Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, u shpreh i gatshëm për bisedime me organizatorët e protestave qytetare, ku po kërkohet dorëheqja e tij dhe e qeverisë. Në një tubim në Berlin, Gjukanoviç tha se elementi i përbashkët e protestave antiqeveritare në Podgoricë, Beograd dhe Tiranë është vendosmëria e opozitës që të vijë në pushtet pa proces zgjedhor.
Këndellja e opozitës shqiptare, serbe, malazeze, por dhe e asaj maqedonase, duket se ka për të sjellë një pranverë politikisht të nxehtë në Ballkanin Perendimor. Emërtues i përbashkët i kësaj zemërate, që po thellohet gjithnjë e më shumë, është pakënaqësia me atë që quhet mirëqenie, me mungesën e shtetit të së drejtës dhe për pasojë, me korrupsion e krim të organizuar, në rritje. Në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë, fundjavën që lamë pas protestuan disa mijëra vetë me kërkesa politike për dorëheqjen e presidentit, të kryeministrit, të prokurorit suprem dhe special shtetëror, të drejtorit të agjencisë për luftimin e korrupsionit dhe si dhe të anëtarëve të këshillit dhe të drejtorit të përgjithshëm të televizionit shtetëror malazez.
Akuzave të pushtetit për mungesë të flamurit kombëtar në tubimet e protestës, njëri nga organizatorët e tyre, të dielën u dha këtë përgjigje:
Xhemal Peroviç lëvizja qytetare “Kundërshto 97 mijë”: “Kur plaçkitni resurset shtetërore dhe përderisa laheni nëpër Dubai dhe San Trope… Kur çoni paratë nëpër banka të huaja, jashtë vendit, kur hapni kompani off-shor, ku e keni flamurin shtetëror?”
Ndërkohë, presidenti malazez, Milo Gjukanoviç,në një tubim në Gjermani, në protestat aktuale në vendin e tij, por edhe në mbarë rajonin, shikon një përpjekje të forcave të caktuara për të lënë Ballkanin Perëndimor jashtë Bashkimit Evropian dhe protestat në Podgoricë, Beograd, por edhe në Tiranë, sipas Gjukanoviç, kanë element të përbashkët: ndërrimin e pushtetit pa proces elektoral.
Për dallim nga presidenti malazez Gjukanoviç, i cili së fundmi ka pranuar të bisedojë për shqetësimet e organizatorëve të protestave, si strukturë qytetare, homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiç, një mundësi të këtillë e ka përjashtuar kategorikisht. Për që të dy, ndërkaq ka cilësime të ndryshme: malazezi përshkruhet si pro-perëndimor dhe falë vendosmërisë së tij, Mali i Zi sot është anëtar i NATO-s, ndërkaq serbi edhe vetë e ka thënë se nuk merr asnjë vendim të vështirë pa u këshilluar me presidentin rus Vladimir Putin./abcnews.al