Protestuesit në Mal të Zi kërkojnë sërish mbajtjen e zgjedhjeve të reja

schedule00:40 - 29 Nëntor, 2022

schedule 00:40 - 29 Nëntor, 2022

Për të tretën herë gjatë këtij muaji, para Parlamentit të Malit të Zi u mbajt protestë me sloganin “Ne ekzistojmë”, ku morën pjesë mijëra qytetarë të cilët k tërheqjen e amendamenteve të Ligjit për presidentin, zhbllokimin e Gjykatës Kushtetuese si dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Në protestën e mbajtur më 28 nëntor, protestuesit kënduan himnin kombëtar të Malit të Zi, bartën flamuj të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhe mbajtën pankarta me mesazhe sikurse “Për Malin e Zi, për BE-në”, “Nacionalizmi është i shfrenuar dhe aty bie Kushtetuta”, “Nuk do t’i bëjmë gati valixhet” e të ngjashme.

Organizatorët thanë se Mali i Zi nuk është dhe kurrë nuk do të jetë në shitje. Protestuesit i thanë kryeministrit të Qeverisë në detyrë, Dritan Abazoviç, se hyrja e Malit të Zi në nismën rajonale Ballkani i Hapur, do të ishte e papranueshme dhe se Mali i Zi duhet të hyjë në BE dhe jo në “botën fantazmë serbe”, siç e quajtën ata këtë nismë rajonale.

Pas fjalimeve para protestuesve, qytetarët parakaluan nëpër Podgoricë, dhe tubimi u përmbyll pa ndonjë incident.

Në protestë u dëgjuan brohoritje kundër Abazoviqit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Nermin Abdiç, anëtar i Partisë Demokratike Socialiste të presidentit Millo Gjukanoviç, tha se qytetarët duhet ta ruajnë shtetin.

“Ne duhet të ruajmë harmoninë multietnike. Ne jemi në një numër të tillë sonte sepse ne nuk jemi të ndarë në bazë të fesë, etnisë, gjuhës apo ngjyrës së lëkurës… Ne u mblodhëm për shkak të dashurisë për shtetin. Ne nuk duhet të lejojmë që pacientët të trajtohen pa ilaçe, që fëmijët tanë të shkojnë në shkolla që nuk kanë ngrohje… Ne nuk do t’ua falim… Mali i Zi nuk do të jetë një azilkërkues brenda Malit të Zi. Le të bashkohemi për të shpëtuar shtëpinë tonë të vetme”, tha Abdiç.

Protestat në Mal të Zi po mbahen për shkak të krizën politike, pas rrëzimit të Qeverisë së Abazoviçit në gusht të këtij viti.

Opozita, e udhëhequr nga partia e Gjukanoviçit, kërkon shpërndarjen e Parlamentit dhe organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, por shumica parlamentare, e udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-rus, po kërkon që të formohet një qeveri e re që do të udhëhiqej nga Miodrad Llekiç, që ka mbështetjen e kësaj partie.

Pasi Gjukanoviç refuzoi që të mandatonte Llekiçin për shkaqe formale, shumica parlamentare tentoi të ndryshojë ligjet me qëllim që të bartte fuqitë kushtetuese të presidentit te Parlamenti, në mënyrë që Llekiç të mandatohej nga organi legjislativ. Protestuesit kanë kërkuar që amendamentet me këto ndryshime të tërhiqen nga Ligji për presidentit.

Por, Mali i Zi po ashtu ka të bllokuar Gjykatën Kushtetuese, pasi që nga shtatori nuk ka kuorumin e nevojshëm për të marrë vendime. Pa kuorumin e këtij institucioni nuk mund të shpallen rezultatet përfundimtare në rast të mbajtjes së zgjedhjeve./rel/