“Protestë homazh për degët e vdekura”, aktivistët: 70% e degëve prioritare janë në rrezik

schedule13:42 - 30 Nëntor, 2022

schedule 13:42 - 30 Nëntor, 2022

Një protestë homazh për ‘degët e vdekura’ e mbajtur para Ministrisë së Arsimit për degët që rrezikojnë të mbyllen ka bërë që të ngrihet shqetësimi i mungesës së studentëve, por edhe problematika të tjera që lidhen me strukturën e tregut të punës në Shqipëri. Të ftuar në studion e ABC Live në një bashkëbisedim me gazetaren Sibora Bitri kanë qenë aktivistë të Qëndresës Qytetare, por edhe eksperti i punësimit Erion Muça.

Aktivisti Gevio Tabaku u shpreh që programet e studimit që rrezikojnë të mbyllen i përkasin kryesisht Universitetit Bujqësor të Tiranës, që kanë në fokus bujqësinë, programe studimi që i përshtaten tregut shqiptar, por të rinjtë nuk e shohin veten në tregun e punës shqiptar, por e shohin jashtë kufijve. Ndërkohë që në degët si mjekësi apo infermieri kuotat janë realizuar në 92 përqind të tyre, te programet prioritare të tilla si bujqësia, turizmi apo shërbimet janë realizuar vetëm 20 – 25 përqind e kuotave.
Për ekspertin e punësimit Erion Muça ‘kjo është në vazhdën e trysnisë që vjen nga jashtë apo të emigracionit, sigurisht treguesit, tregojnë një tendencë të lartë drejt teknologjisë së informacionit, lidhen me profesione të rregulluara më së shumti, me tendencën e largimit jashtë. Degët prioritare nuk frenojnë ikjen por këto nevoja lidhen edhe me motivimin apo stimulin që të rinjtë kanë’.
Sipas ekspertit të punësimit Muca duhet të ketë një fushatë ndërgjegjësimi dhe sensibilizimi masiv. /abcnews.al