gera Tagani sugjeron se duhet të sensibilizohemi duke iu drejtuar specialistëve dhe profesionalistëve të Spitalit Hygeia, sepse aty ndërthuret cilësia me sigurinë dhe profesionalizmin në raport me çmimin, sepse për ne ju jeni të rëndësishëm dhe ne jemi të gatshëm të bëjmë më të mirën e mundshme për ju. /abcnews.al/