Trazirat që tronditën Francën ditët e fundit, pas vdekjes së një 17-vjeçari nga një oficer policie, shkaktuan “të paktën 20 milionë euro” dëme në transportin publik të Parisit. Ky vlerësim është bërë nga IDFM (Ile-de-France Mobilités), organizata që menaxhon transportin publik në rajonin administrativ të Ile-de-France, që përfshin zonën më të gjerë të kryeqytetit francez.
“Kjo shifër përfshin autobusët dhe tramvajin që u dogjën, dy tramvaje që u dëmtuan, si dhe stolat e thyer në ndalesa”, tha IDFM për AFP, duke konfirmuar informacionin e raportuar më parë nga gazeta Le Parisien.
Javën e fundit, gjithsej 39 autobusë u dogjën në zonën e madhe të Parisit. Çdo autobus kushton pothuajse 350 mijë euro, sipas shifrave të organizatës.
Edhe pse trazirat tashmë janë ulur ndjeshëm, autobusët dhe tramvajet u kthyen në stacione në orën 21:00 (ora lokale), “për sigurinë e punëtorëve dhe pasagjerëve”, siç theksohet nga IDFM.