Protestat ne Hong Kong, ushtria kineze paralajmëron aktivistët

schedule19:15 - 1 Gusht, 2019

schedule 19:15 - 1 Gusht, 2019

Përmes një videoje që tregon stërvitjen e trupave të saj në situata protestash, ushtria kineze u ka dërguar një mesazh aktivistëve që prej 8 javësh protestojnë në Hong Kong kundër ligjeve që do ta bënin rajonin autonom më të varur nga Kina mëmë.

Ushtria kineze në Hong Kong ka publikuar një video 3-minutëshe që tregon trupat e saj teksa kryejnë stërvitje për të vënë nën kontroll protestat, një lëvizje kjo që shihet si një paralajmërim ndaj protestuesve që kërkojnë ruajtjen e pavarësisë nga Kina. Videoja e postuar në rrjetet sociale nis me një ushtar që thotë: “Pasojat e veprimeve të tua bien mbi ty”, një deklaratë kjo që sipas aktivistëve nuk lë vend për interpretime. Tensionet në Hong Kong mbeten të larta pas disa javë protestash anti-qeveritare. Të mërkurën mbi 40 aktivistë dolën në gjykatë për t’u përballur me akuzën e kryengritjes, pasi protesta e së dielës u bë e dhunshme. Nëse dënohen, aktivistët mund të përballen deri në 10 vjet burg secili. Ushtria kineze deri më sot ka qëndruar larg protestave, duke ia lënë kontrollin e territorit policisë. Por në një ceremoni të mbajtur të mërkurën në kuadër të 92-vjetorit të themelimit, komandanti i ushtrisë kineze në Hong Kong tha se protestat kanë kërcënuar seriozisht jetën e banorëve dhe kanë shkelur thelbin e politikës “një vend, dy sisteme”. “Kjo nuk mund të tolerohet dhe ne dënojmë ashpër”, deklaroi oficeri i lartë. Videoja e postuar në rrjetin social kinez Ueibo tregon trupat e pajisura me mburojë dhe shkopinj të performojnë stërvitje anti-protestë. Gjithashtu, në të shfaqen tanke, raketahedhëse dhe tela me gjëmba e më pas trupa të armatosura që zbresin nga helikopterët dhe pushtojnë rrugët dhe hyjnë në shtëpitë e banorëve. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!