PS s’e pret Venecian për Kodin, PD: Rama ka frikë nga ekspertiza e Komisionit, po sfidon BE-në

schedule16:31 - 26 Tetor, 2020

schedule 16:31 - 26 Tetor, 2020

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi i kërkon kryeministrit Edi Rama që të shpjegojë përpara shqiptarëve se përse ka frikë nga ekspertiza e Komisionit të Venecias për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. PD thotë se Edi Rama refuzon apelimin e Komisionerit për Zgjerimin duke vendosur në rrezik integrimin e vendit.

Edi Rama duhet të shpjegojë pse ka frikë nga ekspertiza e Komisionit të Venecias dhe pse i trembet zgjedhjeve demokratike sipas standarteve europiane. Shqiptarët nuk i kanë borxh Edi Ramës pengmarrjen e Shqipërisë. 

Refuzimi brutal i Edi Ramës ndaj apelit të Komisionerit për Zgjerimin në BE z. Oliver Varhelyi është një tjetër dëshmi që për Partinë Socialiste interesi i mafias është mbi interesin e Shqipërisë. 

Asnjë Kryeministër më parë nuk ka vënë në rrezik integrimin europian të Shqipërisë dhe nuk ka sfiduar hapur Bashkimin Europian për llogaritë e tij politike të ditës” shkruan ai.

Komisioneri Evropian Për Zgjerimin Oliver Varhelyi reagoi pas deklaratës së presidentit Ilir Meta, i cili në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhori i është drejtuar Komisionit të Venecias.

Varhelyi në një postim në Twitter tha se beson që Venecia do i kthejë shpejt përgjigje palëve të interesuara në Shqipëri me këshilla për këtë çështje.

Por Edi Rama tha se mendimi i Venecias është gjithnjë i mirëseardhur por procedura në këtë rast sipas tij është e qartë: Refuzimi i presidentit pranohet ose rrëzohet nga parlamenti.

Lidhur me këtë të fundit, Rama tha se do të rishprehet pa humbur asnjë ditë, duke nënkuptuar këtu se nuk do të pritet Opinioni i Venecias, ndërsa pritet që të votohen të enjten./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!