Ekspertët e aviacionit po analizojnë një strukturë “të pazakontë” betoni pranë pistës së aeroportit dhe rolin e saj në aksidentin ajror të kompanisë koreano-jugore Jeju Air, ku humbën jetën 179 persona.
Në video, shihet që aeroplani doli nga pista, goditi një mur betoni dhe më pas mori flakë. Aksidenti ndodhi të dielën, më 29 dhjetor, në qytetin Muan të Koresë së Jugut. Autoritetet po hetojnë edhe rolin e strukturës prej betoni, e cila ndodhej 250 metra nga fundi i pistës.
Eksperti i sigurisë ajrore, David Learmount, mendon se shumica e pasagjerëve do të kishin mbijetuar nëse muri nuk do të kishte qenë aty. Piloti njoftoi se aeroplani ishte përplasur me zogj dhe më pas anuloi uljen fillestare, duke kërkuar leje për t’u ulur nga drejtimi i kundërt, shkruan bbc.
Aeroplani u ul në një pistë prej 2800 metrash, dhe duket se ulja u bë pa përdorur rrotat. Learmount e vlerësoi uljen mbi trupin e aeroplanit si më të mirën e mundshme dhe vuri në dukje se aeroplani nuk pësoi dëme të mëdha ndërsa rrëshqiste mbi pistë.