Pse e djathta ekstreme e ringjallur po i mohon gjenocidet në Ballkan

schedule10:01 - 21 Dhjetor, 2021

schedule 10:01 - 21 Dhjetor, 2021

Nga Menachem Z.Rosensaft “Haaretz

“Mohuesit e Holokaustit, ashtu si mohuesit e gjenocidit në Srebrenicë, përdorin të njëjtat metoda skandaloze. Ata i minimizojnë këto ngjarje, deri në mohimin e tyre të plotë, dhe në fund glorifikojnë kriminelët e dënuar të luftës”.

Ky ishte mesazhi i theksuar në një letër dërguar këtë muaj nga Ministrja e Jashtme boshnjake Bisera Turkovic ndaj homologut të saj izraelit, Lair Lapid. Ajo po e informonte Lapid se dy parti politike boshnjake që përfaqësojnë përkatësisht serbët dhe kroatët e Bosnjës, kanë krijuar një aleancë jo të shenjtë në parlamentin e Bosnje Hercegovinës, në një përpjekje për të dekriminalizuar mohimin e gjenocideve dhe krimeve kundër njerëzimit në atë vend.

Nuk ka asnjë dyshim se ky zhvillim shqetësues, nuk duhet të jetë i papritur për askënd. Është tashmë një fakt që mohimi i gjenocidit po përdoret gjithnjë e më shumë si taktikë politike, dhe kështu ndodh gjerësisht në Ballkan dhe jo vetëm në Bosnje Hercegovinë.

Elementët e ekstremit të djathtë si në Kroaci po ashtu edhe në Bosnje Hercegovinë kanë bërë prej vitesh përpjekje të mëdha për t`i pastruar historitë e tyre përkatëse kombëtare.

Ultra-nacionalistët kroatë në të dyja vendet i minimizojnë, shtrembërojnë, dhe në disa raste e mohojnë plotësisht rolin e kroatëve dhe përgjegjësinë e tyre për një aspekt të tmerrshëm të Holokaustit. Edhe në Republika Srpska, entiteti përbërës serb i Bosnje Hercegovinës, ka përpjekje të përhapura dhe shpesh të koordinuara për të hedhur poshtë përcaktimet gjyqësore dhe morale, se trupat serbe të Bosnjes kryen një gjenocid në Srebrenicë në korrikun e vitit 1995.

Në të ashtuquajturin Shteti i Pavarur i Kroacisë, një shtet kukull i nazistëve i krijuar në vitin 1941 nga ajo që kishte qenë dikur Mbretëria e Jugosllavisë, ustashët që kishin një fanatizëm të madh nacionalist dhe separatist, vranë qindra mijëra serbë dhe dhjetëra mijëra hebrenj, si dhe shumë antifashistë romë dhe kroatë midis viteve 1941-1945.

Si pjesë e skemës së tyre gjenocidale, ustashët krijuan një rrjet kampesh përqendrimi, famëkeqe për brutalitetin e tyre, dhe të krahasueshme me barbarinë e kampeve naziste të vdekjes. Kampi më famëkeq i tyre ishte ai i Jasenovac, i etiketuar shpesh si “Aushvici i Ballkanit”, ku sipas Muzeut Memorial të Holokaustit në SHBA, u vranë 77.000-99.000 serbë, hebrenj, romë, dhe kroatë kundërshtarë të regjimit të ustashëve.

Vitet e fundit ka një seri përpjekjesh të bashkërenduara nga elementët kroatë të së djathtës ekstreme për të rehabilituar dhe legjitimuar ustashët, duke i karakterizuar pasuesit e tyre si patriotë dhe jo si vrasës gjakftohtë dhe kriminelë lufte.

Në vitin 2016, regjisori kroat Jakov Sedlar, realizoi një film dokumentar me titull “Jasenovac:E vërteta”, ku Jasenovacin cilësohej si një kamp pune “i mirë”, teksa pretendohej se numri i viktimave ishte shumë i ekzagjeruar. Pasi mori pjesë në premierën e filmit, Ministri kroat i Kulturës e vlerësoi në atë kohë dokumentarin si “mënyrën më të mirë për të hedhur më në fund dritë mbi një sërë aspektesh të diskutueshme në historinë kroate”.

Ndërkohë, politikanët kroatë, por edhe figurat më të njohura të kulturës dhe sportit, kanë bërë përpjekje të mëdha për ta kthyer në modë moton luftarake ustashiane “Za dom spremni!” (Gati për atdheun!) – analoge me përshëndetjen e nazistëve“Sieg Heil!”- dhe për t’i dhënë një lloj legjitimiteti bashkëkohor ustashëve dhe pasardhësve të tyre të sotëm ideologjikë të ekstremit të djathtë.

Ndërkohë, faktet në lidhje me gjenocidin e Srebrenicës janë vërtetuar plotësisht. Brenda disa ditësh duke filluar nga 11 korriku 1995, forcat paraushtarake serbe të Bosnjës të komanduara nga gjenerali Ratko Mlladic vranë rreth 8.000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë midis moshës 12-77 vjeçare nga enklava e Srebrenicës.

Me vonë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Annan e quajti “një krim të tmerrshëm, dhe më të rëndin të kryer në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”. Po ashtu trupat e Republika Srpska dëbuan me dhunë rreth 25,000 gra, fëmijë dhe burra të moshuar boshnjakë nga Srebrenica.

Në vend se të pranojnë përgjegjësinë për masakrën, politikanët ultra-nacionalistë të Republika Srpska dhe bashkëpunëtorët e tyre, i kanë kaluar 26 vitet e fundit duke mohuar se ajo që ndodhi në Srebrenicë përbënte një gjenocid. Në vend të kësaj ata po sajojnë paturpësisht një skenar alternativ dhe të rremë.

Kështu, Milorad Dodik, anëtari serb i presidencës trepalëshe të Bosnje Hercegovinës, e ka quajtur gjenocidin e Srebrenicës një “mit të sajuar”, duke shtuar se myslimanët boshnjakë “nuk kishin një mit, ndaj vendosën të ndërtonin një të tillë rreth Srebrenicës”. Dodik ka deklaruar së fundmi se “gjenocidi nuk ka ndodhur, dhe serbët nuk duhet ta pranojnë kurrë atë”.

Edhe Ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin,është shprehur se “populli serb është i mbijetuar dhe jo autor i gjenocidit”. Ndërkohë presidentja e Republika Srpska, Zeljka Cvijanoviç, thotë se vrasja e boshnjakëve nga serbët e Bosnjes në Srebrenicë, ishte një hakmarrje për “krimete luftës kundër serbëve” që supozohet se janë kryer nga forcat myslimane të Bosnjes.

Ndërkaq, murale të mëdha në të gjithë Republikën Srpska lavdërojnë Mladic, i cili është dënuar për gjenocid nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, dhe po vuan dënimin më burgim të përjetshëm. Kjo sjellje, është njësoj si ta shndërrosh Adolf Eichmann në një hero popullor.

Në korrik 2021, një komision i supozuar “i pavarur”, i emëruar nga autoritetet e Republikës Srpska dhe i kryesuar nga izraeliti Gideon Greif, publikoi një raport të gjatë prej më shumë se 1000 faqesh, i cili bie ndesh me gjetjet e qarta dhe të qëndrueshme nga Gjykata Ndërkombëtare të Drejtësisë se në Srebrenicë është kryer vërtet një gjenocid.

Raporti i Greif i paraqet vazhdimisht boshnjakët si agresorë dhe serbët e Bosnjës si viktima, në një rishkrim të historisë që të kujton justifikimet e Ministrit të Propagandës së Rajhut të Tretë, Joseph Goebbels për antisemitizmin nazist gjerman. Këto mendësi dhe përkrahësit e tyre janë ende shumë të dukshme.

Prandaj, përpjekjet e vazhdueshme dhe të pacipa për të mohuar dhe shtrembëruar këto mizori të tmerrshme në Kroaci, Republika Srpska dhe gjetkë, nuk tregojnë vetëm një falimentimin moral dhe ideologjik të mohuesve të gjenocidit. Ato janë tregues i qëndrueshmërisë dhe ringjalljes së ekstremizmit politik që siguroi terren pjellor për ndodhjen e atyre gjenocideve. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: Menachem Z.Rosensaft, zëvendëspresident ekzekutiv dhe këshilltar i përgjithshëm i Kongresit Botëror Hebre.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!