Qeveria franceze tërhiqet nga propozimi i saj për reformën e pensioneve. Në një letër drejtuar sindikatave, kryeministri Eduard Filip thotë se është gati të tërhiqet nga rritja e moshës për pensionin e plotë, por duhen plotësuar disa kushte. Lëvizja vjen ndërsa grevat në Francë kundër kësaj reforme kanë hyrë në javën e pestë.
Kompromisi që po ju ofroj, më duket mënyra më e mirë për një reformë paqësore në sistemin tonë të pensioneve, thotë Filip në letër.
Kryeministri i bëri këto lëshime pas bisedimeve mes qeverisë dhe sindikatave të cilat dështuan të premten. Unioni me i madh sindikal francez CFDT e mirëpriti këtë lëvizje të kryeministrit, duke thënë në një deklaratë se kjo tregon se “qeveria është e gatshme të gjejë një kompromis.”
Lëshimet vijnë një një kohë kur qindra mijëra demonstrues marshuan në pjesën lindore të Parisit ndaj kësaj reforme, që synon të zëvendësoje skemat e pensioneve specifike në Francë me një skemë të vetme të bazuar në sistem pikësh.
Protestat u bënë të dhunshme e me përplasje me policinë e cila përdori gaz lotsjellës, ndërsa grupe protestuesish godisnin dritare dhe u vinin flakën tabelave e koshave të plehrave.
Mosmarrëveshja e qeverisë me sindikatat është sfida më e madhe e presidentit Emmanuel Macron për të reformuar ekonominë e dytë më të madhe të zonës EURO.
Kryeministri Filip synon ta paraqesë ligjin për reformën e pensioneve më 24 Janar, në mënyrë që Parlamenti ta diskutonte në mes të muajit shkurt, me shpresën që ligji të kalojë para pushimeve të verës./abcnews.al