Një lideri i lejohet thuajse gjithçka.
Kjo, edhe në një vend tepër të kontrolluar si Irani, ku protestat nuk është se pëlqehen shumë.
Gjithsesi, një yll si Jasir Asani, i njohur për rebelizmin e tij të lindur, ka gjetur një mënyrë për të dhënë një mesazh edhe në shtetin e tronditur nga protestat e brendshme, dhe nga një konflikt i mundshëm me Shtetet e Bashkuara.
Mediat në Teheran nuk kanë lënë t’u shpëtojë një veprim i futbollistit të kombëtares shqiptare përpara ndeshjes së fundit të Ligës Profesioniste.
Ai u kthye nga tribunat bosh duke bërë një përshëndetje.
Portalet dhe të përditshmet në Iran e cilësuan veprimin e tij si një protestë apo ironi ndaj vendimit të autoriteteve për t’i luajtur ndeshjet e kampionatit pa tifozë.
Ky vendim u mor pas protestave dhe dhunës në janar, në të cilën sipas informacioneve pati me mijëra qytetarë të vrarë.
Sa I përket ndeshjes, skuadra e Asanit, Esteglal, arriti fitore 1-0, me gol të shënuar që në minutën e 15-të, dhe mbetet në krye të ligës me 38 pikë, po aq sa Sepahan, dhe dy pikë më shumë se kampionia Traktor.
Asani ndihmoi në shënimin edhe të një goli tjetër, por ai u anulua pikërisht për pozicion jashtë loje të shqiptarit në nisje të aksionit.
Ylli kuqezi nga Shkupi ka kontribut të shkëlqyer tek Esteglali këtë sezon me 13 gola e 3 asistë në 28 ndeshje, nga të cilët 7 rrjeta janë në kampionat dhe 4 në Championsin e dytë të Azisë.


