Përfaqësuesit e besimeve më të mëdha fetare që ekzistojnë në Shqipëri kanë bërë apel sot për vendosjen sa më parë të dialogut mes studentëve dhe qeverisë, në mënyrë që të gjendet shpejt një zgjidhje për plotësimin e të gjitha kërkesave të paraqitura prej tyre. Në një dalje të posaçme për mediat, ata e kanë vlerësuar të drejtë kauzën e studentëve, ndërsa kanë theksuar se tashmë është koha për dialog.
“Sot është momenti dhe ora që të komunikohet dhe të dialogohet për të folur hapur sy më sy dhe shqip, qeveri dhe studentë për ta përmbyllur vetëm me zgjidhje konkrete. Të gjithë arsenalin apo kërkesat në fjalë të studentëve të zgjidhen, dhe jo vetëm kaq. Ndaj reagimi dialogues i studentëve, i pasuar me zgjidhje konkrete, duke filluar nga këto momente, do të jetë tregues i një komunikimi dhe konsolidimi të një shoqërie, për rastin tonë të kolonës vertebrale të një kombi, që është rinia studentore, të konsolidimit të një komunikimi dhe të një shoqërie të emancipuar, me principe, dhe natyra e asaj ku dëshirojnë të përfshihemi, në familjen evropiane”, tha Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra në emër të Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Edhe kreu i Vëllazëria Ungjillore të Shqipërisë, Pastor Ylli Doçi, bëri sërish thirrje për maturi, ndërsa vuri theksin se tani është koha të dialogohet, pasi çështja ka marrë përmasa kombëtare pasi ka të bëj me të ardhmen e një brezi të ri dhe arsimit në Shqipëri. Ai theksoi se qeveria mund të organizojë tryeza bashkëdiskutimi me aktorët e rëndësishëm të jetës arsimore dhe shoqërore në vend, për t’i trajtuar problemet e ngritura në mënyrën e duhur dhe për ti dhënë një zgjidhje afatgjate.
“Ne si përfaqësues të klerit shqiptar, përfaqësues të besimeve të ndryshme jemi plotësisht dakord për këtë nevojë të një dialogu të shëndetshëm për një zhvillim të mirëfilltë që mos jemi gjithmonë ne kriza të tilla. Herë pas here del një protestë sepse kemi probleme të thella. Duhen zgjidhje afatgjata bazuar mbi këto kërkesa legjitime të studentëve”, tha Pastor Ylli Doçi. /abcnews.al