Pse çmimet e ushqimeve nuk do të bien gjatë vitit 2022?

schedule19:35 - 16 Janar, 2022

schedule 19:35 - 16 Janar, 2022

Të gjitha prodhimet ushqimore – nga kafeja deri te mustarda – do të shtrenjtohen në vitin 2022.

Çmimet janë rritur edhe gjatë vitit të kaluar, por do të rriten edhe pesë për qind në gjysmën e parë të këtij viti, vlerëson firma kërkimore IRI e Shteteve të Bashkuara, shkruan Wall Street Journal.

Niveli i rritjes do të ndryshojë, varësisht dyqaneve dhe rajoneve.

Pandemia e koronavirusit, në fakt, ka pasur efekt të papritur në çmime. Në fillim të vitit 2020, kur pjesa më e madhe e botës është izoluar, ka pasur shqetësime se mbyllja e kufijve do të shkaktojë rritje çmimesh, por ato gati se nuk kanë lëvizur fare.

Vetëm disa muaj më vonë, kur pandemia dukej se ishte qetësuar në botën e pasur dhe kur ekonomitë kanë nisur të rihapen, çmimet kanë filluar të rriten me shpejtësi alarmante.

Deri në maj të vitit 2021, ato kanë arritur pikën e tyre më të lartë qysh në vitin 2011, pasi, sipas indeksit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi, janë rritur për 40 për qind brenda një viti.

Në vitin 2022, të njëjtat forca që kanë shkaktuar këtë rritje, do të vazhdojnë të krijojnë probleme, shkruan Economist, që do të thotë se ka pak mundësi që çmimet të bien.

Faktori kryesor që e shpjegon rritjen, është shpërthimi i gripit të derrit në Kinë në vitin 2018, i cili ka përgjysmuar numrin e derrave.

Kjo e ka detyruar këtë vend të importojë shumë mish derri dhe burime alternative të proteinave, gjatë viteve 2019 dhe 2020, gjë që i ka reduktuar furnizimet globale.

Situata është dukur si më e qetë kah mesi i vitit 2021, por përhapja e koronavirusit ka rritur frikën për valë të reja.

Kjo frikë do të vazhdojë në vitin 2022 dhe do t’i mbajë të paqëndrueshme tregjet ushqimore, shkruan Economist.

Faktor tjetër që ka rritur çmimet, kanë qenë disa vonesa logjistike, të shkaktuara nga rihapja e tregtisë ndërkombëtare në kohën kur pandemia vazhdonte t’i ngufaste disa aktivitete.

Mungesa e kontejnerëve, si dhe mosqarkullimi i shumë avionëve, që shpesh transportojnë ushqime më delikate, bëjnë që transporti i frutave dhe perimeve të freskëta të jetë ende i vështirë.

Ushqimet kryesore, si drithërat dhe sheqeri, transportohen me shumicë në anije të mëdha, por edhe atje kapaciteti është i kufizuar.

Nuk ndihmon as fakti që çmimet e naftës janë rikuperuar. Inflacioni është rritur në çdo gjë, nga plehrat dhe kimikatet deri te kostot e transportit tokësor dhe oqeanik.

Kushtet e motit, problemi kryesor

Megjithatë, burimi më i madh i pasigurive – si gjithmonë në bujqësi – është moti.

Në fillim të vitit 2021, çmimet janë rritur pjesërisht si rezultat i thatësirës në rajonet prodhuese të drithërave të Amerikës Veriore dhe Jugore.

Kushtet e mbjelljes dhe korrjes janë përmirësuar gjatë vitit të kaluar, por shkencëtarët tani mendojnë se ka një probabilitet të lartë që një tjetër telash i këtij lloji, siç është fenomeni La Nino, i cili ka prishur modelet klimatike një vit më parë, të ndodhë gjatë dimrit.

Ndërkohë, fatkeqësitë që janë bërë më të shpeshta, të tilla si përmbytjet dhe zjarret në pyje, tani mund t’i dëmtojnë më seriozisht prodhimet në hambarë.

Ngjarjet ekstreme të motit në vitin 2021 kanë shkaktuar rritje të çmimeve të produkteve bujqësore, të cilat do të mbesin të tilla edhe në vitin 2022, për shkak se kushtet e pazakonta që kanë dëmtuar të korrat, kanë sjellë mungesa të vazhdueshme, shkruan Financial Times.

Çmimet e mallrave që përfshijnë kafenë braziliane, patatet belge dhe bizelet e verdha kanadeze, janë rritur ndjeshëm vitin e kaluar, për shkak të temperaturave ekstreme dhe përmbytjeve.

Shkencëtarët kanë paralajmëruar se këto kushte do të bëhen më të shpeshta dhe më intensive, si pasojë e ndryshimeve klimatike.

Ngricat e forta në Brazil kanë goditur prodhimin e kafesë atje, në muajin korrik, duke i çuar çmimet në nivelet më të larta në gati shtatë vjet.

Moti në Brazil vazhdon të jetë i paqëndrueshëm, duke rritur shqetësimet për dëme të tjera në të korra.

“Bujqësia është një nga sektorët më të ekspozuar ndaj ndryshimeve klimatike”, sipas një raporti të Institutit të Stokholmit për Mjedisin.

Sipas tij, rreziqet janë “shumë herë më të mëdha” se mundësitë.

Pritshmëritë në vitin 2022

Normat e inflacionit duket se do të vazhdojnë të ndikojnë në industrinë ushqimore dhe të shkaktojnë rritje të çmimeve, shkruan Fortune.

“Inflacioni e tejkalon rritjen e të ardhurave të familjeve dhe ndikon shumë në besimin e konsumatorëve, i cili është në nivel të ulët. Është vetëm çështje kohe përpara se të ndikojë në konsum në mënyrë materiale”, ka thënë analisti financiar, Greg McBride, në një intervistë për Fortune, në muajin dhjetor.

Kompania kërkimore IRI vlerëson se çmimet do të ndryshojnë në varësi të llojit të ushqimit, por edhe rajonit.

“Me rritjen e inflacionit, disa kompani të mëdha bëjnë rritje shtesë të çmimeve”, thuhet në raportin e IRI-t.

“Shohim se ndjeshmëria në çmime shfaqet për artikujt e përditshëm, si mishi, , shpendët e ngrirë dhe ushqimi për kafshët shtëpiake”, thuhet në raport.

Megjithatë, shkruan Economist, çmimet ka të ngjarë të mbeten nën vlerat e arritura në periudhën 2007-2008, kur frika globale për mungesë ushqimesh ka nxitur trazira në mbarë botën.

Shumica e vendeve kanë shmangur llojin e masave proteksioniste, si ndalimet e eksporteve dhe grumbullimi, që kanë ndezur krizën në atë kohë.

Pjesa më e madhe e ushqimit që njerëzit konsumojnë, përpunohet, që do të thotë se çmimi më i lartë i lëndëve të para shpesh absorbohet nga ata që e transportojnë, përpunojnë dhe shesin.

Por, artikujt e shtrenjtuar bujqësorë do të vazhdojnë të shkaktojnë dëme të mëdha në vendet në zhvillim, sepse popullsia e tyre ha shumë më pak ushqime të përpunuara: më shumë vezë dhe drithëra, më pak çokollata dhe ushqime të gatshme.

Dëmi do të përkeqësohet edhe nga problemet tjera që i kanë goditur më shumë vendet e varfra, të tilla si zhvlerësimi i monedhave lokale, kufizimet dhe ndërprerjet që lidhen me pandeminë dhe humbja e të ardhurave familjare për shkak të pandemisë dhe pasojave të saj.

Vaksinimi kundër koronavirusit do të ishte një ilaç i fuqishëm, shkruan Economist, në mënyrë që ekonomitë jashtë botës së pasur, të rihapen dhe të ardhurat e tyre të fillojnë të rriten përsëri./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!