Pse Evropa duhet ta rrisë mbështetjen ndaj shoqërisë civile

schedule10:08 - 25 Dhjetor, 2021

schedule 10:08 - 25 Dhjetor, 2021

Nga Judy Dempsey “Carnegie Europe

Njerëzit grumbulloheshin në dhomat e vogla të ndenjes. Shpeshherë aty kishte vetëm vend për të qëndruar në këmbë, ose nuk kishte fare. Pikërisht atje ata dëgjonin leksionet që mbaheshin nga historianë, filozofë, shkrimtarë apo dramaturgë.

Kjo ishte Praga para vitit 1989, kur regjimi komunist u rrëzua nga pushteti pas disa javësh protesta paqësore. Leksionetu mbajtën nga akademikët që ishin përjashtuar nga puna pas Pranverës së dështuar të Pragës të vitit 1968. Brenda natës, shumë prej tyre – përfshirë të ndjerin Václav Havel -presidenti i fundit i Çekosllovakisë dhe presidenti i parë i Republikës Çeke -u burgosën ose u detyruan të bënin punë të rëndomta për të siguruar jetesën.

Ditën, disa prej tyre ndiznin furrat e bukës ose pastronin tualetet publike. Natën, shkonin në “universitetet ilegale”, qoftë në Pragë, Krakov, Varshavë apo qytete të tjera në Evropën Qëndrore. Ai ishte një lloj i veçantë i shoqërisë civile. Organizatorët e këtyre seminareve private, ishin të vendosur të mbronin mendimin e pavarur.

Dhe ata ishin të vendosur të debatonin mbi historinë, të cilën regjimet komuniste në të gjithë këtë pjesë të Evropës donin ta monopolizonin, për të shitur interpretimin e tyre të së kaluarës.

Në Rusi, Memoriali ishte halë në sy për Kremlinin.Që kur u themelua mbi 30 vjet më parë, me shumë për meritë të disidentit më të shquar të vendit Andrei Sakharov, ata që punonin në  Memorial u përpoqën që të zbulonin dhe demaskonin të kaluarën e zymtë staliniste.

Ata krijuan një arkiv të jashtëzakonshëm dhe unik, i cili hodhi dritë mbi një periudhë kaq të errët të historisë ruse. Memoriali nuk ishte vendimtar vetëm për dokumentimin e së kaluarës. Ai ishte edhe katalizatori për themelimin e organizatave të tjera të shoqërisë civile, që do të plotësonin punën e tij.

“Sulmi ndaj Memorialit është një dimension i ri i luftës së shtetit kundër shoqërisë civile.

Ai është një simbol shumë i rëndësishëm i shoqërisë civile ruse”- deklaroi Sabine Fischer, eksperte ruse në Institutin Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (SWP) me seli në Berlin.

Për presidentin rus Vladimir Putin, shqyrtimi i së kaluarës nga Memoriali, dhe apeli i tij për aktivistët përbënte një sfidë. Ajo e dëmtonte narrativën e promovuar nga Kremlinit mbi epokën staliniste, dhe e dëmtonte kontrollin e tij mbi aktivitetet e pavarura.

Tani Memorial dhe Memorial International, ombrella e organizatës, akuzohen për shkelje të ligjit mbi “agjentët e huaj” të Moskës, të cilin autoritetet e kanë përdorur për t’i mbyllur gojën zërave të pavarur.

“Shteti e ka kriminalizuar veprimtarinë e organizatave civile. Dhe tani po kriminalizon edhe kujtimin e viktimave të shtetit”- shkroi Andrei Kolesnikov, bashkëpunëtor i think-tankut “Carnegie Moscow Center”.Goditja ndaj organizatave të pavarura, ka sjellë sndikimin e saj edhe në Bjellorusi.

Pas demonstratave paqësore kundër zgjedhjeve presidenciale të manipuluara në gushtin e vitit 2020 që i dhanë Alexander Lukashenkos një mandat të pestë radhazi, ai është përpjekur pa mëshirë që të shtypë shoqërinë civile apo çdo lloj aktiviteti të pavarur.

Mijëra njerëz të moshave të ndryshme ndodhen aktualisht në burg. Vlerësohet se ka rreth 700 të burgosur politikë. Lukashenko dhe Putin po bëjnë gjithçka që kanë në dorë për të shtypur shoqërinë civile. Kjo është ajo që u përpoqën të bënin regjimet komuniste para vitit 1989.

Ekzistenca e universiteteve të fshehta, formimi i Komitetit të Mbrojtjes së Punëtorëve të Polonisë (KOR) që u shndërrua në lëvizjen Solidarnost në vitin 1980, krijimit i Kartës 77 në ish-Çekosllovaki, treguan se si pavarësisht represionit, njerëzit ishin mjaftueshëm të guximshëm për të krijuar dhe mbrojtur një hapësirë, të ciline urrenin regjimet komuniste.

Që atëherë, këto regjime ose janë shembur ose janë transformuar në struktura pushteti, që shpesh i konsiderojnë si kërcënim aktivistët dhe organizatat e shoqërisë civile. Për shembull pas viteve të korrupsionit të shfrenuar dhe pushtetit të dominuar nga oligarkët, shoqëria civile dhe qytetarët në Moldavi nuk e durojnë më këtë situatë.

Ky vend, i udhëhequr nga një qeveri e re pro-evropiane, ka më në fund shansin qëtë ndërmarrë reforma ekonomike dhe politike. Ashtu si aktivistët e shoqërisë civile, akademikë, avokatë, shkrimtarë, studentë dhe sindikalistë në Bjellorusi, Rusi dhe vende të tjera në kufi me BE-në, edhe ata në Molvadi kanë nevojë për sa më shumë ndihmë nga qeveritë evropiane.

BE-ja ka mbështetur prej kohësh organizatat e shoqërisë civile në vendet partnere. Ndihma e saj financiare për Ukrainën, ku Gjermaninë luan një rol të madh, po jep dalëngadalë frytet e veta. Ukraina ka tani një shoqëri civile shumë aktive, që është e fokusuar intensivisht në luftimin e korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit dhe krijimin e një gjyqësori të pavarur.

Detyra është monumentale, dhe jo falë oligarkëve që i kanë rezistuar vazhdimisht reformave.

Më 14 dhjetor 2021, BE miratoi programin e Organizatave të Shoqërisë Civile të Evropës Globale, me vlerë 1.5 miliardë euro për periudhën 2021-2027. “Organizatat e shoqërisë civile janë jetike për respektimin e të drejtave të njeriut, sundimin e ligjit, demokracinë dhe stabilitetin”- thotë Komisioni Evropian.

Kjo është e mirëseardhur. Por çfarë ndodh me aktivistët e burgosur në Bjellorusi dhe Rusi? Po akademikët, shkrimtarët, gazetarët dhe avokatët e dëbuar? Si mund të ndihmohen ata?

Gjatë viteve 1980, universitetet në Britani dhe vende të tjera të Evropës Perëndimore u përpoqën t’i mbështesnin homologët e tyre në Varshavë, Pragë apo Budapest duke u ofruar libra, duke i ftuar akademikët për të dhënë leksione në Perëndim, dhe duke u përpjekur t’i mbanin ata larg izolimit.

Sot, universitetet dhe institucionet e tjera akademike në Evropë, po përpiqen të gjejnë mënyra për të mbështetur aktorët e shoqërisë civile në Rusi dhe Bjellorusi.“Shoqëria Gjermane për Studimet e Evropës Lindore, dëshiron që Gjermania të ndërtojë një lloj qendre për studiuesit dhe akademikët”- thotë Gabriele Freitag, drejtoresha e saj.

Akademikët në Rusi dhe Bjellorusi gjenden nën një presion të madh. Nga këndvështrimi i Gjermanisë, nuk po zbatohen ende politikat pro-aktive. “Ne duhet të mbështesim aktivistët që mbrojnë lirinë. Duhet të vazhdojmë t’i ftojmë, të mbajmë kontakte, t’u ofrojmë bursa.

Duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të mbështetur shoqërinë civile. Por kjo është shumë e vështirë për shkak të ligjit mbi agjentët e huaj”-thotë Alexander Libman, ekspert rus në Universitetin e Lirë të Berlinit. Dhe kjo është pikërisht ajo që u përpoqën të bënin universitetet sekrete në Pragë dhe Varshavë mbi 30 vjet më parë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!