Eksperti e ekonomisë dhe financave, Fatos Çoçoli, në një lidhje me “Radari Informativ” në Abc të gazetares Juli Xhokaxhi, ka komentuar situatën e vështirë financiare që ndodhe disa Bashki në vend të cilat rrezikojnë falimentin.
Çoçoli tha se e gjithë kjo situatë e vështirë financiar në disa Bashki vjen për shkak të keqmenaxhimit.
Sipas tij disa nga krerët e bashkive për të fituar pikë para zgjedhjeve tek qytetarët kanë miratuar disa investime për të cilat nuk i kanë patur paratë.
Ndërkohë shtoin se një tjetër pikë që rëndon mbi financat e bashkive, janë dhe humbjet e shumta në gjyqe ndaj punonjësve të shkarkuar me pa të drejtë, pasi kryetarët e rinj zëvendësonin punonjësit sapo merrnin drejtimin e institucionit.
Pjesë nga diskutimi:
Xhokaxhi: Jemi në momentet ku disa bashki rrezikojnë të falimentojnë, është justifikim çëshjta e vendimeve gjyqësore, apo vjen nga keqmenaxhimi?
Çoçoli: Janë të dyja bashkë, nuk mund të jetë justifikim, është keqmenaxhim i pastër. Duke folur për investimet që kanë qenë para zgjedhjeve vendore, kanë marrë përsipër për të fituar pikë para qytetarëve me investime që nuk i kanë patur fondet përkatëse. Është thjeshtë ai asfalti elektoral, që e kemi shpërdoruar shumë për të marrë votën e qytetarit, janë shpenzime të pa llogaritura mirë. Duke përfituar nga statusi i pavarësisë kanë shtrirë këmbët më shumë se jorgani, bëhet fjalë për mbi 6 milionë euro. Në tërësi është një sëmundje e vjetër e të gjithë administratës tonë publike. Mund të them se në rang të të gjithë vendin në një raport të KLSH janë deri në 17 milionë euro borxhe të akumuluara, një pjesë e këtyre ju përkasin Bashkive. Këtu është përgjegjësi e plotë e vetë kryetarëve të bashkive, të cilët në rrotacion me njëri tjetrin kanë hequr njerëz me pa të drejtë nga puna, dhe më pas ata kanë hedhur në gjyq institucionin duke marrë shumë para, shumë rroga shtesë.
/T.H/Abcnews.al/