Propozoi çlirimin e rajoneve nga Rusia, përplasje mes Putin dhe regjisorit rus

schedule12:27 - 11 Dhjetor, 2021

schedule 12:27 - 11 Dhjetor, 2021

Gjatë një takimi online me anëtarët e këshillit për të drejtat e njeriut, presidenti rus Vladimir Putin, kritikoi ashpër deklaratën e regjisorit Aleksandër Sokurov, i cili është vlerësuar me titullin “Artist i Popullit i federatës Ruse”, i që propozoi çlirimin e rajoneve që duan të ndahen nga Rusia.

Sokurov u shpreh se në rajonet ruse, sidomos në Kaukaz, rusët po urrehen gjithnjë e më shumë dhe duan të ndahen. Regjisori theksoi se po shihet qartë ajo që po ndodh me shtetin rus dhe me strukturën shtetërore. Dhe për këtë arsye duhen lënë të largohen ata që nuk duan të jetojnë më në të njëjtin shtet me rusët. T’i urohet fat dhe të lihen të jetojnë jetën e tyre kushdo që dëshiron të shkëputet.

Në reagimin e tij presidenti rus Putin e konsideroi fjalimin e Sokurov si një manifest dhe i kërkoi të mos e transformonte vendin në një provincë të Moskës. Ai e pyeti regjisorin se nga e dinte se kush donte të jetonte me rusët dhe kush jo? Si e kishte verifikuar një gjë të tillë. Ndër të tjera Putin e akuzoi regjisorin se dëshironte përsëritjen e skenarit jugosllav në territorin rus.

Por Sokurov nuk u zmbraps duke e paralajmëruar Putin për afrimin e një revolucioni islamik, i cili mund të parandalohet por jo të mundet nëse nis. Zëdhënësi i Putin u shpreh se reagimi i ashpër i presidentit rus ishte pasojë e një qasje jo profesionale ndaj temave delikate.

Ndërsa sipas regjisorit, kreu i Kremlinit i kishte keqkuptuar fjalët e tij.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!