Pse Al-Kaeda nuk do të rikthehet në Afganistan

schedule12:13 - 5 Maj, 2021

schedule 12:13 - 5 Maj, 2021

Nga Baker Atyani, Arab News

Në orën 7 të mëngjesit të datës 2 maj 2011, isha në aeroportin e Islamabadit në Pakistan duke hipur në një avion që shkonte për në Dubai, kur një gazetar nga Kabuli më dërgoi një mesazh ku më pyeste nëse kisha dëgjuar një thashethem:që Osama bin Laden ishte vrarë në një sulm amerikan në Pakistan.

Disa orë më parë, një gazetar pakistanez më kishte dërguar një mesazh në lidhje me rrëzimin e një helikopteri në qytetin e Abutabadit. Duke dyshuar se të dyja ngjarjet kishin lidhje me njëra-tjetrën, unë ndoqa instinktin tim të reporterit, dhe shkova takova një përfaqësues të kompanisë ajrore.

“Unë jam gazetar”, i thashë. “Osama bin Laden mund të ketë vdekur, dhe unë kam nevojë për ndihmë që të marr bagazhet nga avioni”. Ai u ngazëllye nga ajo që dëgjoi dhe më udhëhoqi për dore deri në zyrën e emigracionit, duke u thënë kolegëve të tij që ta ndihmonin këtë gazetar që i kishte thënë se Bin Laden kishte vdekur.

Nga aeroporti, u nisa direkt për në Abutabad, që ndodhet vetëm 50 km në veri të Islamabadit. Kur mbërrita, pashë një grup të madh gazetarësh të mbledhur pranë kompleksit ku Bin Laden kishte qëndruar i fshehur për vite me radhë. Ata nuk lejoheshin të hynin brenda nga ushtarët pakistanezë që bënin roje aty.

Ndërkohë, presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Barack Obama konfirmoi se Bin Laden ishte vrarë në një sulm të kryer natën nga forcat amerikane në qytetin e Abutabadit. Qyteti nuk ishte larg rajoneve fisnore, ku në vitin 2001 Bin Laden më kishte thënë se do të strehohej “nëse do të ndodhte diçka e madhe”.

Në atë kohë, kur e mbarova intervistën me udhëheqësin e Al-Kaidës në Kandahar, Bin Laden më tha se ishte i gatshëm që të fliste sërish po të doja. “Nëse ndodh diçka e madhe, unë do të fshihem në zonat fisnore të Pakistanit. Atje mund të vish të më intervistosh prapë”- më tha Bin Laden ndërsa më shtrëngoi dorën dhe doli nga dhoma.

Tani, pas gati 20 vjetësh nga pushtimi amerikan në Afganistan, mbeten dy pikëpyetje:ku është sot Al-Kaeda, dhe a do të jetë në gjendje të rikthehet? Ndërsa SHBA-ja njoftoi se ka nisur tërheqjen e forcave të saj nga Afganistani, janë ngritur shqetësime se Talibanët afganë do t’i japin sërish hapësirë ​​dhe mbështetje Al Kaedës, në mënyrë që kjo e fundit të nisë të kryejë sulme terroriste si ato të mëparshmet.

Por unë mendoj se këto shqetësime nuk qëndrojnë. Gjërat kanë ndryshuar. Vdekja e Bin Ladenit ka prishur radhët e Al-Kaedës. Ajo që ndodhi 10 vjet më parë ishte padyshim shumë më shumë sesa ajo që disa ekspertë e përshkruan si një “vrasje simbolike”.

“Lufta kundër terrorizmit global”, nuk ka eleminuar vetëm udhëheqësin e grupit por edhe financuesin e tij, dhe e ka shkatërruar zinxhirin e komandës dhe komunikimit. Midis atyre pak udhëheqësve të Al-Kaidës që nuk janë vrarë, shumica janë arrestuar ose kanë ndryshuar grupim.

Ndërkohë pasardhësi i Bin Laden në krye të organizatës terroriste, Ayman Al-Zawahiri, nuk ka karizmën e tij, dhe nuk gëzon mbështetjen që kishte sheiku i terrorit. Gjithashtu, Talibanët afganë që më parë u kishin ofruar strehë anëtarëve të Al-Kaidës, mund të mos jenë tani të gatshëm që t’i lejojnë anëtarët e tyre që ta përdorin Afganistanin si një bazë prej nga ku mund të planifikojnë dhe kryejnë sulme.

Talibanët kanë evoluar shumë që nga pushtimi amerikan, që i dëboi ata nga pushteti në vitin 2001. Ata janë aktualisht një lëvizje politike, e pranuar ndërkombëtarisht si një palë në procesin afgan të paqes. Ata nuk do të dëshironin që të rrezikonin ta humbnin këtë pozicion.

Por edhe para kësaj qasje, në vitin 2001, Al-Kaeda nuk u mbështet nga gjithë Talibanët.

Ishte Mullah Omar, themeluesi i lëvizjes Talibane, ai që e lejoi Bin Laden të veprojë nga Afganistani. Por vendimi i tij nuk u mbështet nga të gjithë udhëheqësit Talibanë. Në fakt, disa prej tyre e kundërshtuan.

Ndërkohë edhe situata në Afganistan nuk është më e njëjta. Në vitin 2001, nuk kishte asnjë qeveri, ushtri dhe polici. Ndonëse forcat e saj të armatosura dhe të zbatimit të ligjit, cilësohen nga SHBA-ja si të dobëta, Afganistani nuk është më ai që ishte më parë. Dhe as ambienti ndërkombëtar.

Por ajo që nuk ka ndryshuar, është vetë rrënja e problemit – qoftë në Afganistan apo gjetkë – dhe këto janë superfuqitë, përfshirë SHBA-në, që shkaktojnë konflikte, luftëra, apo mbështesin regjime jodemokratike. Regjimet e shtypin kundërshtimin, ndërsa konfliktet çojnë në një vakum pushteti, duke i dhënë ngritje dhe shpëtim ideologjive militante apo  grupeve të tilla si Al-Kaeda dhe ISIS, apo tokë dhe hapësirë që ata të veprojnë, luftojnë dhe të rekrutojnë anëtarë.

Sapo të shfaqen grupe të tilla, ato mund të pengohen rrallë që në lindjen e tyre, pasi agjencitë e inteligjencës janë më të gatshme që t’i përdorin ato në luftërat përmes palëve të treta apo si mjete për qëllimet e tyre, duke e përjetësuar aftësinë e tyre për t’u shndërruar në kërcënime për sigurinë.

Presidenti amerikan Joe Biden duhet të kishte respektuar vendimin e Trump për të përfunduar tërheqjen e trupave nga Afganistani deri më 1 maj, në vend se të përpiqej të krijonte një trashëgimi për veten e tij, duke e shtyrë këtë proces deri në rastin e 20 vjetorit të sulmeve të 11 shtatorit.

Një lëvizje kjo Hollivudiane e Biden, e cila mund t’i kushtojë SHBA-së më shumë jetë në mesin e ushtarëve të saj, dhe më shumë humbje midis afganëve. Ndërsa Talibanët duhet të tregojnë më shumë fleksibilitet, dhe të ndalojnë sulmet ndaj objekteve civile dhe jo civile, SHBA duhet që të marrin pjesën e saj të përgjegjësisë për çdo zvarritje në procesin e paqes në Afganistanin, dhe për kaosin ku mund të zhytet ky vend në muajt e ardhshëm.

Shpeshherë e pyes veten se çfarë do të më kishte thënë Bin Laden nëse do ta kisha intervistuar sërish pas sulmeve që ndryshuan fatin e botës dhe rajonit. Në nëntor 2001, vetëm 2 muaj pas sulmeve të 11 shtatorit, më telefonoi një nga ndihmësit e Bin Laden.

Ai tha se “personi” ishte gati të më takonte sërish, siç më kishte premtuar. “A do të vish?”-më pyeti ai. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al