Më 29 janar Partia Socialiste do të mbledhë Kongresin e Partisë dhe për Taulant Ballën ky është një moment i rëndësishëm për jetën politike në vend.
I pyetur nga gazetarët në një prononcim për mediat nga Kryesia e Kuvendit, se cilat do të jenë ndryshimet që do të bëhen në statutin e partisë, kreu i Grupit Parlamentar të PS nuk dha një përgjigje duke argumentuar se nuk ishte vendi i duhur për t’u diskutuar për çështje të partisë qeverisëse.
Lexo edhe: Balla: Keqardhje për atë që ndodhi, “Berishizmi” dhe dhuna anët e një medalje
Megjithatë, ajo që theksoi Balla është fakti që sipas tij, Kongreset e PS nuk mund të krahasohen në asnjë rast me ato që i cilësoi si pseudo Kuvende të partive të tjerë në vend.
“Në mbledhjen e djeshme diskutuam për këto çështje. Kongreset e PS, janë një risi dhe moment i rëndësishëm për jetën politike në vend…Një moment në nivel kombëtar… ajo që ka ndodhur gjithmonë është që në asnjë rast nuk ngjasojnë me pseudo kuvendet e partive në këtë vend.” /abcnews.al/