Edhe pse jo zyrtarisht, fushata për përballjen elektorale të 25 prillit ka nisur tashmë me palët që po zhvillojnë takime në të gjitha rrethet e vendit.
PD-LSI, edhe pse jo në një koalicion zyrtar për shkak të përcaktime në Kodin Zgjedhor, presin të realizojnë përmbysjen e pushtetit 8-vjeçar të Ramës, i cili nga ana tjetër po organizohet duke synuar futjen në listat e tij të personazheve që mendon se kanë një miratim në publik siç është inxhinierja Luljeta Bozo apo shefja e Infektivit, Najada Çomo.
PD kërkon fitore me çdo kusht në këto zgjedhje dhe duket se qarku nga ku synohet fillimi i përmbysjes është ai i Durrësit, i cili të paktën që nga viti 2005 ka përcaktuar fituesin.
Provat e para në Durrës, Basha i dha gjatë mitingjeve të disa muajve më parë duke mbledhur një numër të madh mbështetësish si në asnjë qark tjetër.
Duke kuptuar këtë, duket se lideri demokrat ka synime të larta në Durrës, nisur edhe nga fakti se kush është duke garuar atje.
Ndërkohë që Krujën dhe Fushë-Krujën ia ka besuar Edi Palokës, Basha ka vendosur Ferdinand Xhaferajn përballë Vangjush Dakos dhe Lefter Kokës në qytetin e Durrësit.
Kryeministri Rama do të jetë vetë në Durrës, megjithatë ata që do të bëjnë “lojën” për vota janë pikërisht Vangjush Dako dhe Ardian Çela. I dyti, pikërisht Çela, do të jetë në “dritë”, me ish-shefin Dako në hije, për shkak të problemeve me amerikanët.
Kryedemokrati ka vendosur jo më kot që të luajë “me duar të pastra” në Durrës përballë dy personazheve të njohur si problematik brenda dhe jashtë vendit. Vangjush Dako nuk mund të shkelë më në SHBA për shkak se Departamenti i Shtetit ia ka hequr “vizën”, ndërsa Lefter Koka duhet të japë shpjegime për aferën e inceneratorëve si edhe çështjet me kontrabandën e cigareve.
Duke ditur “CV-të” e kundërshtarëve, me caktimin e Xhaferajt përballë Dakos dhe Lefter Kokës, Lulzim Basha e di se po i shërben edhe kauzës së tij të dekriminalizimit, por edhe fut në “xhepin” e PD-së dhjetra mijëra vota personale të kryedemokratit të qytetit bregdetar.
Me një lëvizje të zgjuar, Basha ka vendosur përballë një personi që nuk mund të futet në SHBA dhe që del në regjistrimet e mediave gjermane për vjedhje votash si Dako, një kundërshtar si Xhaferaj që është shkolluar në universitetet më të mira amerikane dhe që ka fituar katër beteja elektorale gjatë përballjeve direkte.
Xhaferaj ka treguar se është një makineri votash në kushtet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe kryedemokrati po investohet në këtë drejtim.
Qyteti i Durrësit pritet të jetë “Stalingradi”, ku demokratët kërkojnë fitoren me “duar të pastra”, pikërisht në atë qark që u bë epiqendra e një skandali të madh të vjedhjes së votës siç ishte ajo që ndodhi në 2017, fakte të zbuluara edhe në mediat botërore përmes përgjimeve ku u regjistruan personazhe të njëjtë që sot kërkojnë vota për socialistët.
Një betejë e fortë pritet të bëhet edhe në Elbasan, ku janë listuar Monika Kryemadhi, dyshi i demokratëve Gazmend Bardhi si edhe dyshi i socialistëve, Taulant Balla.
Ndërkohë, Tirana mbetet një enigmë e madhe, ku secila palë pretendon të marrë nga 20 deputetë nga një listë prej 36 mandatesh që ka kryeqyteti. /abcnews.al