Një moment magjik dashurie ka rrëmbyer zemrat e publikut në Jale. Gjatë performancës së tij në Wave Festival, këngëtari Durim Tahirukaj i ka bërë propozimin për martesë partneres së tij, këngëtares dhe alpinistes Drenica Zogaj, përpara qindra spektatorëve.
“Mos prisja asgjë. Ishte surpriza më e bukur që mund të më ndodhte që kur e kam njohur”, rrëfen e emocionuar Drenica, e cila i tha “Po” në mes të skenës. Historia e tyre duket si një skenar filmi. Të lidhur prej një viti, ata janë njohur përmes muzikës, kanë punuar bashkë në televizion, kanë krijuar duetet e tyre muzikore dhe sot ndajnë jo vetëm skenën, por edhe pasionin për malin. Së bashku kanë themeluar edhe “Maya Alpin Club”, duke bashkuar adhuruesit e hiking-ut dhe aventurave në natyrë.
Në Wave Festival, që po zhvillohet për tre ditë në Jalë, çifti ka qenë pjesë jo vetëm e aktiviteteve muzikore, por edhe e eventeve sportive dhe të hiking-ut. Muzika dhe mali janë dy dashuritë që i kanë afruar edhe më shumë. E njohur si alpinistja nga Kosova që i këndon natyrës dhe majave të maleve, Drenica tregon se ecjet në mal janë mënyra e saj për të larguar lodhjen e përditshme. “Muzika na ndihmon që ngjitja të bëhet më e lehtë. Këndoj unë e më pas më ndjek gjithë grupi”, thotë ajo.
Po aq e veçantë sa historia e saj është edhe emri që mban. Drenica rrëfen se emrin ia ka vendosur i ati gjatë periudhës së luftës. “Nuk ka qenë prezent në momentin kur kam lindur, por ishte ai që më pagëzoi. Shumë më pyesin nëse më pëlqen emri apo dua ta ndërroj, por përgjigjja ime është gjithmonë jo”, shprehet ajo. Sot, mes muzikës, maleve dhe një propozimi që emocionoi publikun, Drenica dhe Durimi po jetojnë një nga kapitujt më të bukur të historisë së tyre të dashurisë. Dhe pas këtij “Po”-je të madhe, duket se hapi i radhës është dasma./abcnews.al


