Komisioni i ri Europian duhet të nisë punimet në 1 Nëntor, ndërkohë kandidatët për komisionerë duhet fillimisht të marrin konfirmimin e Parlamentit Europian. Po cilët janë protagonistët?
Me emërimin e Paolo Gentiloni-t si komisioner europian për Italinë, u kompletua dhe ekipi i personaliteteve që do të jenë në dispozicion të presidentes së zgjedhur Ursula von der Leyen për krijimin e Komisionit të ardhshëm Europian. Komisioni Europian është organi ekzekutiv i Bashkimit Europian, njësia më e ngjashme me një qeveri në dispozicion të marrëveshjeve kontinentale. Detyra e tij është promovimi i interesit të përgjithshëm të Bashkimit Europian dhe për këtë arsye çdo vend anëtar propozon një komisioner, i cili merret me një temë specifike për një mandate pesëvjeçar.
Janë 26 komisionerët, Gjermania propozoi presidenten e komisionit ndërsa Mbretëria e Bashkuar vendosi të mos emërojë një përfaqësues të saj. Mbi të gjitha, ky nuk do të jetë një komision me debutues absolutë. Një nga emrat e dëgjuar është Margeret Vestager, zëvendës presidente e komisionit, post i cili në pesë vitet e fundit është marrë me dosje delikate që lidhen me qëndrimin fiskal të kolosëve të mëdhenj të teknologjisë si “Apple”, “Google” e “Facebook”.
Përfaqësuese e partisë liberale aktualisht në qeveri në Danimarkë, Vestager ishte fillimisht një nga emrat e përmendur për të drejtuar Komisionin Europian. Ajo do të shoqërohet në këtë post nga holandezi Frans Timmermans, i cili ka mbajtur këtë post dhe në legjislaturën e kaluar, një detal që u jep të drejtë skeptikëve që të shprehen për një presidencë të Komisionit Europian, e cila do të ketë më shumë zëvendës ekspertë.
Për të zëvendësuar Federica Mogherinin në çështjet e jashtme është zgjedhur Josep Borrell, ekonomist katalanas nga radhët e PSE-së dhe dikur president i Parlamentit Europian në periudhën 2004 – 2007, ndërsa një rol domethënës në përbërjen e skuadrës do i takojë ish-kryeministrit të Letonisë Valdis Dombrovskis, komisioner në largim për qëndrueshmërinë financiare.
Do të jetë sërish sllovaku Maroš Šefčovič, në mandatin e tij të tretë radhazi në komision, një personalitet i tryezave europiane, ku ka mbajtur postin e komisionerit për energjinë, atë për tregun dixhital të përbashkët, marrëdhëniet ndër institucionale, arsimin dhe shëndetin. Rikthehen në Bruksel dhe Maria Gabriel për Bullgarinë, Vera Jourova për Republikën Çeke, Johanes Hahn për Austrinë dhe Fil Hogan për Irlandën, deri tani komisioner për agrokulturën, e që tashmë do të marrë nën drejtim tregtinë ndërkombëtare.
Profili i Paolo Gentiloni-t, që “Corriere della Sera” dhe “Haffington Post” e cilësojnë si pasardhës të Pier Moskoviçit për çështjet ekonomike është i njohur, por nuk është emri i vetëm me peshë që synon të zhvendosë ekuilibrat në kancelaritë europiane. Në total do të jenë 10 komisionerë nga radhët e Partisë Socialiste dhe 9 ata nga Partia Popullore, mes të cilëve presidentja Von der Leyen. László Tróksánui, avokat dhe ish-ambasador i Hungarisë në Belgjikë, pritet të jetë komisioneri për zgjerim nëse do të miratohet nga Parlamenti Europian. Ai vjen nga radhët e partisë “Fidesz”, partia e kryeministrit Viktor Orban, aktualisht e përjashtuar nga qendra e djathtë europiane.
Sipas presidentes së zgjedhur të Komisionit Europian e cilësoi skuadrën e saj si një komision të larmishëm si Europa dhe të fortë si Europa. Një skuadër që ka brenda saj të rinj dhe ekspertë, lindje, perëndim, jug, dhe veri, gra dhe burra. Një skuadër e ekuilibruar që kombinon eksperiencën dhe aftësinë, së cilës do i kërkohet që të punojë me këmbëngulje dhe që të japë përgjigjet e duhura.
Ursula von der Leyen, e cila do të drejtojë Komisionin Europian, ka qenë ministre mbrojtje në Gjermani që nga Dhjetori i 2013-s, si dhe një figurë e rëndësishme në radhët e CDU-së, ajo u konsiderua për shumë kohë një nga kandidatet kryesore si pasardhëse e kancelares gjermane të Angela Merkel. E lindur në Albrekt, e rritur deri në 1971 në Bruksel, flet rrjedhshëm tre gjuhë të huaja, e martuar me shtatë fëmijë ajo ka ndjekur gjurmët e babait të saj i cili ka qenë për një kohë të gjatë president i landit në Saksoninë e Ulët.
Karriera e saj politike nis në vitet ’90, kur regjistrohet në CDU, Von der Leyen ka mbuluar poste të ndryshme në nivel lokal deri në momentin e emërimit në vitin 2003, si Ministre për Çështjet Sociale, Familjen dhe Shëndetin.
Në këtë post ajo do të mbahet mend se iu kundërvu partisë saj për të mbrojtur tema në mbështetje të nënave që punojnë, me një plan të bazuar në ndërtimin e çerdheve të reja dhe leje lindjeje për të dy prindërit. Por dhe si Ministre Mbrojtjeje, ajo u mor me barazimin e kuotave. Ajo është gruaja e parë që ka mbajtur një post të tillë në historinë e Gjermanisë.
Një nga temat më të nxehta me të cilat do të përballet Von der Leyen do të jetë pikërisht Brexit. Ajo u shpreh se nëse Britania e Madhe del nga Bashkimi Europian, nuk do të ishte fundi, por fillimi i një marrëdhënieje të re. Më tej, ajo theksoi se Brukseli nuk e dëshironte daljen e Londrës nga BE, por gjithsesi respekton vendimin e saj. Hapat e radhës, shtoi Von der Leyen, janë në duart e Mbretërisë së Bashkuar dhe vendimet nuk do të komentohen.
1 nëntor do të jetë data që ajo do të marrë postin dhe atëherë do të shihet se çfarë do të ndodhë. Nëse Mbretëria e Bashkuar do të kërkonte një shtyrje të Brexit, dhe nëse një gjë e tillë ndodh atëherë do të caktohej një komisioner i ri që do të merrej më këtë çështje. Për momentin, Mbretëria e Bashkuar është vendi i vetëm anëtar që nuk ka propozuar një komsioner. Një nga pikat kryesore mbetet reformimi i Dublinit. Solidariteti sipas saj nuk duhet të varet vetëm nga një pozicion gjeografik, Dublini duhet reformuar dhe mbetet një nga pikat kyçe të programit të saj.
Për sa i përket betejës së taksave, aktualisht mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kinës, Von der Leyen shprehet se nëse vazhdon logjika e përballjeve atë herë do të humbasin të gjithë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Për këtë arsye, palët duhet të ulen në tryezë dhe të shihen interesat e përbashkëta në mënyrë që të shënohen progrese.
Ndërkohë Bashkimi Europian synon të investojë në fushën e kërkimeve dhe të zhvillimit për mbrojtjen e përbashkët, pa vënë në diskutim marrëdhënien me NATO-n, e cila do të përfitojë nga këto investime. Investimet në industrinë ushtarake si pas saj do të sjellin shumë të mira dhe për industrinë private, mjafton të mendosh se interneti lindi nga rrjeti ushtarak Arpa ashtu si dhe GPS. Për këtë arsye ajo do të vijojë në këtë rrugë dhe për këtë do të kujdeset drejtoria e përgjithshme për industrinë e mbrojtjes dhe hapësirës. Posti i është besuar francezes Silvi Gulard e cila është emëruar dhe si komisionere për tregun e brendshëm.
Presidentja e zgjedhur e Komisionit Europian është e vendosur që të kthejë Bashkimin Europian në një lider botëror të zhvillimit të marrëveshjes për mbrojtjen e klimës dhe kundër ndryshimeve klimaterike. Ajo u shpreh e bindur se pjesa tjetër e botës do të ndjekë më pas këtë linjë. Socialisti holandez Frans Timmermans do të jetë zv/presidenti ekzekutiv për Marrëveshjen e Gjelbër Europiane e cila do të jetë një lloj marke europiane.
Marrëveshja mes Bashkimit Europian dhe Turqisë bëri të mundur ndalimin e trafikut të qenieve njerëzore në kufirin turk, por duhet të bëhet e qartë se si do të investohen 6 miliardë eurot të vëna në dispozicion nga Bashkimi Europian. Sipas të dhënave zyrtare në periudhën 2016 – 2017 krimi i organizuar mundësonte kalimin e 5 mijë personave në ditë, por tani numri ka rënë në mënyrë drastike.
Këshilli i Bashkimit Europian i ka dhënë dritën jeshile listës së kandidatëve që do të jenë anëtarë të Komisionit Europian deri në 31 Tetor 2024, sipas artikullit 17, paragrafi 7, i traktatit për Bashkimin Europian, lista e pranuar nga këshilli në dakordësi me presidenten e zgjedhur të komisionit, do i kalohet Parlamentit Europian. Në përputhje me traktatin, Presidenti, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikat e Jashtme dhe Sigurisë, si dhe anëtarët e tjerë të komisionit do të përballen me votën e Parlamentin Europian./ABC News Albania 24/7

