Nga Ray Takeyh “Center on Foreign Policy”
Që nga fundi i muajit shtators, protestuesit iranianë kanë protestuar vazhdimisht kundër Ayatollah Ali Khamenei dhe postit të tij të Udhëheqësit Suprem të vendit. Por a ka një kërcënim real ndaj pushtetit të tij? Protestat që nisën pasi e reja Mahsa Amini vdiq në ambientet e paraburgimit, e akuzuar për mbulimin jo të duhur të kokës, janë ndër më seriozet që ka përjetuar Irani vitet e fundit.
Duhet theksuar se edhe para vdekjes së Amini, Irani është tronditur nga valë demonstratash të ndryshme gjatë gjithë verës, përfshirë ato të shkaktuara nga mungesa e ujit dhe protestat e mësuesve. Por vdekja tragjike e Aminit i bashkoi të gjitha rrymat opozitare. Ankesat për situatën ekonomike, mungesa e mundësive politike dhe korrupsioni masiv, janë shndërruar në një lëvizje proteste që po e trondit vendin dhe që po i kapërcen ndarjet klasore.
Është e vështirë të vlerësohet shkalla e kërcënimit ndaj pozicionit të Khameneit. Por duke qenë se regjimi është i paaftë të përmbushë premtimet e tij ekonomike, të ofrojë rrugë kuptimplota për shprehje politike dhe të sigurojë njëfarë autonomie kulturore, duket se ai e ka humbur ndjeshëm mbështetjen e publikur.
Çfarë kompetencash ka Udhëheqësi Suprem?
Ndërsa presidenti i Iranit merret me politikën e jashtme dhe punët e përditshme të vendit, Udhëheqësi Suprem është i autorizuar të komandojë forcat e armatosura, të shkarkojë çdo zyrtar të zgjedhur, të kundërshtojë ligjet që miraton parlamenti, dhe të shpallë luftën ose paqen. Asambleja e Ekspertëve, e cila përbëhet nga 88 klerikë, është formalisht përgjegjëse për mbikëqyrjen e këtij posti.
Anëtarët e asamblesë zgjidhen me votë, por ky proces mbikëqyret nga zyrtarë të cilët sigurohen që klerikët konservatorë të përbëjnë shumicën. Kandidatët për në asamble duhet të miratohen nga Këshilli Kujdestar, një organ konservator i emëruar nga parlamenti, Ndërkohë vetë Udhëheqësi Suprem gjithashtu ushtron njëfarë ndikimi mbi procesin zgjedhor.
Si u krijua ky post?
Ky post ishte një ide e udhëheqësit të revolucionit të vitit 1979, Ajatollah Ruhollah Khomeinit. Gjatë kohës që jetonte i mërguar në Irak në vitet 1970, ai artikuloi teorinë e Velayat-e faqih, ose “kujdestarisë së juristit”, sipas së cilës një udhëheqës fetar do të mbikëqyrte të gjitha çështjet kombëtare.
Ajo ishte një ide e pazakontë, pasi ligji islamik shiit nuk ishte dakord me konceptin e sundimit të drejtpërdrejtë klerikal. Megjithatë, Khomeini këmbënguli se një qeveri islamike kishte nevojë për mbikëqyrje klerikale, për t’u siguruar që ajo të përputhej me urdhrat fetare.
Çfarë e ka dalluar sundimin e Khameneit?
Khamenei e ka bërë një mision të tij ruajtjen e identitetit revolucionar të shtetit, sidomos që ai të mbetet i përkushtuar ndaj parimeve islame dhe t`i kundërvihet Perëndimit. Kjo ka qenë një detyrë e vështirë, duke pasur parasysh zhgënjimin e gjerë publik me sundimin islamik. Teksa po mendon mbi pasardhësin e tij, 83-vjeçari Khamenei po zbaton një politikë me dy pista, për t’u siguruar që republika që ai do të lërë pas, të ruajë besnikërinë me idealet e tij, të cilat përqendrohen në kontrollin e klerit ndaj institucioneve të rëndësishme shtetërore. Ai ka ndërmarrë një spastrim masiv të elitës politike. Të gjithë, përveç anëtarëve më të besueshëm dhe më të bindur të klasës politike, janë hequr nga pushteti. Gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2021, u skualifikua edhe Ali Larijani, ish-kryetar i parlamentit dhe një figurë e fortë në radhët e konservatorëve.
Misioni i dytë i Khameneit ka qenë të rimodelojë ekonominë, për ta bërë atë më rezistente ndaj sanksioneve ndërkombëtare. Kjo është ajo që ai e ka quajtur “ekonomia e rezistencës”. Në këtë linjë, Irani synon që të mbështetet tek tregjet e tij të brendshme, dhe bëjë tregti me shtetet mbështetëse si Kina dhe Rusia, si dhe fqinjët si Afganistani dhe Iraku.
Po ashtu, Irani po përpiqet të pakësojë varësinë e tij nga nafta, dhe të zvogëlojë subvencionet e kushtueshme që po e shterin arkën e tij. Por ky mision mbetet i paplotë dhe i diskutueshëm. Aktualisht Irani mbështetet ende shumë tek të ardhurat nga nafta dhe tregjet financiare globale. Ndërkohë, reduktimi i subvencioneve për mallrat si ushqimet dhe benzina ka sjellë protesta popullore.
Një çështje tjetër ku Khamenei synon të lërë gjurmë është programi bërthamor. Ai ka qenë prej kohësh një mbështetës i tij, dhe e sheh zhvillimin e infrastrukturës së energjisë atomike si një tregues të rëndësishëm të modernitetit. Natyrisht, një program bërthamor i përparuar i ofron Iranit mundësinë për të zhvilluar armë bërthamore.
Edhe pse Khamenei dhe udhëheqës të tjerë kanë deklaruar vazhdimisht se nuk kanë plane për ta bërë këtë. Ai e lejoi presidentin e mëparshëm të Iranit, Hassan Rouhani, të negocionte marrëveshjen që ngriu programin bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve perëndimore, Por Khamenei ka qenë një kritik i ashpër i atyre që ai thotë se janë abuzime me marrëveshjen nga ana e SHBA-së.
Si duket procesi i trashëgimisë dhe çfarë kualifikimesh i nevojiten një pasardhësi?
Në konceptimin e tij origjinal, posti i Udhëheqësit Suprem duhej të mbahej nga një klerik i njohur për erudicionin e tij teologjik. Në vitin 1989, kur Khamenei u ngjit në këtë post pasi kishte qenë më herët president, atij i mungonin kredencialet e nevojshme fetare, ndaj zyra u bë më politike.
Në një proces të ardhshëm të vazhdimësisë, aftësia për të menaxhuar shtetin dhe për të pasur një gjykim të shëndoshë politik, që do të thotë përkushtim ndaj revolucionit, ka të ngjarë të peshojë shumë më tepër sesa kredencialet fetare. Kështu, pasardhësi do të jetë sigurisht një klerik, por me shumë gjasë me një CV me arritje më cilore në politikë sesa në çështjet fetare.
Kuvendi i Ekspertëve duhet të verifikojë kandidatët, dhe në fund të zgjedhë pasardhësin. Por në marrjen e vendimit përfundimtar ka të ngjarë të ketë shumë manovra në prapavijë. Pjesëmarrësit e mundshëm në procesin e përzgjedhjes së prapaskenave, përfshijnë udhëheqjen e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike, të cilët kanë një ndikim të konsiderueshëm ushtarak dhe ekonomik, dhe një numër klerikësh konservatorë, si kreu aktual i asamblesë, Ahmad Khatami. Në thelb, Kuvendi i Ekspertëve do të jetë vendi ku do të afirmohet vendimi përfundimtar, në vend të një organi të mirëfilltë këshillues.
Cilët janë kandidatët më të mundshëm për të marrë detyrën nga Khamenei? A ka gjasa që ndonjëri prej tyre të devijojë ndjeshëm nga politikat e tij?
Kjo gjë është e pamundur të parashikohet, duke pasur parasysh se sa dinamike është situata politike sot. Prej vitesh është supozuar se presidenti aktual Ebrahim Raisi po përgatitej për të marrë këtë post. Në fakt ai fitoi një sërë promovimesh të shpejta, përfshirë zgjedhjen president në zgjedhjet e vitit të kaluar, ku autoritetet skualifikuan rivalët e tij më të fortë.
Raisi mban lidhje të ngushta me forcat paraushtarake për shkak të përvojës së tij në sistemin gjyqësor, dhe do të ishte i pranueshëm edhe për Gardën Revolucionare dhe shërbimet e tjera të sigurisë. Por atij i mungon karizma, vizioni dhe përgatitja e duhur teologjike. Gjithsesi ky post nuk kërkon më një origjinë të tillë.
Vitet e fundit është përfolur se djali i Khameneit, Mojtaba, një klerik që thuhet se ka ndikim të madh në qarqet e sigurisë, mund të zgjidhet si pasues i të atit. Duhet të theksohet se Republika Islamike tenton që t`u shmanget pasardhësve dinastikë. Gjatë gjithë mandatit të tij, regjimi ka bërë kritika të ashpra ndaj monarkive dhe pushtetit të trashëguar. Nëse regjimi do të lëvizte në atë drejtim, ky do të ishte një tjetër tregues se sa shumë është larguar nga premtimi fillestar i revolucionit.