Protestat ndaj presidentit të vendit Alexander Lukashenko në Bjellorusi vijojnë prej ditësh. Mediat e huaja raportojnë se agjentë të maskuar të sigurisë tërhoqën zvarrë studentët nëpër rrugë dhe i futën nëpër furgonë.
Kjo është fundjava e katërt e protestave, ku deri më tani janë shoqëruar 30 veta, me akuzën e pjesëmarrjes në protesta pa leje.
Të mbështjellë me flamuj kuq e bardhë të opozitës, studentët organizuan protesta në disa pika të kryeqytetit, përfshirë Institutin Gjuhësor Shtetëror të Minskut, ku policia kishte arrestuar pesë persona të premten, siç tregonin pamjet e transmetuara në mediat e vendit.
Në pika të tjera, persona të maskuar tërhoqën zvarrë studentët që ishin mbledhur në një restorant të rrugës Karl Marks në qendër të Minskut, ndërsa disa nga protestuesit thërrisnin “Në gjyq!”.
Pasdite, mijëra gra organizuan një marshim përmes kryeqytetit, duke thirrur “duart larg fëmijëve!”.
Lukashenko, ish-drejtor fermash kolektive sovjetike, po përpiqet të frenojë një valë protestash dhe grevash masive, që nisën kur ai fitoi një mandat të gjashtë në zgjedhjet e muajit të kaluar, për të cilat kundërshtarët e tij thonë se ishin të manipuluara. Ai mohon se ka patur mashtrim me votat. e.su./abcnews.al