Nga Joseph R.Biden, Foreign Affairs*
Sipas gati çdo parametri, besueshmëria dhe ndikimi i Shteteve të Bashkuara në botë janë zvogëluar që kur presidenti Barak Obama dhe unë lamë detyrën më 20 Janar 2017. Presidenti Donald Trump ka nënçmuar, sabotuar dhe në disa raste braktisur aleatët dhe partnerët e SHBA.
Ai ka shpërfillur profesionistët, diplomatët dhe komunitetet tona të inteligjencës. Dhe ka inkurajuar kundërshtarët tanë, e ka shpërdoruar forcën tonë, duke mos u përballur si duhet
me sfidat e sigurisë kombëtare nga Koreja e Veriut në Iran, nga Siria në Afganistan në Venezuelë.
Ai ka filluar luftëra tregtare të keq-këshilluara, si kundër miqve ashtu edhe armiqve të Shteteve të Bashkuara, të cilat po e dëmtojnë shtresën e mesme amerikane. Ndërkohë, sfidat globale me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara – nga ndryshimi i klimës dhe emigrimi masiv, tek përçarjet teknologjike dhe sëmundjet infektive – janë bërë më komplekse dhe më urgjente, ndërsa përparimi i shpejtë i autoritarizmit, nacionalizmit dhe anti-liberalizmit e ka dëmtuar aftësinë tonë për t’i përmbushur ato në mënyrë kolektive.
Presidenti i ardhshëm i SHBA do të duhet të shpëtojë reputacionin tonë, të rindërtojë besimin tek udhëheqja jonë, dhe të mobilizojë vendin dhe aleatët tanë për të përmbushur me shpejtësi sfidat e reja. Nuk ka kohë për të humbur. Si president, unë do të ndërmarr hapa të menjëhershëm për të ripërtërirë demokracinë dhe aleancat amerikane, për të mbrojtur të ardhmen ekonomike të Shteteve të Bashkuara, në mënyrë që Amerikan të udhëheqë sërish botën.
Së pari dhe më e rëndësishmja, ne duhet të riparojmë dhe ringjallim demokracinë amerikane, teksa duhet të forcojmë koalicionin e demokracive që janë me ne në mbarë botën. Aftësia e Shteteve të Bashkuara për të qenë një forcë e progresit në botë dhe për të mobilizuar veprime kolektive, fillon në vendin tonë.
Prandaj unë do të reformoj sistemin tonë arsimor, në mënyrë që mundësia e një fëmije në jetë, të mos diktohet nga kodi postar apo raca e tij, do të reformojë sistemin e drejtësisë penale, për të eleminuar pabarazitë dhe dhënë fund epidemisë së burgosjes masive, për të rivendosur të drejtat e votimit për të gjithë, për të rikthyer transparencën dhe llogaridhënien tek qeveria jonë.
Si komb, ne duhet t’i provojmë botës se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të udhëheqin përsëri – jo vetëm me shembullin e fuqisë sonë, por edhe me fuqinë e shembullit tonë. Për këtë qëllim, si president, unë do të hedh hapa vendimtarë për të ripërtërirë vlerat tona thelbësore.
Unë do të ndryshoj politikat mizore dhe të pakuptimta të administratës Trump, që ndajnë prindërit nga fëmijët e tyre në kufi; do t’i jap fund politikave të dëmshme të Trump mbi regjimin e azilit; do të pezulloj ndalimin e udhëtimit për disa vende myslimane; do të rikthej kuotën vjetore 125.000 të pranimit të refugjatëve.
Unë do të garantoj që Shtëpia e Bardhë të jetë edhe një herë mbrojtësja më e madha –
dhe jo sulmuesja më e madhe – e shtyllave thelbësore dhe institucioneve të vlerave tona demokratike, nga respektimi i lirisë së shtypit, te mbrojtja dhe sigurimi i së drejtës së shenjtë të votës, në përkrahjen e pavarësisë së gjyqësorit.
Sot, demokracia është më shumë nën presion se në çdo periudhë që nga vitet 1930. Nga Hong Kongu në Sudan, Kili në Liban, qytetarët po na kujtojnë edhe një herë dëshirën e përbashkët për qeverisje të ndershme dhe urrejtjen universale ndaj korrupsionit.
Dhe teksa demokracitë e botës shohin nga Shtetet e Bashkuara, Trump flirton me autokratët ndërsa tregon përçmim për demokratët. Gjatë vitit tim të parë në detyrë, Shtetet e Bashkuara do të organizojnë një Samit global për Demokracinë, për të ripërtërirë frymën dhe synimin e përbashkët të kombeve të botës së lirë.
Ky samit do të bëjë bashkë demokracitë e botës, për të forcuar institucionet tona demokratike, për t’u ballafaquar me ndershmëri me kombet që janë pas në këtë proces, dhe për të krijuar një agjendë të përbashkët. Duke u bazuar në modelin e suksesshëm të vendosur gjatë administratës Obama-Bajden me Samitin e Sigurisë Bërthamore, Shtetet e Bashkuara do t’i japin përparësi rezultateve, duke simuluar angazhime të reja të rëndësishme në tre fusha: lufta ndaj korrupsionit, mbrojtja kundër autoritarizmit dhe avancimi i të drejtave të njeriut në kombet e tyre dhe jashtë vendit.
Në Samit unë do të shpall një direktivë të politikës presidenciale, që përcakton se lufta
ndaj korrupsionit është një interes thelbësor i sigurisë kombëtare dhe i llogaridhënies demokratike. Njëherazi unë do të drejtoj përpjekjet ndërkombëtare për të bërë transparencë në sistemin financiar global, do të godas parajsat e paligjshme fiskale, të sekuestroj pasuritë e vjedhura, dhe t’ua bëj më të vështirë jetën udhëheqësve që vjedhin nga njerëzit e tyre, për t’i fshehur paratë pas kompanive anonime.
Samiti për Demokracinë, do të përfshijë gjithashtu organizatat e shoqërisë civile nga e gjithë bota, që janë në frontin e parë në mbrojtje të demokracisë. Ndërkohë, Kina përfaqëson për botën një sfidë të veçantë. Ajo po e zgjeron ndikimin e saj global, duke promovuar modelin e vet politik dhe investuar në teknologjitë e së ardhmes.
Shtetet e Bashkuara duhet të kenë një qasje më të ashpër me Pekinin. Nëse Kina lejohet të vazhdojë këtë rrugë, ajo do të vazhdojë të grabisë Shtetet e Bashkuara dhe kompanitë amerikane të teknologjisë dhe pronësinë e tyre intelektuale.
Mënyra më efektive për ta realizuar këtë sfidë është të ndërtojmë një front të bashkuar të aleatëve dhe partnerëve amerikanë, për t’u përballur me sjelljet abuzive të Kinës dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, edhe kur kërkojmë bashkëpunimin e Pekinit për çështje ku interesat tona bashkohen, si ndryshimi i klimës, mos-hapja e armëve bërthamore, dhe sigurinë globale të shëndetit.
NATO është në zemër të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, dhe “kulla” e idealit demokratik liberal – një aleancë vlerash, që e bën atë shumë më të qëndrueshme, më të besueshme dhe të fuqishme sesa partneritetet e ndërtuara me imponim ose para.
Si president, unë do të bëj më shumë sesa thjesht të rivendos partneritetet tona historike. Rusia ka frikë nga një NATO e fortë, aleanca më efektive politiko-ushtarake në historinë moderne. Për t’iu kundërvënë agresionit rus, ne duhet t’i mbajmë të mprehta aftësitë ushtarake të aleancës, teksa zgjerojmë kapacitetin e saj për t’u përballur me kërcënimet jo-tradicionale, si korrupsioni, dezinformimi dhe vjedhja kibernetike.
Ne duhet t’i imponojmë Rusisë kosto reale për shkeljet e normave ndërkombëtare, dhe të mbështesim shoqërinë civile ruse, e cila me guxim ka rezistuar herë pas here kundër sistemit autoritar kleptokratik të presidentit Vladimir Putin.
U takon Shteteve të Bashkuara të udhëheqin sërish botën. Asnjë komb tjetër nuk e ka këtë kapacitet. Ne duhet të mbështesim lirinë dhe demokracinë, të rifitojmë besueshmërinë tonë në botë, dhe të shohim me optimizëm dhe vendosmëri të paepur drejt së ardhmes sonë. /Përktheu Alket Goce-abcnews.al/