Check-up ose kontrolli mjekësor periodik është një paketë ekzaminimesh laboratorike dhe imazherike që kryhen për identifikimin dhe parandalimin në një stad ende jo të avancuar të sëmundjeve të ndryshme.
Pse duhet kryer?
Pothuaj çdo çrregullim shëndetësor që do të gjenerojë më vonë në një sëmundje, shfaqet në rezultatet e check-up-it si prishje e ekuilibrave biokimikë dhe e diagnostikuar në fazat fillestare bën të mundur parandalimin dhe kurimin e hershëm. Pa asnjë dallim moshe apo seksi, check-up është një nga metodat më efektive të mjekësisë parandaluese që ka gjetur një aplikim të gjerë.
Sot, në sajë të avancimit të mundësive që mjekësia ofron, arrihet të parandalohen ose kurohen një numër i madh sëmundjesh si diabeti, sëmundje të arterieve koronare, dislipidemia që është një nga shkaqet kryesore të sëmundjeve të arterieve, sëmundje pulmonare, sëmundje të mëlçisë të shkaktuara nga hepatiti ose alkooli, tipe të ndryshme të anemise, kancerin e gjirit, uterusit, prostates, aparatit tretës ose pankreasit, osteoporoza etj.
Check-up ka një rendesi të veçantë për personat me një histori familjare të një semundje të caktuar, pra nëse mbartin faktorë rreziku për këtë sëmundje.Ankesat e pacientit, historiku personal dhe familjar, mënyra e jetesës, ushqyerjes dhe aktivitetit fizik janë shumë domethënëse në përcaktimin e një diagnoze të saktë. Analizat laboratorike pa këto të fundit janë të pamjaftueshme.
Vizita e mjekut, ekzaminimet imazherike radiologjike dhe ekzaminimet e avancuara si ultrasonografia dhe tomografia bashkë me analizat e detajuara të gjakut e urinës plotësojnë një paketë të plotë check-up-i. Ky kontroll duhet kryer periodikisht pa u lënë pas dore, sidomos në moshat mbi mesataren dhe te personat me histori familjare për një sëmundje të caktuar ky grup ekzaminimesh duhet kryer çdo gjashtë muaj. /abcnews.al