Nisesh për të bërë diçka dhe harron për çfarë je nisur. Takon dikë dhe në atë çast nuk të kujtohet emri, apo situata të tjera të ngjashme.
Shpesh shumë të rinjë ankohen për atë që specialistët e cilësojnë si përhumbje e trurit apo humbje e shkurtër e kujtesës.
Por mjekët neurolog qetësojnë dhe thonë se jo çdo problem me kujtesën ka të bëjë me një sëmundje degjenerative të trurit në të ardhmen.
“Një humbje kujtese nuk është gjithmonë një demencë. Veçanërisht nëse ndodh tek moshat e reja duhet të marrë shumë në konsideratë pjesa e mbingarkesës, stresit, lodhjes, një çrregullim metabolik, një faktor gjenetik nëse ndodh një fenomen i harresës, një episod, por në koherencë dhe pastaj të mund të emërtohet se nëse është demencë apo diçka tjetër.”
Një episod i humbjes se kujtesës mund të jetë pasojë e një dite të mbingarkuar por sipas mjekëve dhe I disa faktorëve të tjerë.
“Ka shumë faktorë që mund të çojnë në çrregullime konjitive, mund të jenë dhe thjeshtë metabolike që vjen si rezultat I një anemie, mungesë vitamine a, d, b12, çrregullim metabolik që mund të vijë si pasojë e një pathologjie të tiroides.”
Për një memorie të fortë neurologët rekomandojnë dietë të mirë ushqimore, aktivitet fizik , lexim dhe ushtrime për të mbajtur trurin në formë.
“Një mendje e shëndoshë në një trup të shëndoshë. Duhet që një individ të ketë një ushqyerje të mirë, të bësh një jetë aktive, lexime dhe aktivitet që të mbajnë mendjen më aktive.”
Këshilla e mjekëve është për të mos neglizhuar humbjet e kujtesës qoftë dhe afatshkurtra kur ato ndodhin pas moshës 60 vjeç. Ndërkohë studimet tregojnë se rreziku për një sëmundje degjenerative të trurit ulet më 40% nëse mban nën kontroll faktorë si problemet me shikimin, dëgjimin, hipertensionin apo diabetin./abcnews.al

