“Provokim”, flamuri i Kosovës në fanellën e re të Ukrainës “çmend” serbët

schedule10:45 - 11 Maj, 2022

schedule 10:45 - 11 Maj, 2022

Ukraina në shenjë falënderimi për të gjithë shtete që e kanë mbështetur në një situatë lufte ka menduar të prezantojë një fanellë të re, ku pjesë e saj janë të gjitha flamujt e shteteve që janë gjendur pranë popullit ukrainas në një situatë të vështirë.

Mes flamujve të vendosur në fanellën e kombëtares ukrainase pa diskutim janë edhe ato shqiptarë, flamuri Kuq e Zi dhe ai i Kosovës, teksa në mes të hartës së territorit të Ukrainës shkruhet “Të bashkuar për Ukrainën”.

Veprim ky që ka “çmendur” serbët, të cilët e konsiderojnë këtë si një provokim, derisa ato kanë pyetur se si është e mundur që një vend që nuk e njeh Kosovën si shtet, ta bëjë një veprim të tillë.

“Provokim ndaj Serbisë. Ukraina e vendos flamurin e shtetit të ashtuquajtur të Kosovës në fanellën e re!?”, shkruan në titullin e medias serbe “Novosti Online”.

Shkrimi vazhdon me shqetësimin e serbëve për këtë veprim të ukrainasve.

“Fanella i përmban të gjithë flamujt e vendeve që e mbështesin Ukrainën në luftën me Rusinë. Serbia nuk është në të. Por, ajo që është interesante është që Ukraina nuk e njeh shtetin fals, të shpallur në territorin e provincës jugore serbe”, vazhdon të shtrihet edhe më gjerë imagjinata e serbëve përmes mediave të këtij vendi.

Në pjesën e përparme të fanellës, së bashku me stemën e Ukrainës dhe logon e prodhuesit të fanellave, është ngjitur mbishkrimi “U24”, i cili e shpall hyrjen e mundshme të Ukrainës në Bashkimin Evropian.

E në pjesën e pasme të fanellës, përmes numrave, janë vendosur emrat e qyteteve të përfshira në konfliktin në mes të Ukrainës dhe Rusisë.

Ukraina do të luajë kundër Skocisë në fillim të qershorit në duelin e vlefshëm për “play-offin” e Botërorit 2022.

/f.a/abcnews.al